PD ka nevojë për lidership, jo për lider

11/07/2013 - 16:13

Nga Bislim Ahmetaj

Do ta kisha titulluar këtë shkrim “Partia Demokratike ka nevojë për rremtarë, dhe jo për timonier”, pasi bregun e dinë më mirë rremtarët se timonieri, por shqipja e sotme dhe vendi ku është hedhur anija e lyp përdorimin e titullit që e kuptojnë të gjithë. Që pas humbjes shpartalluese që pësoi PD-ja më 23 qershor, i vetmi lajm pozitiv dhe shpresëdhënës për të ardhmen e opozitës ka qenë dorëheqja e kryetarit të PD-së, zotit Berisha. Kjo si një shenjë e pjekurisë dhe mbylljes së ciklit politik të njeriut më të fortë të Shqipërisë, por jo vetëm të Shqipërisë në këto 20 e ca vite të zhvillimeve politike në Shqipëri dhe rajon. Arsyet e humbjes dhe roli i Berishës në PD dhe në politikën shqiptare nuk janë aspak subjekt i këtij shkrimi, ato meritojnë analiza të gjata, me kokë të ftohtë dhe me një këndvështrim krejtësisht tjetër nga subjekti i këtij vështrimi që dua të trajtoj në këtë shkurtesë.

Demokratët, ish-të përndjekurit, pronarët e vjetër, të rinjtë, sipërmarrësit e vegjël, studentët e universiteteve private dhe publike, punonjësit e administratës publike dhe private, fermerët, banorët e shtëpive të palegalizuara, pensionistët e fshatit e të qytetit dhe shumë grupe të tjera interesi që kanë qenë në fokus të programit të PD-së në fushatën e zotit Berisha, pas fitores çoroditëse të koalicionit të majtë kanë pësuar një shok dhe presin me ankth se çfarë do të ristrukturojë në planet e tij qeverisëse koalicioni inflacionist Rama-Meta për ta.

Ndërsa mbrojtësit e tyre teorikë në kahun e djathtë janë në numër të ngjashëm me opozitën e PD-së më ’91-shin, por në një pozicion krejtësisht të largët me atë kohë kur PD, edhe pse ishte minorancë numrash, ishte maxhorancë morale dhe shpresohej prej gjithkujt që ditët dhe orët e largonin nga pushteti, që për fat të keq s’u bë asnjëherë zotërim i plotë i këtyre grupeve që mbështetën PD-në përgjatë këtyre 23 viteve. “Entuziazmi” i shpalljes së humbjes dhe pranimi i saj i dha sharm perëndimor liderit të PD-së, zotit Berisha, por nxitimi për të çelur fushatën zgjedhore për liderin e ardhshëm të opozitës ishte brengosës për njerëzit që kanë investuar jetën e tyre në këtë forcë politike që ka transformuar vendin dhe në shumë aspekte e ka bërë të ngjashëm me vendet e tjera europiane që tashmë i janë bashkangjitur politikisht dhe ekonomikisht kontinentit që i përkasin, Bashkimit Europian. Nxitimi për ta shpallur garën për “lider” të PD akoma pa u shpallur zyrtarisht rezultati i zgjedhjeve nga Komisioni i cunguar Zgjedhor dhe jo i legjitimuar nga mazhoranca e shtatorit, la shije shumë acide në memorien e atyre që do bëhen subjekt diskriminimi ndoshta nga maxhoranca që starton në shtator, tek ata të cilët nuk kanë bërë asnjëherë kompromise me të këqijat që ajo ka afruar për bashkëvendësit e vet që pas Luftës së Dytë Botërore kur u shfaq dhe deri këto ditë që festoi ditëlindjen e “23”-të të virgjërisë së re të prodhuar nga infermierë infantilë në qershor të ‘91-shit.

Shpallja e zgjedhjeve brenda forcës më të madhe humbëse në këtë vapë trishtuese, kur humbësit (mbështetësit) janë akoma të trullosur, kur drejtuesit e humbjes (fituesit e opozitës së ardhshme) po sillen si fitues dhe janë të tillë sepse po garojnë për “liderë” të vendit të dytë edhe në mungesë të kapacitetit dhe inteligjencës minimale, shënon fundin e një cikli të një force politike. Ata duan të mbledhin mbetjet e grupeve të dëshpëruara që s’kanë ku ta gjejnë një hije në këtë verë të çmendur jo vetëm natyrore. Vendimet që merren në kohë të nxehtë, me kokë të nxehtë, s’mund të kenë fat tjetër veçse të ftohen dhe të bien përtokë bashkë me gjethet e para të vjeshtës.

Dy kandidatët për lider të parë janë djem energjikë me tipare karizmatike të zhvilluara, me një karrierë pozitive, të dhuruar nga lideri i dorëhequr. Askush s’ka mundur të marrë një post në Partinë Demokratike pa bekimin dhe mbështetjen e Sali Berishës.

Berisha bëri aktin e një lideri europian, pranoi humbjen, dha dorëheqjen. Pas këtij akti ai duhej të heshtte, të paktën për disa ditë, derisa ne ndjekësit e tij të kishim mundësi të merrnim frymë, të reflektonim, s’ishte aspak nevojë të gjenim fajtorët, por të paktën të na linte të mendonim se kush mund të ishte “Prometeu” i tyre. Sipas meje, gabimi që ndoqi taktikën e humbjes ishte ai i shurdhimit të saj, i vrasjes së saj, ai lideri që udhëhoqi në humbje dëshiron t’i gjejë   edhe udhëheqësit e rinj që do ta çojnë opozitën e ardhshme ose në humbjen e radhës, ose në fitoren e premtuar.

Kjo verë duhet të ishte për mua një kohë refleksionesh, një kohë analizash, një kohë qëmtimesh se kush është dhe kush nuk është, cili ia ka vlejtur apo jo, çfarë është bërë mirë dhe keq në këto 23 vite, dhe këto 23 vite duhet t’i kishim ndarë në stacione në të cilat ka kaluar tranzicioni ynë politik nga viti ‘90 te viti ‘92. Nga ky vit plebishiti që na ndau teorikisht nga diktatura komuniste te viti deflacionist 1996. Nga viti tranzitiv dhe reflektiv ‘96 deri te viti dramatik ‘97. Viti dhuratë e dreqit dhe darkës së gatuar të bijve të dreqit, viti që na bëri të dyshojmë se diktatura është kostumi që na rri më mirë si komb. E më pas të meditonim dhe të reflektonim për periudhat që e pasuan vitin e dreqit deri në pragun e vitit 2005, kur Partia Demokratike u rikthye në pushtet. Do duhej pak kohë, të paktën një verë, që kalorësit e mbetur pa kalë ta shihnin veten në pasqyrën e të rrëzuarit nga kali, një vetanalizë e viteve 2005-2013. Sepse këto 8 vite janë vitet e distancës së madhe të pushtetit nga partia që ua ngarkoi këtë barrë. Dy muaj është aq pak për ta rinjohur partinë dhe bazën e saj, sa nuk mjafton dhe nuk mjaftoi kur PD iu kthye bazës së saj pas tetë vitesh dhe rezultoi 8 vite më e plakur, më e braktisur, më e sfilitur. Ky realitet u shpërblye me rezultatin shpartallues të 23 qershorit.

Partia Demokratike ka pasur liderin më energjik dhe më të palodhur që ka njohur historia e pluralizmit politik në Shqipëri dhe në rajon, me të mirat dhe të metat e tij. Pas kësaj humbjeje dhe mbylljes së ciklit politik të zotit Berisha kjo forcë politike që ngjalli shpresën dhe ringriti jetën e kombit shqiptar duhet të kishte menduar për një lidership, për një ekip rremtarësh që të mund ta mbajë gjallë frymën e opozitarizmit në Shqipëri. Pasi gjendemi para një numri kartonësh të kuq, purpël dhe rozë që nuk do ketë lider që i ndal në rrugën e marrëzisë.

Përfund të kësaj shkurtese, nxitimi për të gjetur një “lider” me ushtri të shpartalluar për 25 ditë s’është asgjë tjetër veçse një qasje për të shpërndarë mjegull mbi përgjegjësitë dhe për të komanduar një kryetar të opozitës që sipas rregullave të vendosura nga kryesia e humbësve do të zgjedhë ekipin apo lidershipin e mbajtjes në opozitë të një grupi të vogël njerëzish që do të mbrojnë thjesht veten e tyre. Grupet e interesit që përmenda në krye të këtij shkrimi, sipas kësaj skeme, do mbeten jetime dhe do të shërbejnë mish për top për fushëbetejat e ardhshme të luftërave opozitë-mazhorancë.

http://www.panorama.com.al/2013/07/11/pd-ka-nevoje-per-lidership-jo-per-lider/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: