Nga Dritan Egro

Nacionalizmi shqiptar është një nga fenomenet ballkanike më interesante të shek. XIX. Dhe kjo për faktin se shqiptarët janë i vetmi popull ballkanik, që në shekullin e nacionalizmit nuk e ndjenë nga pas mbështetjen konstante të një fuqie të madhe të kohës, por ia arritën të rezistonin; të krijonin shtetin e tyre, veçse jo në përmasat e veta kombëtare. Konvertimi masiv i tyre në Islam që fillimisht u garantoi integrim të plotë në strukturat e Perandorisë Osmane, në shek. XIX, dëshmoi se ishte një realitet që punoi në disfavor të interesave të tyre kombëtare.

Këtu do të përpiqem të hedh dritë mbi faktin se si disa nga zërat më të fuqishëm të nacionalizmit shqiptar e konsideronin Perandorinë Osmane dhe se si ata e shihnin Europën dhe Rusinë në momentin kur ata shkruan dhe se si ata e shihnin të ardhmen e Shqipërisë me këto tri fuqi që dominuan terrenin politik euro-aziatik për shumë shekuj me radhë.

Vrasja e Ali Pashë Tepelenës dhe fillimi i kryengritjes greke për pavarësi u dha të kuptonte krerëve shqiptarë të Shqipërisë Qendrore dhe Jugore se situata politike në Ballkan tashmë po ndryshonte në mënyrë të pakthyeshme dhe po hidheshin hapa vendimtarë, që do të ndryshonin jo vetëm realitetin gjeopolitik të rajonit, por edhe fatin e popujve të tij. Në këtë moment, krerët myslimanë shqiptarë filluan seriozisht të mendojnë për t’u shkëputur nga shteti osman.

Nga një letër drejtuar krerëve shqiptarë, në nëntor 1828, Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit), mësojmë perceptimin e një udhëheqësi shqiptar për shtetin osman, në kushtet e reja historike. Në këtë dokument shihet qartë se shqiptarët kishin filluar ta vinin në diskutim besnikërinë e tyre ndaj Portës së Lartë; kishin filluar që fatin e tyre ta shihnin të lidhur me vendin e tyre, krejt ndryshe nga ai i perandorisë. Të vetëdijshëm për fuqinë e vet politike e ushtarake, ata nuk ngurruan të bënin marrëveshje mes familjeve të tyre dhe, më gjerë, në kuvende për të harmonizuar veprimet politike dhe ushtarake në funksion të shkëputjes së plotë nga shteti osman. Natyrshëm që Shqipëria, si territor, për ta fillonte e mbaronte në kufijtë ku shtriheshin zotërimet e tyre. Në këtë sfond historik lind çështja shqiptare; qysh në vitet ’20 të shek. XIX dhe deri në Kongresin e Berlinit ajo mbeti një çështje e brendshme e perandorisë, pra një marrëdhënie e drejtpërdrejtë mes shqiptarëve dhe Portës së Lartë.

Falë privilegjeve që kishte gëzuar gjatë shekujve të mëparshëm, paria myslimane shqiptare e ndiente veten të fuqishme për të ndërmarrë hapin e shkëputjes, madje nuk e ndiente nevojën për ndihmë nga jashtë. Kësaj fuqie shqiptare i trembej edhe vetë perandoria, e cila ndërmori masa ekstreme deri në eliminimin e pjesës më të madhe të saj në Manastir, në gusht të vitit 1830. Gjithsesi, në komunikimin ndërshqiptar të kësaj kohe Europa ende nuk është shfaqur.

Ndërkohë që paria myslimane shqiptare, e gjendur në pozita drejtuese në strukturat osmane, po kërkonte shkëputjen, përfaqësues shqiptarë të konfesionit ortodoks u bënë gjithashtu pjesëmarrës të zhvillimeve të reja politike, si pjesë e zhvillimeve ballkanike që po evoluonin nën udhëheqjen e Rusisë. Naum Veqilharxhi Europën e perceptonte si botën e qytetëruar, si objektivin ku duhet të mbërrijnë të gjithë popujt e sunduar. Për këtë problem, ndonëse nuk i referohet qartësisht Europës, nuk ka asnjë ekuivok se për të Europa ishte toka e kombeve të qytetëruara, ku shprehet ai: “Me vullnetin e Perëndisë, shpresojmë të vihemi në radhën e kombeve të qytetëruara”. Për të, Europa më tepër se një hapësirë konkrete gjeografike përbënte standardin më të lartë se ku kishte arritur qytetërimi i kohës.

Traktati “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, e hartuar nga Pashko Vasa në vitin 1879, pra në vitet e Lidhjes së Prizrenit, shënon tentativën e parë, të suksesshme, për të paraqitur një doktrinë historiko-politike të nacionalizmit shqiptar. Një intelektual shqiptar, i konfesionit katolik, i shkolluar në Romë e Venedik, por prej vitesh në shërbim të Perandorisë Osmane, ofron një hartë të saktë të kufijve etnikë të territoreve të banuara nga shqiptarët dhe bën thirrje për bashkimin e shqiptarëve të të gjitha besimeve.

Duke ndjekur modelin europian të nacionalizmit, ai ofron pikëpamjen e tij mbi shtetësinë dhe racën në shtetet kombëtare, gjithmonë në funksion të përvijimit të dallimeve etnike mes shqiptarëve dhe fqinjëve të tij.

Pashko Vasa është i pari nacionalist shqiptar që fatin e shqiptarëve dhe të kauzës së tyre për ngritjen e një shteti kombëtar, pra çështjen shqiptare, e vendos mes Perandorisë Osmane dhe Europës. Në vitin 1878 jo vetëm shqiptarët myslimanë që nuk gëzonin fuqinë e tyre të gjysmëshekulli më parë, por edhe fuqia osmane nuk ishte e tillë sa çështjen shqiptare ta mbante ende në sirtarët e saj. Nëse më parë shqiptarët e njihnin diplomatikisht Europën përmes Stambollit, Lidhja e Prizrenit realizon kontaktet e para të drejtpërdrejta zyrtare mes përfaqësuesve shqiptarë dhe kryeqyteteve europiane.

Ndonëse Pashko Vasa vë në dukje dallimet në pozitën e shqiptarëve nën sundimin osman para dhe pas vitit 1831, kohë kur u shembën pashallëqet, duke e vënë theksin te pozita e padëshiruar në të cilën kishin rënë krerët shqiptarë, sidomos elementi mysliman, falë masave që shteti osman mori për të dobësuar frymën e tyre nacionaliste. Përkundrejt këtyre masave që e rënduan sundimin osman në viset shqiptare, Pashko Vasa shprehet:

“Megjithëkëtë Europa që mori pjesë në fakt për të krishterët nuk pati asnjë fjalë mëshire për myslimanët. Kjo është pikëlluese!”.

Nga këto fjalë duket qartë se Pashko Vasa Europën e identifikon me Krishterimin; Kështu që, sipas tij, qëndrimi i saj ndaj shqiptarëve shfaqej i paravendosur mbi baza fetare. Dhe, pasi thotë këtë, Vasa i kthehet besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, duke arritur në përfundimin se shqiptarët e kanë dashur dhe e duan sovranitetin e sulltanit, por ata duan edhe atdheun dhe traditat e veta. Ai shkruan:

“Mjafton që qeveria perandorake, ballë së cilës [shqiptarët] janë thellësisht besnikë, t’i zgjasë dorën atërore për ta shkundur nga mefshtësia, ta ngrejë, ta ndihmojë të ecë në udhën e përparimit dhe të qytetërimit dhe atëherë do të marrë rrugën e mbarë”.

Duke filluar me Pashko Vasën, nacionalistët shqiptarë fillojnë që fatin e tyre, madje edhe të ardhmen e tyre ta shohin të lidhur ngushtë me atë të shtetit osman. Për këtë ai shkruan:

“… eksperienca e pesë shekujve e ka provuar se bashkimi i tyre i ngushtë me Perandorinë Osmane formon shansin e vetëm të shpëtimit; …dhe nuk kërcënon ekzistencën e tij nga pikëpamja e racës dhe e kombësisë”.

E thënë ndryshe, Pashko Vasa kërkon nga shteti osman njohjen zyrtare të kombit shqiptar dhe një organizim autonom brenda suazës së tij.

Duke pasur parasysh se Pashko Vasa këtë libërth fondamental të nacionalizmit shqiptar e shkroi kur sapo kishte përfunduar lufta ruso-osmane e 1878-s, atashimin e shqiptarëve me osmanët e konsideron si “një element fuqie, një garanci për rend, por edhe një kompensim për territoret e humbura nga kjo luftë”.

Në këtë vepër hidhet për herë të parë kjo ide, e cila nacionalizmin shqiptar e shoqëroi deri në momentin e shpalljes së pavarësisë nga shteti osman, në nëntor 1912, sipas së cilës shqiptarët duhet të ruajnë autonominë brenda suazës së Perandorisë Osmane, pasi nuk kishte garanci që Europa e krishterë nuk do të ndihmonte shtetet fqinje ballkanike në kurriz të ekzistencës së një shteti me popullsi shumicë myslimane në Europën Juglindore.

Në traktatin e tij politik “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, të shkruar 20 vjet më pas, Sami Frashëri gjen rastin të avancojë mendimin nacionalist shqiptar, në përputhje me zhvillimet që kishin ndodhur brenda këtij segmenti kohor në arenën ndërkombëtare e veçanërisht në Ballkan.

Te tërheq vëmendjen fakti që S. Frashëri qëndrimin e tij ndaj fqinjëve dhe politikave të tyre i vendos në sythin e titulluar “Rreziqet për Shqipërinë”, duke e shprehur qartë frikën që tashmë shqiptarët kishin prej tyre. Brenda një shekulli, shqiptarët nga sundimtarë faktikë të Ballkanit, ishin shndërruar në plaçkën e tregut me të cilën duheshin nginjur fqinjët, të cilët në terren realizonin ekuilibrin e fuqisë mes Fuqive të Mëdha. Shtetin osman S. Frashëri e konsideron mes fqinjëve të Shqipërisë, të cilët i konsideron të rrezikshëm për të ardhmen e vendit, pasi me politikën e tyre për të ruajtur me fanatizëm kontrollin e tyre te shqiptarët, ata në një farë mënyre kishin bashkuar armët me fqinjët grekë e serbë. Nën presionin europian shteti osman gjithnjë e më tepër nuk po i kontrollonte territoret e krishtera të Ballkanit, ndërkohë që ndaj shqiptarëve mbante qëndrimin më të ashpër të mundshëm që gjuha shqipe të mos futej në shkolla.

Nga ana tjetër, fuqitë europiano-perëndimore dhe Rusinë S. Frashëri i klasifikon në sythin “Miqtë e shqiptarëve”, ndaj i kërkon Europës ta njohë zyrtarisht ekzistencën e Shqipërisë. Duke i trajtuar në këtë mënyrë, Sami Frashëri e redukton përgjegjësinë për rrezikun e ekzistencës së Shqipërisë së pavarur te fqinjët me interesa të drejtpërdrejtë territorialë, ndërkohë që, në mënyrë diplomatike, të gjitha Fuqitë e Mëdha, për vetë peshën që kishin në procesin e ribërjes politike të Ballkanit, i konsideron si mike të shqiptarëve. Megjithatë, S. Frashëri është tepër i kujdesshëm në përkufizimin e çdo fuqie të madhe dhe manifeston një njohje brilante të interesave të tyre madhore dhe lokale, por gjithsesi duke i rreshtuar ato vetëdijshëm në sythin e miqve të Shqipërisë.

Franca përshkruhet si një mike e vjetër e shqiptarëve, por Sami Frashëri nuk lë pa vënë në dukje dashurinë e saj të veçantë për katolikët e Mirditës. Italia ka brenda saj komunitetin arbëresh, që është përpjekur shumë për bashkimin e shtetit italian; ky shtet, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që Greqia dhe Serbia ta copëtojë vendin amë të arbëreshëve. Perandoria Austro-hungareze është mike e Shqipërisë, ndaj, sipas S. Frashërit, ajo kurrsesi nuk do të lejonte shtrirjen dhe rritjen e pakontrolluar të sllavëve në Ballkan; Dhe për këtë gjë, thotë ai, ajo do t’i përkrahë fort shqiptarët, ashtu siç po bën edhe për rumunët. Qëndrim shumë interesant Sami Frashëri mban ndaj Rusisë, të cilën e konsideron si mbështetësen kryesore të shteteve të tjera sllave, për shkak të origjinës së njëjtë të racës; Por ai nuk harron të vërë në dukje se Rusia në emër të ortodoksisë ka mbështetur gjithnjë edhe Greqinë, ndonëse grekët e sllavët janë armiq të njëri-tjetrit. 

Më tej, ai vijon duke thënë se deri në atë kohë shqiptarët nuk kishin gjetur një mik të madh që t’i mbështeste fuqishëm në ndërtimin e shtetit të tyre kombëtar; Dhe këtu, si arsye kryesore të kësaj mungese me pasoja fatale, ai paraqit diversitetin fetar të shqiptarëve. Vetëm veprimet e tyre të matura, shprehet ai, do t’u tregojnë të mëdhenjve të politikës botërore se shqiptarët e meritojnë të kenë shtetin e tyre dhe, për pasojë, do të fitojnë edhe mbështetjen e tyre.

Sami Frashëri është në dijeni të projekteve të mëdha politike të kohës, të cilat synonin dëbimin e shtetit osman nga Ballkani dhe ribërjen politike të këtij rajoni. Në këtë kontekst, ai mban një qëndrim shumë të ashpër ndaj shtetit osman, të cilin e akuzon se po mbante të lidhura duart e shqiptarëve, ndërkohë që fqinjët po realizonin një nga një objektivat e tyre strategjike. Madje, në dritën e ligjërimit politik dhe projekteve europiane të kohës për dëbimin e osmanëve nga territoret europiane, turqit osmanë ai i identifikon si:

“një komb i egër i ardhur nga shkretëtirat e Azisë së Veriut me nga një hosten në dorë… Turqit s’kanë të drejtë të rrojnë më tepër se ata shokët e tyre, rrojtjen e qëndrimin deri tani e kanë patur qelepir; tani s’kanë ndonjë të drejtë të rrojnë e të qëndrojnë më, edhe nuk dinë dhe as duan të rrojnë më, se deri më sot s’kanë bërë një kombëri e një qeveri si gjithë bota…”.

Në këtë kontekst, Sami Frashëri i drejtohet Europës, duke i evidentuar shqiptarët si të ndryshëm nga turqit dhe i përkufizon si: “më i vjetri komb i Europës”, ndaj prej këtu, thotë ai, lind e drejta legjitime “të ekzistojë një Shqipëri në dheun europian, madje më shumë se çdo komb tjetër”.

Megjithatë, kur vjen fjala për të ardhmen e Shqipërisë, S. Frashëri beson se shqiptarët duhet të qëndronin nën shtetin osman sa të forconin pozitat e tyre shtetformuese; në momentin që shteti osman do të binte në Ballkan, shqiptarët duhet të dilnin më vete.

Ndërsa pranon që Europa e atëhershme ishte vendi i diturisë dhe i qytetërimit të avancuar, nga ana tjetër, S. Frashëri u drejtohet shqiptarëve të jenë të vëmendshëm ndaj procesit kolonial që po ndodhte dhe, pasi u thotë se vendi i shqiptarëve është Europa, i porosit të mos bëhen koloni e saj:

“Të mos na gjejnë si ata të egrit e Australisë e të Afrikës që venë disa europianë e i gënjejnë me ca rruaza e me ca dragole të gjelbërta… e u marrin vendet e tyre nga dora. Të mos gënjehemi edhe ne nga disa copa pafillesh e qelqesh që s’vlejnë fare gjë e të lëmë të drejtat e kombit e të mëmëdheut tonë në duar të të huajve e t’armiqve tanë”.

Gjithsesi, pozita e shqiptarëve në Ballkan vjen e rëndohet edhe më shumë në dekadën e parë të shekullit XX. Tashmë në rendin e ditës ishte çështja nëse do të kishte një atdhe për shqiptarët. Lufta ballkanike që sapo kishte filluar në terren, po e rrezikonte realisht projektin për krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Vetëm disa javë para Aktit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali i deklaron shtypit të huaj:

“Përkundër të gjitha iluzioneve edhe unë besoj se Perandoria Osmane i ka humbur të gjitha provincat europiane. … [Besoj se] e kuptoni që unë e shikoj jo pa keqardhje këtë shkatërrim të sundimit turk në Europë. …Në se rajonet e pushtuara do të duhet të shkëputen krejt nga Turqia, po ashtu duhet që edhe Shqipëria të bëhet e pavarur…”.

Këto fjalë të thëna nga Ismail Qemali, udhëheqësi i gjithëpranuar i shqiptarëve të asaj kohe, veçse pohojnë faktin se ishte krijuar ajo koniunkturë politike ndërkombëtare në Ballkan për të cilën ishte shprehur S. Frashëri në traktatin e tij. Me këto fjalë ai veçse po përmbushte në terren atë çka mendimtarët e nacionalizmit shqiptar e kishin parashikuar në letër. Tashmë që sundimi osman në Ballkan kishte vdekur, e ardhmja e shqiptarëve varej sa prej lëvizjeve të tyre diplomatike e ushtarake, aq edhe nga qëndrimi që do të mbanin Fuqitë e Mëdha. I vetëdijshëm për vetminë në të cilën ndodheshin shqiptarët, Ismail Qemali shprehet:

“Në qoftë se shqiptarëve nuk do t’u mjaftojnë forcat për të smbrapsur sulmin e padrejtë [të serbëve, malazezëve apo të shteteve të tjera ballkanike], çka bie ndesh me parimet mbi të cilat shtetet ballkanike bazojnë pretendimet e tyre, atëherë ata nuk do ta humbin shpresën se kombet e qytetëruara të Europës dhe sidomos Fuqitë e Mëdha, të cilat për shkak të pozitës gjeografike dhe të së drejtës së tyre historike janë të interesuara për ruajtjen e rendit në Ballkan, do ta njohin drejtësinë e synimeve tona. Mirëpo, në se shqiptarët trajtohen në mënyrë të padrejtë, kjo i bën ata të vendosur për të luftuar me çdo kusht për të drejtat e tyre. Edhe në se diplomacia nuk do t’i njohë menjëherë të drejtat e shqiptarëve, koha do t’i njohë ato patjetër më vonë”.

http://www.panorama.com.al/2013/06/17/perandoria-osmane-dhe-europa/