Nga Artur Zheji

Në një autointervistë, ndër të shumtat, kryeministri në pauzën e një psherëtime, për pak na mallëngjeu e tha se: “Do tmë kërkoni kur tmos më keni…”; pastaj fët e fët dhe si me trishtim e pendesë, shtoi: “Por ehyyyy, sa kohë do t’kalojë deri atëhere…”
Ka të drejtë kryeministri, kur ai të mos jetë, do ta kërkojmë një të ngjashëm dhe të papërsëritshëm si ai.

Një artist që përdori artin, për të falsifikuar mjeshtërisht të pavërtetat e shumta që na tha dhe na thotë gjithë këto kohë. Të gjithë politikanët gënjejnë, që në fillim, ose herët a vonë, madje në kulturën tonë politike, një politikan i mirë, është një njeri, ngarkuar me funksione të larta, që shkëlqen mjeshtërisht në artin e gënjeshtrës.

Në rininë tonë të hershme, në vitet e fundit të Diktaturës komuniste, kam shkruar një komedi heroike, që nuk e vura dot askurr në skenë “Qerosi dhe Mbreti i Gënjeshtrës”, fragmente të së cilës, i lexonim të dy me zë të lartë, sepse na dukej një super përqeshje e mirëshkruar e propagandës së skaduar komuniste të kohës…

Madje kur Rama u bë ministër kulture, duhet t’ja njoh si meritë, më ka lutur si askush që ta vija në skenën e Teatrit Popullor të atyre viteve, duke marrë përsipër një përkujdesje financiare të posaçme, por unë nuk u bëra mbarë asnjëherë dhe jam penduar për këtë. Porse nuk do ta kisha besuar kurrë, se me kalimin e viteve, Rama vetë, shpesh gallataxhi i potershëm dhe shumë i këndshëm në tavolinë, do të shndrrohej në personazhin e “Mbretit të Gënjeshtrës”, që ishte edhe “I Keqi” apo kurorëmbajtësi i të “këqinjve” të këtij vendi të vogël, porse me numrin më të lartë të gjenijve për frymë dhe për kilometra katrorë.

Si edhe padyshim, me numurin më të lartë të gënjeshtarëve për çdo 1000 banorë e për çdo kilometër katror. Gënjeshtarë krijues, ndër të cilët, Rama, padyshim doli kampion, për kah ngjyrat dhe kombinimet marramendëse të gënjeshtrave.
Thurrje të tillë gënjeshtrash virtuoze, zor se do të kemi në të ardhmen dhe për këtë, ndokush do të psherëtijë për Mjeshtrin e madh mason të gënjeshtrës, që vijon ende ta kemi edhe kryeministër.

Sepse e parë hollë hollë, ay, i thurr gënjeshtrat si ato gratë plot fantazi të heshtur, zadrimore apo korçare, që endin qylymat dhe pëlhurat e tyre të mrekullueshme, duke përdorur fije leshi ngjyra ngjyra, që krijojnë në përfundim, motive laramane, shumëngjyrëshe, porse gjithmonë të leshta.

Për gjithë këtë lesh me ngjyra, do të na marrë sigurisht malli zoti kryeministër, që nuk u bëre dot asnjëherë një pol tërheqës dhe mbështetës i të mençurve të pakët të këtij vendi, por ngordhe e vdiqe pas gromësimave dhe syve të përgjakur të të fortëve të këtij vendi, ca bazhibozukëve, shpesh duargjakosur, që peshkove me neps të sëmurë, nga Veriu në Jug të Shqipërisë, që i bëre deputetë apo fis deputetësh, u shpërndave grada kapterash, aty ku ka lekë apo qelepir për të rrjepur.

Makiazhet e ditës, pas takimeve të natës dhe pa dëshmimtarë me ta, që të është shndërruar në një sëmundje dhe në një natyrë të dytë, nuk vlejnë se fytyra jote, dikur e fisme dhe e pashme dhe me gjatësi malësori, sot ngjan e sëmurë nga shterpësia dhe shterrimi e mundësive që ke, për të përçuar entuziazëm dhe besim.

Do na mungosh që nuk riprodhon dot ato gënjeshtrat plot kripë e piper, të fillimeve, krejt sipërore askokohe, ndaj gënjeshtrave bajate dhe të cungëta të paraardhësve të tu politikë, apo konkurentëve të djeshëm e të sotëm.

Mirëpo, që kur vartësit e tu më të ngushtë, si Gjika e Nurajve, shkurt Gjiknurët, porositën e sollën një goxha Guru nga India e largët, u pa edhe puna jote, o pasha!
Sepse ta sollën konkurentin, e i puthën këmbët në Rinas, duke të sfiduar pikërisht ty që je kandidat për Guru te Rilindja… Porse puthën këmbët e një tjetri, Gurusë me mjekër të madhe, pikërisht në kohën kur tenderonin 20 milion euro për një kilometër, në mes të Tiranës dhe të groposën atë çfarë namuz t’kish mbetur për të gënjyer edhe pak, në mënyrën më të paturpshme…

Për këto spektakle do të na marrë malli për ty dhe bashkëpuntorët e tu akrobatë dhe rekordmenë botërorë, të 20 milion eurove për kilometër.
Por deri atëhere, të them se çmë tha një ditë një Guru tjetër për ty: “Zheji, ndihmoje me ndonjë këshillë, të largohet në kohën e duhur, se e kemi patur si djalin dhe vëllain tonë dikur e në një kohë, se ka pas edhe ca gjëra të mira…”