Pishinat, një ëndërr e parealizuar për durrsakët

20/11/2011 - 00:00

Pishina e parë në qytetin bregdetar të Durrësit është ndërtuar në vitin 1970. Një pishinë klasike për kohën, e hapur dhe me tetë korsi që ka vazhduar funksionin e saj për rreth 41 vjet, pavarësisht nga gjendja e mjerueshme në të cilën ajo mbeti pas vitit të mbrapshtë 1997. Pishina që mban emrin e një prej figurave të shquara të notit durrsak “Taq Dafa“, është shfrytëzuar vetëm në stinën e verës për notarët e grupmoshave të ndryshme në Durrës apo dhe kampionatet e ndryshme kombëtare. Pishina me ujë të kripur furnizohet direkt nga deti përmes një tubacioni, që kalon përmes rrugës që e ndan pishinën me shëtitoren “Taulantia“. Në shkallë vendi konsiderohet si një ndër pishinat më të mira shtetërore, por në krahasim me kohën dhe investimet e privatëve është në parametra jo normale. Ekipet e notit nuk kanë mundësi që të stërviten në stinët e tjera të vitit, gjë që do të thotë më pak stërvitje dhe rezultate më të ulta. Një pjesë e mirë e talenteve durrsakë të notit janë detyruar që të stërviten në vende të tjera si Italia për të kërkuar rezultate të larta. Mos harrojmë se për moshat deri 18 vjeç aktualisht garojnë për Teutën,  notarët cilësorë si Jurgen Fici, pjesëmarrës në kampionatin botëror që zhvillohet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, apo dhe notarë të tjerë si Mario Sulkja dhe Egzon Braho, që stërviten në Firence të Italisë.

Pra talentet janë por në Shqipëri u mungojnë kushtet për tu stërvitur ashtu siç bëjnë moshatarët e tyre në vende të ndryshme të Europës. Në fakt në garën e fundit elektorale për zgjedhjet vendore, dy kandidatët Vangjush Dako dhe Ferdinand Xhaferraj paraqitën projekte ambicioze për komplekse pishinash, i pari i prezantuar nga Dako me vlerë 3.5 milion euro dhe i dyti i prezantuar nga Ferdinand Xhaferraj me vlerë 5.5 milion euro. Projekti i dytë u shfuqizua automatikisht pas humbjes në garën elektorale të Xhaferrajt, në një kohë që tashmë qytetarët durrsakë presin projektin e kryebashkiakut Dako për tu implementuar. Në fakt tentativat për të ndërtuar pishina në Durrës para viteve ‘90 nuk kanë munguar. Kështu kanë qenë tre projekte të tjera pishinash, njëra prej të cilave parashikohej të ndërtohej në det, atje ku zgjaten pilotat dhe ku tashmë qëndrojnë pulëbardhat. 2 prej projekteve nuk u realizuan asnjëherë (me përjashtim të atij të pishinës aktuale), në një kohë që pishina dimërore mbeti si një gërmadhë që tregonte mungesën e vëmendjes të zyrtarëve që kanë drejtuar këtë qytet, për fatet e sportit të notit në Durrës. Në fakt është fat që nuk ndodhi më e keqja, pasi pas viteve ‘90 babëzia për të ndërtuar në këtë zonë mund të kishte gllabëruar edhe territorin pranë kësaj pishine, ku e rrezikuar ishte dhe pishina ekzistuese që pas vitit 1997 u la në pikë të hallit. Tashmë sytë janë drejtuar nga projekti i Bashkisë së Durrësit, që urojmë të realizohet dhe të mos mbesë i pluhurosur në sirtaret e burokracisë.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori