A po e zeron Rama, PS-në e Durrësit?!

07/05/2019 - 16:35

5 ditë nga afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve për kryebashkiak në 61 bashkitë e vendit, socialistët e Durrësit janë në hava. Askush prej tyre, qoftë drejtuesit më të lartë, anëtarët e thjeshtë apo simpatizantët nuk di të thotë me siguri të plotë se kush do të jetë kandidati/ja e PS-së për bashkinë. Madje po të ishim një vend si Anglia, që vendos bast për çdo gjë, dhe sikur kryeministri të mos i kishte mbyllur bastet në fillim të këtij viti nuk do ishte çudi që të vihej bast për atë që kishte shanset më të mëdha për t’u zgjedhur. Dhe ata më largpamësit apo më fatlumët mund të fitonin ndonjë lek!

10 ditë para afatit përfundimtar u tërhoq kandidatura e emrit që dukej më pranë konfirmimit zyrtar dhe në tregun mediatik nisën të qarkullonin emrat e 4 kandidateve femra, që prapë se prapë një zot e di nëse do të jetë njëra prej tyre emri që pritet të bëhet publik në ditët në vijim.

Që nga fillimi i vitit, propaganda e kryeministrit paralajmëroi turin “Bashkia që duam”, një tur paraelektoral në 61 bashkitë e vendit për të vjelur mendimin e elektoratit për kandidatët dhe njëkohësisht për të vlerësuar punën e bërë nga kryebashkiakët në detyrë dhe nëse ata meritonin edhe një mandat tjetër. U fol për marrjen e mendimit nga baza për kandidaturat që gëzonin më shumë respekt, u fol për sondazhe, u fol për angazhimin e strukturave në përzgjedhjen e kandidatit/es më të denjë etj, etj.

Për hir të së vërtetës të gjitha këto u kryen, të paktën përsa i përket qytetit të Durrësit. Por për çfarë vlejtën do të pyesë secili prej nesh, kur mendimi i çdo socialisti të Durrësit shumëzohet me zero nga kryeministri, i cili me ç’duken gjasat do të jetë ai që do të thotë fjalën e fundit. Puna e një dege të tërë bërë në terren për rreth 2 muaj hidhet poshtë dhe emri serviret i gatshëm në tavolinë.

Emri i drejtorit të Ujësjellësit, Spartak Kovaçi gëzonte mbështetjen e vetë Dakos, që e shihte si pasardhësin e tij. Një kandidat që servirej nga vetë Dako do të shihej fitues nga socialistët, sepse dihet mbështetja e gjerë që kryebashkiaku që drejton Durrësin prej 12 vitesh gëzon mes të tijëve dhe jo vetëm. Por mbështetja e Dakos për Kovaçin nuk shkonte në unison me atë që kishte në mendje Rama për Durrësin; një kandidate femër. Dhe kur kryeministri do diçka, opinioni i bazës socialiste, strukturave apo drejtuesve nuk ka rëndësi, mund të zerohet.

Kushdo mund të thotë që janë punët e brendshme të partisë dhe i di vetë partia më mirë këto gjëra. Por nuk është aspak kështu. Sepse puna që do të bëjë një kryebashkiak/e reflekton menaxhimin e një qyteti për 4 vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për investime, projekte, shërbime që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve durrsakë, jetën e një komuniteti të tërë.

Të servirësh në tavolinë një emër në minutën e fundit, ndërkohë që për program elektoral, për projekte dhe investime në 4 vitet e ardhshme as që bëhet fjalë (megjithëse nuk është çudi që një program do hartohet në ngut e sipër) duket gati-gati sikur po e vendos një qytet të tërë sipër një fushe të minuar. Në rastin më të mirë të mundshëm do të rrezikohet dhe kryebashkiaku i ardhshëm mund të arrijë të administrojë mirë institucionin e bashkisë dhe në rastin më të keq, 4 vite në jetën e një qyteti do të jenë një eksperiment i dështuar.

Zgjedhja e një kryebashkiaku/je nga ana e PS-së duket një mision më i lehtë, me opozitën të vendosur për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Por kryebashkiaku/ja e ardhshme do të jetë i të gjithë durrsakëve; të majtë, të djathtë apo të qendrës qofshin. 

Dikush mund të thotë që disa projekte janë gati, pasi nuk janë mbaruar ende nga administrata aktuale. Por çdo kandidat për kryebashkiak/e duhet të vijë me vizionin e tij/saj për qytetin, e jo ky vizion të jetë zgjatim i atij të paraardhësit. Nevojitet program konkret për 4 vitet e ardhshme, jo një tjetër tepsi pa rivalë e pa opozitë.

Në fushatën zgjedhore parlamentare të 2017-ës, kryeministri Rama i erdhi kryq e tërthor Shqipërisë duke kërkuar vetëm një gjë; votat që ta kishte vetë timonin dhe tepsinë. Dhe i mori, pavarësisht se nuk prezantoi asnjë program për 4 vitet e ardhshme. Nuk është çudi që edhe në këto zgjedhje lokale, që të paktën formalisht duket se do të mbahen në 30 qershor, të kërkohet vota për një tjetër timon e tepsi; këtë herë në rrafshin lokal.

Me opozitën jashtë gare dhe disa kandidatë që ndoshta do të regjistrohen vetëm për t’u bërë “fresk” atyre të PS-së, timoni lokal duket se do të jetë në duart e të përzgjedhurve të kryeministrit.  

Dhe shprehja e vjetër turke “Vetë Ali, e vetë Kadi” mund të rikthehet më aktuale se kurrë!

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Prej gati dy javësh, bashkia e Durrësit ka ndërmarrë një aksion të gjerë pastrimi në të gjithë territorin.

“A duhet t’i besojmë Albin Kurtit”, tash e një kohë kjo është pyetja që më bëhet më së shpeshti prej njerëzve të pavarur politikisht, pre