Podestá-të janë më të fortë sesa një ambasador amerikan

07/05/2013 - 14:13

Nga Mustafa Nano

Ç’do të ndodhë më 23 qershor e më pas? Do të mbahen zgjedhje normale? Do të vlerësohen si normale nga institucionet vëzhguese ndërkombëtare? Do të kontestohen nga pala humbëse (në këtë rast bëhet fjalë për opozitën; nuk pritet që të kontestojë Berisha; edhe kjo do na duhej; do ishte surreale në një kohë që i ka të gjitha në dorë)? Po vetë Berisha deri në ç’pikë është i gatshëm të shkojë? E ka në kokë idenë për t’i fituar zgjedhjet me çdo çmim, apo vetëm e thjesht me një çmim të caktuar? Cili është ky “çmim i caktuar”? Kush e përcakton këtë “çmim të caktuar”, etja e Berishës për pushtet, apo ndonjë mik ndërkombëtar i tij, që mund t’i gjendet pranë?

Po mbetem te ky nënvizim i fundit, pasi është me shumë rëndësi dhe bën vaki që të përcaktojë llojin e procesit zgjedhor që do kemi. Berisha ka harxhuar gjatë tetë viteve të fundit plot energji, kohë e pará për të rekrutuar miq të huaj me peshë. Një pjesë e këtyre të fundit janë lodhur prej Berishës, pasi nuk e kanë parashikuar në momentin e lidhjes së paktit (se ç’pakt është tamam-tamam një dreq e di), se ky i fundit do t’u kërkonte shumë më tepër sesa ata e kishin menduar. Doris Pack ndihet e lodhur. Me sjelljen ndaj KQZ-së, Berisha nuk i la asnjë mundësi për ta marrë në mbrojtje, dhe prandaj, ajo “guxoi” e tha se “këtë herë Berisha e ka gabim”. Eduard Kukan ka kohë që ndihet i lodhur. Austriaku Wolfgang Grossruck, zv.president i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Wilfried Martens, belg, President i Internacionales së Partive Popullore Europiane, janë ende të palodhur, por nuk është se kanë në dorë shumë në një kohë që Berisha mund të ketë planifikuar, për shkak të nevojës që ka, ta bëjë baltë fare. Nëse ndodh kjo e fundit, nëse Berisha pra e bën baltë fare, veç një mik i madh, shumë i madh, mund ta ndihmojë. Dhe dihet që miqtë e mëdhenj për halle të tilla gjenden atje, në vendin e largët, dhe të madh, në SHBA.

E ka Berisha një mik të tillë? Po, e ka. Ky miq quhet Tony Podesta, më saktë Podesta Group, kompania e famshme amerikane e lobimit, me të cilën Kryeministri ynë ka nënshkruar një kontratë bashkëpunimi, ku thuhet se – po e them me fjalët e mia pa ia ndryshuar asnjë çikë thelbin – “Berisha u jep atyre mbi një milion dollarë, dhe ata marrin përsipër të bëjnë çmos për të mbrojtur interesat e qeverisë shqiptare, dhe të kombit shqiptar”. Në rrugë e sipër kjo kontratë ka marrë një formë tjetër: Podesta Group ka marrë përsipër t’i ndodhet pranë Berishës në paudhësitë që ky bën. Publikimi në shtypin tonë të para disa javëve i e-mail-eve që një zyrtar i kësaj kompanie, John Anderson, u dërgonte mediave ndërkombëtare e demonstronte sjelljen e paskrupullt të kësaj kompanie; demonstronte në terma fare konkretë se ata janë të vendosur ta ndihmojnë Berishën. Paratë që kanë marrë nga Berisha (në fakt, janë tout court të taksapaguesve shqiptarë) janë një detyrim për ata.

Për kompaninë “Podesta Group” është folur në shtypin shqiptar. Nuk është thënë gjithçka, megjithatë. Fjala vjen, nuk i është mëshuar sa e si duhet peshës që kjo kompani lobimi ka në SHBA, lidhjeve që ka me qendra vendimmarrëse shumë të rëndësishme, sidozot me Partinë Demokratike, madje dhe me Barack Obama-n, Presidentin e sotëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk është ndonjë gjë e çuditshme. Kompanitë e lobimit bëjnë pjesë në fermentin e demokracisë e të sistemit qeverisës në SHBA. Ndikimi i tyre në jetën politike dhe në vendimmarrje është jashtëzakonisht i madh. Neve të këtej Atlantikut mund të na duket absurde, por ja që amerikanët kanë arsyet e tyre që t’ua njohin legjitimitetin këtyre “agjentëve”, që herë pas here – kjo është e dukshme – e bëjnë pis dhe e korruptojnë procesin e vendimmarrjes atje.

Berisha shpreson shumë te ndihma e Podesta-ve këtë herë. Nuk është se nuk e kanë ndihmuar deri më sot. Përkundrazi, i janë ndodhur në momente shumë të vështira, siç ka qenë ai i 21 janarit, kur ai vrau katër qytetarë në bulevardin e Tiranës, dhe ai zgjedhjeve lokale, kur ai vodhi ditën me diell në mënyrë procedurale postin e kryebashkiakut të Tiranës. Nuk ka prova që vërtetojnë e dokumentojnë ndonjë presion mbi Arvizu-në nga Washingtoni, por janë të gjitha gjasat që një presion i tillë të ketë ndodhur. Arvizu-ja ka dhënë shenja se e di mirë kush është Berisha, përse ai është në politikë, përse ai don të rrijë akoma aty, dhe këto shenja i ka dhënë përpara se të bëheshin zgjedhjet lokale. Ndërsa sot mund të thuhet pa frikë se ai është një njohës i mirë i Berishës, e se ai është zhgënjyer keqas prej tij. Dhe në këtë moment ai ndodhet si në një sandwich; nga njëra anë ka presionin e Washington-it (jo të të gjithë Washington-it, kuptohet; të disa qarqeve atje), dhe nga ana tjetër ka ndërgjegjen e vet, e ndoshta edhe një simpati e empati për këtë vend të vogël, të dobët e të mjerë, në të cilin ai ka ardhur për t’i shërbyer vendit të vet të madh. Nëse në ndonjë rast ka dalë hapur kundër Berishës, siç ishte momenti kur foli kundër vendimit të mazhorancës për të ndërhyrë në KQZ (ka qenë ndërgjegjja e vet, jo DASH-i, që e ka urdhëruar), por në ndonjë rast tjetër ka marrë rolin e amerikanit sehirxhí (janë skrupujt prej diplomati, dhe miqtë e Berishës, që i ushtrojnë presion). Ja, momentalisht të jep përshtypjen se është i dobët, i pafuqishëm, se do donte ta thosh të vetën, por nuk ka lirinë e duhur, se do donte të ndërhynte, por nuk ka asnjë mundësi. Në Washington janë më të fortë se sa ai.

Dobësia e ambasadorit amerikan është e frikshme, është një arsye pse duhet të kemi frikë se zgjedhjet ose do të vidhen, ose do të prishen. Dhe nëse është kështu, ky është një lajm i keq. Shumë i keq. Më i keqi.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/05/07/podesta-te-jane-me-te-forte-ses...

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: