Policia dështon në misionin e saj

23/09/2012 - 00:00

 

Të enjten e kaluar, Ministria e Brendshme, përmes zëdhënësit të saj, njoftoi opinionin publik për tre ndalime të rëndësishme. Nuk bëhej fjalë për elementë të botës së krimit që kishin rënë në duart e efektivëve të rendit, por për ndalimin e një shefi komisariati dhe dy efektivëve të policisë. Këtë herë prangat kishin mbërthyer duart e atyre që duhet të shtrëngojnë hekurat në pulset e kriminelëve.

Shefi i policisë së komisariatit të Korçës, Nikolin Thana, u ndalua i akuzuar për veprën e mitmarrjes, ndërkohë dy efektivët e policisë së Shijakut, që shoqëronin të ndjerin Adem Tahiraj në aksionin e tij të fundit në terren u arrestuan pas një urdhërarresti të lëshuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Tre të ndaluar brenda një dite në rradhët e forcave të rendit nuk është pak, madje duhet të tingëllojë si një këmbanë alarmi, pasi në pranga këtë herë ranë ata që kanë për detyrë të mbrojnë zbatimin e ligjit dhe të sigurojnë jetën e gjithsecilit prej nesh. Kur ligji pikë së pari shkelet prej tyre ç’duhet pritur nga elementët e botës së krimit? Menjëherë pas ngjarjes tragjike të Shijakut, ku mbeti i vrarë një shef komisariati, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nxitoi të dilte në një konferencë për shtyp duke drejtuar gishtin drejt sistemit të drejtësisë, që kishte lënë të lirë një person me një CV të pasur kriminale.

Po në këtë rast mbi kë do ta drejtojë gishtin Burgaj, kur një shef komisariati kapet në flagrancë duke marrë një “dorë paresh” për të mbyllur një çështje? Mbi kë do ta drejtojë gishtin tani Burgaj, kur dy vartës të tij u ndaluan për shpërdorim detyre, pasi nuk ndërhynë për të neutralizuar një njeri me precedentë penalë apo të paktën për ta ndaluar pas kryerjes së krimit, pas vrasjes së shefit të tyre?

U tha në media se një nga efektivët kishte pësuar gjendje të fikti gjatë momentit të vrasjes së komisarit Adem Tahiraj, ndërkohë që efektivi tjetër nuk kishte mundur të reagonte. Nëse do të bëhej fjalë për një dëshmitar që tronditej aq shumë nga vrasja sa të pësonte gjendje të fikti kjo pranohet nga i gjithë opinioni publik, por që një polic të deklarojë se u tremb aq shumë sa humbi ndjenjat kjo është për të vënë duart në kokë. Imagjinoni një vepër penale duke u kryer nën vëzhgimin e një polici dhe pamundësinë e tij për të neutralizuar kriminelin, sepse “këputet” shumë pranë qytetarit që po rrezikon jetën.

Dhe këta janë “të fortët” që duhet të garantojnë rendin dhe qetësinë publike, që duhet të kontrollojnë zbatimin me rigorozitet të ligjit dhe duhet të neutralizojnë elementët pjesë e botës së krimit! Të vjen të ulërasësh sepse kupton sesa i pashpresë ndodhet qytetari përballë një realiteti të tillë, kur policët që bëjnë kapadaiun kur hapin bllokun e gjobave pas një shkelje të kodit rrugor mbyllin një sy, kur krimi konsumohet para syve të tyre.

Në rastin kur makina e gjyqtarit vlonjat Skerdilajd Konomi u hodh në erë në mes të Vlorës dhe ambulanca vononte të mbërrinte, në vendin e ngjarjes pamjet filmike fiksonin një efektiv policie, që megjithëse ndodhej në vendin ku sapo ishte konsumuar një vepër kriminale nuk bënte asgjë (të paktën të reagonte ashtu si shumë qytetarë që tentuan ta nxirrnin Konomin nga makina në flakë). Në rastin e 10 ditëve më parë në Shijak, dy efektivë policie nuk shtinë as në ajër të paktën, ndërsa panë të ekzekutohej para syve të tyre shefi i komisariatit Adem Tahiraj.

Fatkeqësi për secilin prej nesh që konstaton se blutë e rendit dështojnë në parandalimin e krimit dhe mbrojtjen e viktimave, se gjykatat lirojnë kriminelët për të shtuar numrin e të vdekurve që mbajnë mbi shpinë dhe se shteti me të ashtuquajturën forcë që i jep ligji reagon me vonesë, madje vetëm atëherë kur është tepër vonë për fatkeqin/en e rradhës që shton shifrën e statistikave kriminale në vend

Në muajin gusht shtetasi Gentian Nushi vrau ish vjehrrin e tij, Dhimitër Koçi në Fier, megjithëse ky i fundit kishte bërë denoncimin në polici se ndihej i kërcënuar nga ish dhëndri. Çfarë tregojnë këto raste; që policia është e paaftë të reagojë, që trembet të konfrontohet me kriminelët apo që është aq e përgjumur në punën e saj sa vetëm pasi konsumohet një krim nxiton të mbledhë provat e gjetura në vendngjarje dhe të vihet në kërkim të autorit të larguar në drejtim të paditur?

Policia po noton në ujëra të turbullta, krimi po lulëzon si pa të keq, ndërkohë që qytetari po ndërgjegjësohet gjithnjë e më shumë se ata që paguhen për të ruajtur dhe mbrojtur jetën e tij nuk po janë të aftë ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo është fatkeqësi për secilin prej nesh që konstaton se blutë e rendit dështojnë në parandalimin e krimit dhe mbrojtjen e viktimave, se gjykatat lirojnë kriminelët për të shtuar numrin e të vdekurve që mbajnë mbi shpinë dhe se shteti me të ashtuquajturën forcë që i jep ligji reagon me vonesë, madje vetëm atëherë kur është tepër vonë për fatkeqin/en e rradhës që shton shifrën e statistikave kriminale në vend.

Megjithëse policisë mund t’i njihet si meritë rritja e forcës zbuluese dhe goditëse të saj, ndalimi i autorëve të vrasjeve është gjëja më e pakët që ajo mund të bëjë, pasi krimi godet. Në harkun kohor të një jave, përveç dy rasteve që përmenda më sipër policia e shtetit shkarkoi 20 policë (mes të cilëve shefin e grupit të gatshëm) të komisariatit nr.1, pas një qeseje me miell që hodhën dy ish të përndjekur politikë ndaj makinës së kryeministrit.

Po kështu pak ditë më parë në media u njoftua se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kishte urdhëruar largimin nga puna të rreth 300 punonjësve të policisë nga komisariate të ndryshme në vend për shkak të ngeljes në testimet e kryera për kursin bazë policor. Mos vallë policia po bën KATARSIS? Nuk e besoj. Në rastin e parë duket qartë që është një ndëshkim për ata që nuk kishin marrë masat e duhura dhe lejuan të qëllohej makina e nr.1 të qeverisë.

Ndërkohë në rastin e dytë besoj se bëhet fjalë për largimin e atyre që me paaftësinë e tyre tregojnë më së miri gjendjen mjerane në të cilën vegjeton policia e shtetit. Mirë bënë drejtuesit e policisë që firmosën këta urdhëra, po shumë më mirë do të bënin nëse po njësoj do të vepronin ndaj vartësve të tyre që shpeshherë akuzohen në media nga familjarët e viktimave se kanë pasur mundësi të parandalojnë krime të paralajmëruara, por që nuk kanë lëvizur as gishtin më të vogël për të mbrojtur viktimën e rradhës, për të parandaluar vrasjen e një qytetari/je të pafajshëm, që ka gjetur vdekjen si pasojë e mos zbatimit të ligjit nga ata që kanë detyrë primare ruajtjen e jetës.

Para se në polici të punësohen militantët e njërës apo tjetrës forcë politike duhet menduar për të përzgjedhur nga rradhët e Akademisë së Rendit ata efektivë që japin garanci se në të ardhmen nuk do të synojnë uniformën blu për të mbushur xhepat e tyre apo arkën e zbrazur të shtetit me gjoba ndëshkuese, por që kanë veshur një uniformë, sepse synojnë të zbatojnë pa kompromise ligjin.

Kushdo nga ne do të ndihej pak më i sigurt nëse do të mësonim se policia di të godasë hallkat e saj më të dobëta në luftën kundër krimit. Kushdo nga ne do të ndihej pak më i qetë nëse në edicionet e lajmeve do të kishte më pak raste vrasjesh tragjike apo krimesh ordinere për t’u raportuar. Kushdo nga ne do të ndihej pak më mirë nëse drejtuesit e policisë së shtetit do të hartonin plane masash konkrete për të parandaluar dhe ulur këtë valë kriminaliteti që po gjeneron prej kohësh në vendin tonë.

Kushdo nga ne do të ndihej pak më i kënaqur nëse ndonjë kuadër i lartë policie do të hidhte hapin për të dhënë dorëheqjen, ndërkohë që statistikat kokëforte tregojnë se krimi ordiner po merr një përhapje gjithnjë e më të gjerë duke rrezikuar jetën e gjithsecilit prej nesh mu në mes të ditës. Shteti do të ndihej më i fortë, kur të shihte se strukturat e ngritura prej tij për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike do t’i ofronin qytetarit një garanci më shumë për jetën e tij dhe do të merrnin nën mbrojtje viktimat e krimeve të paralajmëruara, por ende jo të parandaluara.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: