Pas ngjarjes mjaft të rëndë në Kavajë, një tjetër krim monstruoz tronditi opinionin publik ditën e sotme. Në Vlorë, një burrë mbyti me duar gruan e tij, nënën e tre fëmijëve dhe më pas tentoi vetëvrasjen. Dy ngjarje të tillë janë shumë brenda një jave, por shoqëria jonë duket si e mpirë ndaj këtyre goditjeve të njëpasnjëshme që po nxjerrin gjithnjë e më në pah se në çfarë kaosi po rrokulliset dita-ditës, familja dhe shoqëria shqiptare.

Një e mitur që shantazhohet dhe abuzohet nga 8 adoleshentë, një grua që megjithëse burri i kishte çarë kokën rreth një vit më parë, e kishte falur dhe sot gjeti vdekjen. Në ditët e para të janarit, dy ngjarje të tjera tronditën opinionin kur një grua dhe motra e saj u vranë nga bashkëshorti në Ballsh, ndërsa një 29-vjeçare shqiptare u masakrua dhe u varros nga babai i saj në Greqi.

Policia regjistron ngjarjen e rradhës, media nis garën për të nxjerrë sa më shumë detaje në dritë (disa herë edhe më shumë se ç’duhet), bëhen emisione televizive ku dënohen ngjarjet, autorët, ngrihet zëri për të treguar amullinë në të cilën po noton shoqëria jonë, autoritetet mjaftohen me ca deklarata bajate, që shpesh shërbejnë për të indinjuar edhe më shumë njerëzit e traumatizuar nga këto ngjarje të rënda që pasojnë njëra-tjetrën. Më pas, ngjarja nis e sfumohet derisa me të nuk merret më askush, sepse ka humbur interesi dhe të gjithë rrinë me sy e veshë duke pritur se çfarë do të ndodhë tjetër. Nganjëherë duket se sa më e rëndë të jetë ngjarja, aq më e mpirë është edhe shoqëria jonë madje duket sikur në atë strukjen brenda familjes, brenda 4 mureve të shtëpisë, do të gjejë shpëtim dhe shpresë, mbrojtje dhe mbështetje.

“Shyqyr që s’na ndodhin neve”,- duket sikur thonë të gjithë, kur i diskutojnë në tryeza kafenesh a në zyra. Disa edhe e thonë me zë, disa vetëm e mendojnë e nuk e shprehin, por askush nuk mund të ndihet plotësisht i sigurt. Kjo minë me sahat, në të cilën është shndërruar shoqëria shqiptare mund t’i plasë kujtdo në derë apo në rrethin familjar dhe shoqëror.

Çdo ditë që po kalon ky vend po duket më i pashpresë, gati-gati po kthehet në mision të pamundur të thuash se po ndërtohet shtet në Shqipëri. Madje e kundërta mund të jetë më e vërtetë. Çdo ditë e më shumë ky vend po zhbëhet, çdo ditë e më shumë shoqëria duket se po humbet forcën e saj reaguese duke mos ngritur në këmbë dhe vënë në lëvizje mekanizmat që do të shërbenin për të rregulluar disnivelin e madh në shpërndarjen e të ardhurave, për të nxjerrë me mijëra familje nga kufijtë e mbijetesës, pasi varfëria po shkatërron dhe po krijon plagë të thella sociale.

Ngjarja e sotme, sado tronditëse në monstruozitetin e saj, nuk do të jetë e fundit. Nëse nesër ndodh një tjetër, ndoshta nuk do të marrë vëmendjen mediatike kaq shumë sa kjo, pasi nesër do të ketë seancë plenare.

Të enjten gjithçka do të jetë e fokusuar tek parlamenti, tek çfarë i tha e si ia ktheu, tek sharjet, ofendimet, akuzat e kundërakuzat e rradhës, që shumëfishohen aq shumë me shpërndarjen në kohë reale dhe xhiron nëpër rrjetet sociale sa në fund të ditës të duket sikur jeton në një teatër gjigand, ku nuk je spektator, po dikush tjetër luan fijet dhe ti je veç një marionetë në duart e të pushtetshmëve që të detyrojnë të dëgjosh vulgaritetin e një salle të tërë me deputetë që duartrokasin e bëjnë tifo me replikat banale të lidërve të tyre.

Nesër vëmendja e shumicës prej nesh do të jetë aty, në atë kazan të madh që quhet Kuvend, ku hidhen e priten nga të gjitha palët pyetje retorike, akuza të forta dhe ofendime të rënda, por që më shumë shërbejnë për të forcuar rradhët mes militantëve e ndjekësve, sesa për të bërë politikë, ligje, apo për të prodhuar modele qeverisëse që do të përmirësonin jetën social-ekonomike të vendit.

Nesër, ai plak i kërrusur që humbi sot vajzën e tij dhe që pati fuqi të thoshte vetëm dy-tre fjalë para një gazetareje që i drejtoi mikrofonin, do jetë edhe më i pafuqishëm. Do fusë në dhe fëmijën e tij…

Nesër, politikanët tanë do jenë edhe më të karikuar për të derdhur me breshëri mbi kundërshtarët akuzat e rradhës që prodhojnë vetëm një spektakël të trishtë për shumëkënd që i punon logjika në këtë vend.

Nesër, secili prej nesh do kthehet në punët e tij të përditshme, në rutinën e zakonshme, ndoshta me më pak shpresë se një ditë më parë…

M.B.