Nga Klodian Tomorri

Një ditë më parë Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve lajmëroi fituesin e tenderit 15 milionë euro për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano. E gjithë procedura u zhvillua e fshehtë, me negocim të drejtëpërdrejtë dhe kontrata e majme ju dha një kompanie të regjistruar vetëm tre muaj më parë. Por ky është vetëm hapi i parë i nje manovre qindra milionë euroshe, në qendër të së cilës qëndron koncesioni i inceneratorit të Tiranës.

Porto Romano është venddepozitimi i vetëm që grumbullon mbetjet urbane të qytetit të Durrësit. Me mbylljen e këtij landfilli, duhet gjetur një vend tjetër për të sistemuar plehrat e qytetit të Durrësit. Dhe me sa duket qeveria e ka gjetur zgjidhjen, ndonëse nuk e ka zyrtarizuar ende atë. Mbetjet e Durrësit do të vijnë në Tiranë, ku do të përpunohen nga koncesioni i inceneratorit. Ky është biznes i madh. Shumë i madh.

Incenratori i Tiranës u dha me koncesion në vitin 2017 tek një kompani e quajtur “Integrated Energy BV SPV”, me qendër në Hollandë. Në bazë të kontratës koncesionare, kompania ka fituar të drejtën e ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës për një afat 30 vjeçar. Në këmbim Bashkia Tiranë paguan 29 euro për çdo tonë mbetje, që depozitohet apo përpunohet nga koncesionari.

Por vendimi për depozitimin e mbetjeve të Durrësit në Tiranë i ndryshon llogarisë. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht qyteti i Durrësit prodhon rreth 150 mijë tonë mbetje në vit. Me tarifën 29 euro për tonë, kjo do të thotë se biznesi i inceneratorit të Tiranës do të përfitojë 4.5 milionë euro të tjera në vit nga plani i qeverisë për të sjellë mbetjet e qytetit bregdetar në Tiranë. Për 30 vitet e koncesionit, kjo manovër do t’I sjellë koncesionarit të inceneratorit të paktën 150 milionë euro, duke mbajtur parasysh dhe rritjen natyrale të sasisë së mbetjeve gjatë viteve në vijim.

Por kjo manovër, përmes të cilës qeveria thuajse dyfishon koncesionin e inceneratorit të Tiranës, ngre një sërë pikëpyetjesh të forta ligjore, por edhe financiare. Koncesioni i inceneratorit të Tiranës është dhënë mbi një plan biznesi që bazohej në sasinë e mbetjeve të gjeneruara nga Tirana. Mbi këtë sasi dhe mbi këtë plan biznes, është përcaktuar tarifa 29 euro për ton, që Bashkia i paguan koncesionarit.

Por dyfishimi i sasisë së mbetjeve e ndryshon totalisht plan biznesin. Rrjedhimisht ky ndryshim duhet të reflektohej në uljen e fortë të tarifës, që qytetarët paguajnë përmes taksave për koncesionarin e inceneratorit. Ashtu siç duhet ta ulte edhe vendimi arbitrar, i cili detyroi me forcë kompanitë e ndërtimit të depozitojnë të gjithë dherat e gërrmuar në landifillin e Sharrës duke paguar tarifë të kripur tek koncesionari.

Deri tani, sa herë që është shfaqur rasti qeveria ka luajtur në favor të inceneratorit. Manovra me mbetjet e Durrësit pritet të jetë loja e radhës, e një koncesioni problematik, që vetëm zgjerohet në kurriz të qytetarëve.