Nga Andrea Stefani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka organizuar një takim me gazetarë për t’u dhënë mediave disa porosi se si duhet të sillen gjatë fushatës zgjedhore. Dhe Nishani ka formuluar edhe një thuajse akuzë që tenton të bëjë përgjegjëse mediat për situatën konfliktuale në vend. Nishani raportohet të ketë thënë se shoqëria shqiptare ka manifestuar sjellje emocionale dhe se media, në raste të caktuara, nuk ka arritur të japë kontributin e saj për të frenuar këto emocione. Nuk është hera e parë që media akuzohet si fajtore deri edhe për konfliktualitetin politik kronik që ekziston në Shqipëri. Por në të gjitha rastet, madje edhe kur bëhen në formë më të “moderuar”, këto akuza nuk mund të mos jenë një sulm kundër lirisë së fjalës dhe të opinionit. Dhe një gjë e tillë është e pafalshme edhe për Presidentin e një regjimi hibrid si Shqipëria.

***

Duke qenë një pushtet më vete, mediat nuk kanë nevojë të marrin këshilla, nga cilido prej politikanëve, se si duhet ta përmbushin misionin e tyre që është mirinformimi i qytetarëve. Madje, në demokraci, ndodh e kundërta. Janë mediat ato që “këshillojnë” shpesh edhe ashpër politikanët. Këshillat apo direktivat për mediat, si këto që sapo dha Nishani, janë një model i trashëguar nga shoqëritë totalitare ku edhe mediat kanë një qëndrim të unifikuar sipas vullnetit të partisë-shtet. Prandaj është nonsens të jepen këshilla nga pushteti qendror për një media pluraliste kur dihet që qëndrimet brenda medias janë të diversifikuara. Aq më pak mund të japë këshilla të tilla një President që është zgjedhur pa konsensusin e opozitës që për më tepër, ka dhënë prova se mbetet një zbatues i vullnetit të kryeministrit autokrat që e ka vendosur në atë post.

***

 “Shoqëria jonë ka manifestuar sjellje emocionale. Ka qenë roli i medias që në raste të caktuara nuk ka arritur të japë kontributin e saj për të frenuar, por në shumicën e rasteve, kam bindjen si qytetar i këtij vendi, të konstatoj edhe rolin e shkëlqyer të medias edhe në frenimin” – raportohet të ketë thënë Nishani. Fraza është kaotike. Ajo që thuhet në gjysmën e parë, hidhet poshtë nga gjysma e dytë e frazës me një stil tipik berishist. Gjithsesi kritika për kontributin e munguar të medias në frenimin e emocioneve mbetet. Gjë që na bën të qartë se Presidenti e percepton median jo si një mjet informimi dhe sqarimi, por si një mjet manipulimi shpirtëror të njerëzve dhe shoqërisë. Ajo, kur është rasti, duhet të frenojë pasionet e këqija. Dikush tjetër mund të kundërshtonte duke thënë se media duhet të nxisë pasionet e mira. Po kush e ndan se cilat janë pasione të mira apo të këqija? Po të pyesje Presidentin Berisha të marsit ‘97 mbi rolin e medias do të të thoshte se gazeta “Koha Jonë” po nxiste pasione të këqija që i çuan njerëzit në rebelim. Kundërshtarët e Berishës të thonë të kundërtën. Dhe po të futesh më thellë në mendimin e shprehur nga Presidenti, do zbulosh se aty nuk ka… mendim. Liria e fjalës dhe e medias nuk bazohet në pëlqimin, por në mospëlqimin e asaj që thuhet e shkruhet. Liria nuk është të lejohet vetëm ajo që të pëlqen por të lejohet edhe ajo që s’të pëlqen.

***

Nuk ka ndodhur kurrë që mediat të jenë shkaku i një konflikti. Kam dëgjuar edhe qytetarë të ankohen për gazetarët dhe analistët. “Na lodhën”- thonë. Por nuk kuptojnë se kjo është lodhje me lirinë e të shprehurit. Një nostalgji e fshehtë, gati e pavetëdijshme, për kohën kur nuk kishte përplasje, debat. Në fakt, lodhja e vërtetë vjen nga gjeneratorët e konfliktit që janë partitë politike dhe më saktë, lidershipet e tyre. Mediat dhe gazetarët, më së shumti, pasqyrojnë konfliktin që gjenerojnë në radhë të parë liderët e politikës. Edhe kur janë të pavarur por edhe kur janë shërbëtorë të politikës. Janë politikanët që keqpërdorin edhe segmente të medias (madje themelojnë televizione e gazeta për këtë qëllim) për të nxitur konfliktet. Por duke kritikuar qoftë edhe këto media, që janë krijesa të politikës dhe në shërbim të saj, nuk arrihet asgjë. Sepse merresh me mjetin dhe jo me atë që e ka krijuar këtë mjet për ta keqpërdorur. Dhe secila nga këto media është e mbrojtur nga e drejta për liri të shprehjes. Tregu mediatik ofron në pluralitet të vërteta dhe rrena dhe janë njerëzit që duhet të dinë të dallojnë dhe të zgjedhin. Dhe prapa tregut mediatik qëndron politika. Në tezgat dhe ekranet e tregut mediatik, njerëzit gjejnë “mallrat’ e politikës. Media nuk mund t’i selektojë ato. Sepse do ishte kundër lirisë së të shprehurit. Prandaj qe e drejtë vërejta e Sokol Ballës, bërë Presidentit Nishani në takim, duke i sugjeruar, në thelb, se merakun për shmangien e dramatizimit të tepruar në zgjedhje, duhet ta adresonte për nga politikanët. Është naivitet të besosh se emancipimi i ndjenjave dhe emocioneve do të vijë duke udhëzuar mediat si të ndikojnë në frenimin e tyre. Frenimi i emocioneve është objektiv i një media totalitare. Synim i mediave të lira është liria e njeriut që nuk mund të shkëputet nga emocionet e tij. Dhe këto emocione bazohen në arsye, sa më shumë njeriu është i mirinformuar nga media, dhe sa më pak i dezinformuar nga politika. Nëse ka ndonjë frikë, Presidenti duhet ta drejtojë kritikën nga politikanë si Berisha që me gjakim për pushtet të përjetshëm, ka 23 vjet që është bërë burimi i konflikteve politike dhe i manipulimeve të paskrupullta mediatike në funksion të tyre. Por që ta bëjë këtë, Presidenti Nishani duhet të çlirohet nga emocionet politike, pikërisht nga ajo që këshillon të tjerët të çlirohen.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/05/24/president-larg-duart-nga-media/