Nga Klejdi Këlliçi

Shumëkush pretendon se partitë duhet t’u nënshtrohen rregullave të shkruara të garës demokratike, ‘një anëtar një votë’, dorëheqje në rast humbjeje e kështu me radhë. Realiteti nuk është i tillë. Partitë nuk janë krijesa demokratike në vetvete, e jo më kot në gjuhën e përditshme dallojmë mes militantit dhe simpatizantit. I pari nuk para vë në diskutim linjën zyrtare të partisë dhe mbush ditën me simbolet partiake, del nëpër mitingje e bëhet copë nëpër fushata, të dytit i mbetet vetëm të komentojë. Janë pikërisht militantët që mbajnë në këmbë në ditë të vështira ngrehinën e partisë, bashkohen dhe i japin forcë liderit, pavarësisht dështimeve apo humbjeve të betejave të përbashkëta. E nëse është logjike që në një sistem demokratik zgjedhjet të jenë periodike e të vazhdueshme, në partitë politike ky akt është relativisht i rrallë. Në këto kushte ‘beteja e brendshme’ për kreun e PD mbetet një ngjarje e rrallë në historinë politike shqiptare.

Akoma e më e rrallë sepse, ndofta për herë të parë në historinë e partive shqiptare, në këto zgjedhje nuk merr pjesë lideri historik apo ‘babai’ i partisë, siç shprehet rëndom shtypi. Për herë të parë debati po bëhet me armë të barabarta dhe me një garë e cila po i përngjet më shumë një fushate të mirëfilltë elektorale si ajo që lamë pas, krejt e ndryshme nga përballja e palavdishme e Ramës me Lakrorin në vitin 2009. Olldashi dhe Basha bile kanë filluar pikërisht fushatën nga dy qarqet që iu lanë ‘nën hyqëm’ në vitin 2009, për të marrë me radhë të gjithë vendin. Megjithë këto premisa të mira, rëndom në shtyp janë hedhur teza mbi natyrën e kontrollit që Berisha akoma mund të ushtrojë në zgjedhjen e kryetarit të ri. Shumëkush di bile se dhe kush, me shumë gjasa mund dhe ‘duhet’ të fitojë garën për kryetar partie duke hamendësuar dhe përcaktuar kështu Bashën si më të mundshmin, përshtatshmin dhe të pranueshmin prej kandidatëve. E megjithatë, gara mbetet një konstante e cila nuk mund të shmanget dhe do të jetë e fortë. E fortë aq sa të përcaktojë fatet e PD në dy apo katër vitet e ardhshme. Ndryshe nga pritshmëritë, më e favorizuar në këtë pjesë është pikërisht pjesa militante, ajo e investuar me ruajtjen dhe mbijetesën e Partisë Demokratike, e përfaqësuar nga personaliteti politik tipik i establishmentit pdist, S. Olldashi. Në zgjedhje të tilla rrallëherë mbijetojnë të ardhurit rishtas, me pak eksperiencë aparati partiak e aq më tepër me një karrierë politike të lehtë e të mundësuar pa ndonjë përpjekje të madhe. Është e vërtetë që PD nëpërmjet KOP-it rifreskoi radhët e veta duke bërë të mundur fitoren e vitit 2005, por është po aq e vërtetë se pakkush nga KOP-i mbijetoi me lehtësi pas 2005 në këtë parti. Shumica u larguan ose u tretën në poste të rëndomta politike pa arritur t’i jepnin drejtimin e duhur PD. Sot kërkohet me ngulm që PD t’u largohet praktikave autokratike të drejtimit, ndërkohë që një nga kandidatët kryesorë për kryesinë e saj është produkti tipik i imponimit politik jashtë strukturave partiake. Në cv e Bashës rëndon si gur fitorja e ngushtë e vitit 2013, por me një faturë elektorale që PD e pagoi në dy fronte: atë të ‘dorëzimit’ në bashkitë e rëndësishme të vendit dhe në përqafimin e fortë dhe ‘vdekjeprurës’ të LSI. Ishte pikërisht ajo fushatë me dritëhije që konsolidoi jo vetëm pushtetin e LSI, por edhe shpengimin me të cilin u tolerua kalimi i votës për efekt të koalicionit, te kjo forcë.

Jo më shumë se në 2009 u kritikua kryetari i PS, Rama për mospasjen mundësi praktike për të udhëhequr partinë brenda Parlamentit, e sot po ky fakt shërben si argument bindës për të treguar se dyzimi i Bashës si dopio kryetar do t’i printe PD në zgjedhjet e ardhshme. Problemet me të cilat do të përballet PD në vitet e ardhshme nuk do të jenë të pakta, nisur pikërisht nga kryetari i ardhshëm i saj. Kryetari duhet të jetë me kohë të plotë e jo të pjesshme, opozitar dhe jo veshur me petkun e kryetarit të bashkisë më të madhe të vendit, e varur kryekëput nga ‘mirëdashja’ apo ‘bllokimi’ i qeverisë në vitet e ardhshme. Premtimet e 2011-ës duhet të materializohen, në të kundërt zgjedhjet e vitit 2015 do të jenë një tjetër surprizë e hidhur për atë çka ka mbetur nga e djathta. Partisë Demokratike i duhet një kryetar i cili duhet të vijë nga aparati i partisë, i investuar prej vitesh, me kapacitet organizimi dhe mbi të gjitha me kohë të plotë, i papërfshirë në probleme që kërkojnë po aq mundim sesa të qenit një kryetar partie. PD duhet të kuptojë se mbi të gjitha duhet të ringrihet si parti mbi bazën e rikuperimit të të zhgënjyerve e jo të shpresojë në inxhinierinë e koalicioneve të panatyrshme, ashtu siç ndodhi në vitin 2009. Olldashi ka gjasat të apelojë pikërisht atë pjesë të Partisë Demokratike e cila u ndje e përjashtuar nga koalicioni i vitit 2009, ndërkohë që Bashës do të duhej të mendonte më shumë për atë çka qytetarët e Tiranës i besuan në 2011.

*Politolog. Pedagog i Shkencave Politike- Universiteti Europian i Tiranës.

/Mapo/