Nga Mila Ballhysa

Të jetosh në Durrës dhe të vazhdosh ta duash qytetin është një mision i vështirë. E kjo jo sepse natyra nuk e ka bekuar, por sepse ky bekim është kthyer në “mallkimin” e tij. Shumë donin të jetonin në Durrës dhe kjo u shoqërua me batërdinë e ndërtimeve. Shumë donin ta shfrytëzonin në maksimum Durrësin e kjo u pasua me gllabërimin e llokmave të qytetit nga më të fortët.

Durrësi i këtij fillim viti 2021 të krijon imazhin e një qyteti ku eksperimentohet pa fund për ta bërë atë sa më të pajetueshëm për banorët e tij. Masakrimi i Durrësit ka nisur që në fillim vitet ’90 dhe ende vazhdon.

Po të kalosh në rrugët kryesore të qendrës së qytetit, mishmashi i punimeve që po realizohen aty të acaron nervat. Beton pa fund, pllaka që vendosen e thyhen ende pa mbaruar rruga, trotuare super të gjera, ndërsa vendparkime aspak. Drejtuesit e automjeteve mallkojnë deri në brez të shtatë kur duan të gjejnë një vendparkim, por të nesërmen e marrin sërish makinën dhe rituali i sharjeve nis nga e para. Edhe kur mbaron një aks, pas një viti shqepet sërish për të marrë para të tjera e për t’i nxirë jetën drejtuesve të mjeteve. Investimet e fundit në rrugët kryesore po realizohen nga FSHZH-ja, por projekti është i bashkisë Durrës. Nuk e di cili ishte vizioni i projektuesve, por ndoshta në momentin e konceptimit të projektit kanë menduar se me zgjerimin pa fund të trotuareve do të tërhiqnin vëmendjen e evropianëve për të ardhur e parë nga afër sesi një qeverisje lokale ia vështirëson përditshmërinë qytetarëve. 

Mirë që tërmeti dëmtoi rëndë një qendër shëndetësore në qendër të Durrësit, se me këtë rast u pastrua trualli me urgjencë për t’i hapur rrugën një parkimi me pagesë. Për qendrën shëndetësore askush nuk thotë gjë se kur do të ndërtohet, por të paktën dikush u tregua i shkathët dhe po ia sheh hajrin parave!!!

Përmbytja e rrugëve dhe lagjeve të qytetit është kthyer fatkeqësisht në rutinë për banorët e qytetit. Prej 20 vitesh, Durrësi qeveriset nga PS, por pavarësisht se kryebashkiakët deklaronin se investimi i radhës në infrastrukturë do të shmangte përmbytjet, këto të fundit kthehen e rikthehen sa herë bie shi i dendur. Madje edhe investimi rreth 2.8 milionë euro i kryer në shëtitoren “Taulantia” u përmbyll brenda pak ditësh me përmbytjen e saj 2 herë, njëherë nga leshterikët e njëherë nga uji. Miliona para publike të hedhura në një vepër që dështon që në muajt e parë pas rikonstruksionit.

“Veliera” e famshme hyn në vitin e katërt të nisjes së punimeve, por finalizimi i saj duket ende larg. Përveç faktit që shtoi edhe më shumë tonelatat e betonit të hedhura në 30 vite mbi gjetjet arkeologjike e historike të qytetit, deri më tani projekti rreth 6 milionë dollarë është jo funksional dhe në kontrast të thellë me të gjithë objektet dhe monumentet e kulturës rreth e qark tij.

Durrësi hyn në vitin e dytë pas tërmetit të nëntorit 2019, por me qindra persona janë ende në çadra. Kryeministri Rama që sot shkoi bëri kumbarin e një fejese në Kurbin, nuk ishte t’i vizitonte këta banorë as kur vendi u përfshi nga përmbytjet, e as në këto ditë të ftohta me temperatura nën zero.

Disa nga shkollat kryesore në Durrës qëndrojnë të mbyllura nga muaji mars 2020, me shpjegimin se kanë pësuar dëmtime nga tërmeti, por akoma nuk janë shembur, ndërsa për rindërtimin nuk dihet ende asgjë.

Në Durrës qeveria flet për ndërtimin e rreth 2000 apartamenteve nga Emiratet e Bashkuara Arabe në zonën e Spitallës, por gjatë vizitës në Dubai nuk kishte asnjë përfaqësues nga bashkia e qytetit bregdetar. Dhe si për ironi të fatit, këtij investimi bujar të arabëve pritet t’u jepet mbrapsht si dhuratë porti më i madh i vendit.

Durrësi është ndër qytetet më të dëmtuara nga tërmeti, por bashkisë ju lanë në dorë të bënte vetëm tenderat për dekorin e festave. Gjithë të tjerat i kontrollon qendra. Kjo e fundit mbushi edhe institucionet kryesore me rilindas të katapultuar në Durrës, deri para disa muajve, kur PS kuptoi se meqë po afronte fushata duheshin vënë ca durrsakë në poste drejtuese, për t’i mbyllur gojën bazës së pakënaqur.

E ndërsa banorët e prekur nga tërmeti nuk dinë ende se kur do të kthehen në shtëpitë e tyre, qytetarët e Durrësit nuk dinë sesi bashkia ka programuar buxhetin dhe ku i ka fokusuar investimet. Sot, kur data shënon 17 janar, në faqen zyrtare të bashkisë vazhdon të jetë i publikuar buxheti i vitit të kaluar. Qytetarët kanë të drejtë të njihen me buxhetin që miratohet në mungesë të plotë të transparencës, pasi që nga nisja e pandemisë vetëm 2-3 mbledhje të Këshillit Bashkiak janë zhvilluar në sallë apo janë transmetuar live në faqen e bashkisë në rrjete sociale. 51 anëtarë të Këshillit Bashkiak (të votuar në 2019-ën nga vetëm rreth 14% e votuesve) votojnë për fondet që prekin rreth 300 mijë banorë të Durrësit.

“Punëmbaruarit” e Durrësit, në pushtetin qendror dhe lokal, vazhdojnë të jenë angazhuar në përmbylljen e projekteve që kanë në plan të zbatojnë në qytetin bregdetar.

Qytetarët e Durrësit nga ana tjetër vazhdojnë të presin projektin që realisht mund të rregullojë sadopak përditshmërinë e tyre dhe t’u thonë “Ju lumshin duart” realizuesve.