Rama u mbyll gojën socialistëve të Durrësit, u plotëson dëshirën…

21/10/2020 - 21:47

Tetori rezultoi një muaj mjaft i mbarë për socialistët durrsakë, pasi kryeministri Rama u kujtua më në fund që në qytetin bregdetar ka burime njerëzore nga PS-ja lokale për të mbajtur poste drejtuese.

Ajo që prej më shumë se një viti ishte kthyer në burimin kryesor të ankesave të socialistëve u zgjidh me një të kërcitur të gishtave. E jo pak, por gjetja e personave të duhur u bë në kohë rekord, saqë brenda një dite u emëruan 3 drejtorë institucionesh (Postë, DRAP Durrës dhe Kadastër). Për hir të së vërtetës, Agjensia Shtetërore e Kadastrës ruajti trendin e këtij viti të parë të funksionimit, drejtori erdhi sërish nga kryeqyteti. Ndërsa në krye të Postës Shqiptare Durrës dhe Drejtorisë Arsimore u vunë dy zonja të nderuara, anëtare të Këshillit Bashkiak.

New entry më e re në post drejtues është Roni Shqiopa, që një ditë më parë u prezantua në krye të AKU Durrës. “Rifreskimi” i drejtuesve, vendosja në post e ish-drejtorëve që prej muajsh përfliteshin për poste të ndryshme por vazhdonin të figuronin të papunë, duket më shumë si një mbyllje goje e socialistëve bregdetarë nga kreu i qeverisë, që muajin e fundit ka udhëzuar të vetët të pyesin bazën për pakënaqësitë dhe të vlerësojnë performancën e titullarëve, por edhe të deputetëve.

Ajo që socialistët durrsakë e thonin me zë të lartë, por disa prej tyre edhe në deklarata për DurrësLajm, ka mundur të depërtojë më në fund në veshin e Ramës, ose më mirë, ai gjykoi se kishte ardhur koha që pakënaqësitë që kishte shkaktuar, t’i korrigjonte po prapë vetë.

Ndërsa caktoi veten si drejtues politik të qarkut dhe koordinator krahun e djathtë të Vangjush Dakos në çdo fushatë zgjedhore, drejtorin e OSHEE Adrian Çela, Rama zgjodhi t’u hedhë një kockë socialistëve durrsakë dhe personave me kontribute në mbledhjen e votave, që kurrë nuk u bënë Rilindas.

A do të vlejë kjo zgjedhje taktike për të mbyllur gojën e të pakënaqurve, kjo mbetet për t’u parë. Por pyetja që shtronte muaj më parë DurrësLajm se mos vallë nuk kishte PS-ja e Durrësit burime njerëzore të mjaftueshme për të drejtuar drejtori lokale dhe rajonale në qytetin bregdetar apo kryeministri nuk i konsideronte të aftë për të drejtuar mori përgjigje nga vetë Rama në tetor.

Burimet aty ishin, thjesht ishin lënë në pritje, kur kryeministri ta gjykonte se kishte ardhur koha që institucionet e Durrësit të drejtoheshin nga socialistë durrsakë dhe jo rilindas të katapultuar për të bërë drejtorllëkun.    

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: