Nga Shezai Rrokaj*

Ka disa ditë që shtypi gëlon me interpretimet e politikanëve për deklaratat e z. Fyle lidhur me propozimin e maxhorancës për referendum, në rast se opozita këmbëngul në mendimin e saj për mosvotimin e dy ligjeve dhe paketës së rregullores parlamentare. Edhe këtë radhë, si përherë, vazhdon tradita e keqe e pluralizmit shqiptar (a monopartitizmit), i cili, ofron dy të vërteta. Një e vërtetë e majtë dhe një e vërtetë e djathtë. E majta opozitare shprehet se z. Fyle i dha një shuplakë Berishës, se Brukseli nuk pranon Berishën, kurse e djathta bën të kundërtën, duke mbështetur referendumin. Politika nuk po i ndahet sindromës e të parit të gotës gjysmë plot a gjysmë bosh. Sa herë që ndërkombëtarët mbajnë qëndrime të ndryshme, në sytë e politikës së PD-së dhe të PS-së shfaqen interpretime, a thua se ajo çka është thënë prej BE-së a prej SHBA-ve përbën dy realitete krejt antagoniste: njëri kësisoj për PS-në dhe tjetri për PD-në.

Po cila është ajo e vërtetë e vetme e z. Fyle, prej së cilës dalkan dy të vërteta: njëra që i shkon për shtat PD-së dhe tjetra PS-së?

Para se ta ftillojmë këtë ide na duhet të themi se propozimi për referendum është një e drejtë kushtetuese, e përcaktuar qartë dhe ku nismëtarët e përdorin në rastet kur mekanizmat parlamentarë nuk rezultojnë të suksesshëm për vullnetin politik të tyre. Vetë z. Fyle u shpreh se forcat politike kanë të drejtën e tyre për të përdorur mjete demokratike të sanksionuara në Kushtetutë. Në fakt, vetë referendumi, si i tillë, prevalon mbi ndarjen politike që funksionon nëpërmjet mandateve të përfaqësimit, sepse ai i drejtohet gjithë popullit, i majtë a i djathtë qoftë ai. Kjo do të thotë se kur mungon konsensusi për votim të cilësuar maxhoranca ka të drejtë të verifikojë nëse kjo mungesë vullneti është vetëm te lidershipi i përfaqësuar apo ka edhe mbështetje të qytetari.

Këtë gjë komisionari i lartë i Brukselit e di fort mirë dhe ai nuk mund të dalë kundër këtij parimi demokratik. E vërteta është se deklarata e tij i drejtohet si PD-së, ashtu edhe PS-së. Në thelb ajo shpreh atë fakt të pamohueshëm se statusi i vendit kandidat nuk mund të merret pa një frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi për çështje prioritare, siç është edhe procesi i marrjes së statusit, se për Brukselin votimi i tri ligjeve duhet të shprehë këtë vullnet bashkëpunimi. Përse i bishtnojnë përgjigjes këto dy parti kur z. Fyle tha qartë si drita e diellit se ato po vënë në plan të parë agjendën vetjake dhe në plan të dytë agjendën e integrimit? Antagonizmi i tyre i skajshëm, i cili po mban peng shumë reforma, është larg aspiratave dhe pritjes së qytetarëve për një politikë më pranë tyre, më pak egoiste e kryeneçe. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë dhe është kundër kësaj politike konfrontuese dhe kësaj retorike folklorike, që i mban shqiptarët larg bashkimit të shpejtë në familjen evropiane. Agjenda e integrimit është prioritare, sepse vetëm në këtë mënyrë do të kryhen reformat e nevojshme, të cilat janë standarde e për të cilat duhen bashkuar të gjitha energjitë e spektrit politik. Ky është edhe sugjerimi dashamirës i mikut të Brukselit. Qytetarët nuk pranojnë këtë politikë folklorike, e cila sajon të vërteta duke shpenzuar energji të panevojshme. Është rasti në zgjedhjet e qershorit që vetë ata ta bëjnë këtë ndarje, në mënyrë që vendi të mos mbetet në sy të botës me një politikë aktorësh si arkitektë të sajimit të problemeve edhe kur ato mund të mënjanohen.

* Kryetar i degës së LSI-së, Tiranë

panorama.com.al/2013/03/08/referendumi-dhe-politika-folklorike-shqiptare/#ixzz2MxP3lZZ3