Regjim pa fund dhe fund pa regjim

17/04/2013 - 10:43

Nga Klejdi Këlliçi*

Shumëkush reagoi keq dhe rëndë ndaj koalicionit PS-LSI. Reaksione që mbi të gjitha vinin nga rrjetet sociale dhe forumet e ndryshme online, ndofta aty ku liria e të shprehurit dhe anonimati janë më të garantuar. Nga ana tjetër lëvizja u justifikua nën flamurin e rigjetjes së ‘dashurisë’  ndëropozitare, bashkimit të së majtës, atij uniteti të trumbetuar fort nga e majta që nga themelimi i PS deri më sot, por mbi të gjitha koalicioni i ri u shit si tentativë për të siguruar rënien e ‘regjimit’. Regjimi që është dhe mbetet një prej mesazheve kryesorë të opozitës, shitur përmes ngjarjeve tipike si ‘Gërdeci’ apo ‘21 janari’. Por, a jemi me të vërtetë në një regjim? Gjasat edhe mund të jenë. Fundja vendet e Europës Lindore o kanë ‘vrarë politikisht’ baballarët shpirtërorë të tranzicionit ose i kanë përcjellë për arsye natyrore në botën tjetër, duke lënë minimalisht pas shpatullave fazën e parë dhe atë më të rëndësishme të tranzicionit, vendosjen e demokracisë në vendet përkatëse. Shqipëria duket se i është përvjedhur këtij rregulli për njëmijë e një arsye dhe 2013-ta nën optikën e opozitës duhet të jetë fundi dhe me shumë gjasa pas fundit duhet të vijë normaliteti; të paktën këtë propozon opozita.

Vështirë që kjo arsye madhore të justifikojë e vetme përpjekjet e opozitës për të ngarkuar në trenin e saj këdo që shpreh qoftë dhe një ankesë banale ndaj ‘regjimit’ të pozitës. Nëse do të ishim në një regjim, atëherë nuk do të ishte aspak i vështirë krijimi dhe ndofta organizimi i një opozite, si partiake, si nga ana e shoqërisë civile. Një opozite e cila do të kishte përjashtuar apriori bashkëpunimin me këdo që kish qenë pjesë e regjimit të vjetër, përfshi këtu LSI apo copëzat e shumta demokristiane. Që një pjese të popullsisë, mënyra sesi drejtohet vendi t’i duket regjim apo autoritare, kjo është normale në një demokraci, por natyrisht nuk justifikon në asnjë mënyrë grushtin e shtetit apo çdo lloj forme përballjeje të dhunshme. Kjo sepse të paktën loja e zgjedhjeve përmban të dy variantet: mundësinë e humbjes dhe fitores për opozitën dhe anasjelltas. Duket se të paktën opozita  përpiqet ta shmangë mundësinë e parë nëpërmjet zgjerimit maksimal të koalicionit për të rritur marzhin e fitores dhe ndofta për të evituar manipulimin e zgjedhjeve. Por loja e zgjedhjeve parashikon edhe humbjen dhe si e tillë ajo mund dhe duhet të pranohet nga kushdo. Nëse kërkohet me ngulm rotacioni, atëherë duhet të pranohet dhe hipoteza e mandatit të tretë të së djathtës. A ka arsye që e djathta të marrë një mandat të tretë? Ndoshta jo, po ashtu siç nuk kishte ndoshta arsye që bashki si Vlora apo Fieri të qeverisen për herë të tretë apo të katërt jo vetëm nga të njëjtat forca politike, por nga të njëjtët njerëz.

Mund të duket si herezi, por faktet janë fakte, sado që Berisha anatemohet si e keqja më e madhe e këtij vendi, votohet dhe votohet mjaftueshëm aq sa për të hegjemonizuar sot të djathtën në Shqipëri. E ndoshta Ramës do t’i duhet, për të siguruar fitoren finale, t’i bashkëngjisë koalicionit për Rilindjen vetë ‘Berishën’. Për të mundur i sigurt Berishën.

*Politolog. Pedagog në UET.

http://www.mapo.al/2013/04/16/regjim-pa-fund-dhe-fund-pa-regjim/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori