Nga Besart Kadia

Në filozofi relativizmi ka qenë armiku kryesor i papatit. Teoria e relativizmit në etikë shpjegon se çfarë nuk është morali, sesa detyrimisht çfarë është ai. Në këtë këndvështrim teoria e relativizmit godet hegjemoninë e të menduarit mijëravjeçar se ka moral absolut, ose primordial, që duhet të synojmë të arrijmë. Për këtë arsye, çfarë është e moralshme dhe e pamoralshme ndryshon në varësi të shoqërisë ku ajo aplikohet. Nuk mund të kemi një vlerë të moralit të aplikuar botërisht.

Relativizmi i moralit është hedhur si artikulim nga politikanët në Shqipëri dhe deri diku e pranuar nga qytetarët tanë për të justifikuar aleancat e fundit partiake. Në këtë mënyrë, në rast se politikanët do të mbanin mëri për aleancat e vjetra, atëherë politika do të shndërrohej nga arti i të mundurës në artin e të pamundurës. Partitë politike duhet të krijojnë të gjitha manovrat dhe përllogaritjet e mundshme për të arritur qëllimin e tyre parësor, pushtetin. Në këtë këndvështrim kjo padyshim që është botërisht, dhe jo relativisht, e moralshme. Duke qene se aleancat janë të përkohshme, ne duhet të jemi të gatshëm t’i pranojmë si një ndër rregullat e pashkruara të politikës, siç dhe aleanca sot mes Francës dhe Gjermanisë lehtësisht tregon.

Thënë kjo, pyetja shtrohet se çfarë nuk shkon në sistemin shqiptar të aleancave? Kryesorja ka të bëjë me motivin e shfaqur publikisht se përse një palë e meriton pushtetin në krahasim me tjetrën. Kështu për një kohë të gjatë fjalori politik është bazuar në: ne të moralshmit, dhe ata të pamoralshmit; e kjo është e vërtetë pavarësisht se cilës anë partiake i përket. Por kontradikta qëndron në pranimin se morali është relativ dhe kryetari i partisë politike nuk mundet të pengohet në objektivin e tij për pushtet prej moralit që aplikon shoqëria. Në të njëjtën kohë kërkon të vijë në pushtet, sepse është me më shumë moral se kundërshtari. Në këtë mënyrë kjo praktikë e të bërit politikë synon të shfrytëzojë pikërisht asetin e shoqërisë, materien që na bën një, që pengon konfliktin: moralin. Pra, logjika na bën të konkludojmë se në Shqipëri politikanët nuk kanë moral, por vetëm e shfrytëzojnë atë.

Në rast se e pranojmë këtë argument, ne kemi një aplikim relativ të moralit në Shqipëri, duke sjellë pasoja të mëdha për sistemin e vlerave morale të shoqërisë. Ashtu si morali mes qytetarëve dhe politikanëve është relativ, në këtë argument dhe morali mes politikanëve vendës dhe atyre të huaj është relativ. Në rast se ne pranojmë se në Shqipëri politikanët janë të korruptuar, kjo normë e politikëbërjes bën që politikani të mos e shohë si të pa moralshme mitmarrjen, ndryshe, themi, nga një politikan amerikan. Dhe pikërisht këtu është shqetësimi kryesor për aplikimin relativ të moralit. Pranimi se morali është relativ nuk na jep asnjë shpresë për përmirësimin e të ardhmes në vend. Në rast se brezi i ri që synon të aktivizohet në politikë mendon se po veshi petkun e politikanit morali i tij është dhe duhet të jetë i ndryshëm nga ai çfarë ishte më parë, atëherë ai duhet të pranojë se korrupsioni nuk është diçka e keqe dhe nuk duhet luftuar. Gjithashtu politika jonë thotë se e vërteta duhet parë si një nocion tranzitor, që nuk është dhe s’ka qenë ndonjëherë qëllim real i politikëbërjes. Kështu që dhe premtimet së bashku me akuzat nuk mund të shihen si me vlerë jetike për politikanin shqiptar.

Si rrjedhojë, ne përballemi me rrezikun e konformizmit! Kjo e fundit na detyron të pranojmë dhe atë çfarë mendojmë se është moralisht e gabuar. Për këtë arsye testi i madh i zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri do të tregojë nëse qytetarët shqiptarë do të pranojnë moralin relativ në qeverisje apo do të japin një shenjë për unifikim apo konsensus të vlerave shoqërore dhe klasës politike. Aleanca është e moralshme, si në politikë ashtu dhe në jetën e përditshme; ndërsa gënjeshtra dhe kompromisi me të për hir të pushtetit, jo. Dhe kjo nuk është diçka relative.

http://www.mapo.al/2013/04/19/rreziku-i-konformizmit-dhe-morali-politik/