Shëndetësia dhe revolucioni numerik

15/04/2013 - 15:54

Nga Pajtim Lutaj

Zhvillimi tekniko-shkencor që po jetojmë në këtë fillim shekulli dhe në veçanti revolucioni NUMERIK, janë bërë pararendëse e perspektivës të së ardhmes së njerëzimit. Shoqëritë zhvillohen, njerëzimi kulturohet dhe ky kultivim i jep përparësi JETËS dhe në veçanti shëndetit si gjëja më e vlefshme për njeriun. Kulturimi i konsumatorit kultivon pavarësinë personale të individit në të gjitha fushat, por edhe në mjekësi. Tendenca e mjekësisë së ardhshme është vetëkontrolli dhe vetëmenaxhimi i shëndetit. Teknikisht është arritur dhe individualisht është kuptuar, por realizimi dhe implementimi varet nga edukimi i shoqërisë, infrastruktura e krijuar, largpamësia e qeverive dhe institucioneve politikëbërëse për të ndërtuar politika të realizueshme në praktikën e përditshme dhe aftësia për të aplikuar me sukses këto programe, skema apo sisteme. Sigurisht, me kosto shumë më të vogël dhe efikasitet shumë më të madh se sistemet ekzistuese.

Aparatet numerike të kohës dhe këtu kam parasysh Smart Phone-in (telefonin kompjuter), të pajisur me aparat fotografik, me mikrofon, me kamera, me bibliotekë, me muzikë, me kalendar dhe makinë llogaritëse, me fjalor dhe harta udhërrëfyese… etj, etj; përbëjnë një koncentrat të teknologjisë moderne. Sot në botë numërohen mbi 6.5 miliardë telefona celularë dhe, nga këta, 1.2 miliardë janë smartphone-e. Këto shifra mendohet se do të dyfishohen në 2015-n. I pajisur me aplikacione të ndryshme, smartphone-i shërben si telefon, si navigator, si llambë ndriçimi, si stetoskop, si lupë, si mikroskop etj… dhe, kur është i lidhur me rrjetin, bën të mundur navigimin në internet, dërgon e-mail, SMS, fotografi dhe video. Smartphone-i, si bërthama e telekomunikimit modern, i pajisur me programe mjekësore, do të luajë një rol të rëndësishëm në mjekësinë e nesërme, duke bërë të mundur kontrollin e parametrave shëndetësorë të trupit të njeriut. Ky aparat numerik përbën sot shpikjen më të madhe pas futjes në familje të termometrit për matjen e temperaturës në vitet 1800, sepse i krijon mundësi përdoruesit të bëhet një menaxhues ideal i shëndetit  të tij.

Mundësia e këtyre aparateve për t’u lidhur nëpërmjet internetit me objekte të tjera, me ose pa fill, transmetimi i të dhënave dhe imazheve në kohë reale, depozitimi dhe shpërndarja e këtyre të dhënave me anë të valëve në sistemin «cloud computing», që konceptohet si re kompjuterike me kapacitet të jashtëzakonshëm ruajtjeje dhe shpërndarjeje të të dhënave, kanë motivuar prodhimin dhe tregtimin e tyre për publikun. Këto të dhëna përbëjnë dosjen mjekësore të çdo individi dhe mund të shfrytëzohen nga mjekët në kohë reale e në çdo vend që ndodhen apo nga individët për vetëdiagnostikim dhe vetëmjekim. Kompani në SHBA, Europë dhe Izrael janë bërë promotore të kësaj teknologjie, ku shumica është e destinuar fillimisht për komunitetin e mjekëve dhe, pas marrjes së lejes nga FDA dhe CE, janë hedhur në treg për publikun e gjerë.

Smartphone-i përdoret nga profesionistët e shëndetit për regjistrimin, transmetimin dhe depozitimin e këtyre të dhënave në renë kompjuterike. Kështu p.sh.: Oftalmologu me smartphone-in e tij, të lidhur me aparatin e biomikroskopit me anë të një adaptori optik, mund të marrë foto me rezolucion të lartë apo video të syrit për t’i analizuar më mirë, për t’i konsultuar në distancë në kohë reale dhe për t’i ruajtur në kartelën elektronike të pacientit. Sot është bërë realitet depistimi dhe klasifikimi i retinopatisë diabetike me anë të fotografisë së fundit të syrit. Dermatologu mund të zmadhojë 20 herë një lezion në lëkurë. Për pneumologun, smartphone-i i pajisur me një aplikacion që analizon tingujt e dalë nga frymëmarrja kthehet në spirometër dhe vlerëson funksionin respirator. Për diabetologun, smartphone-glukometër është e ardhmja e matjes së glicemisë, sepse realizon edhe dozimin e insulinës që duhet të bëjë pacienti. Për otorino-laringologun smartphon-i mund të transformohet në otoskop. Instalimi i një gypi të vogël në aparatin fotografik të telefonit celular mund të realizojë foto të timpanit të veshit. Ky aparat është pranuar nga FDA në USA dhe  lejohet të përdoret nga prindi, i cili këto foto ia dërgon mjekut ORL apo pediatrit, të cilët bëjnë të mundur vendosjen e diagnozës së otitit në distancë, duke zvogëluar kështu numrin e konsultave.

Kompania AliveCor në Kaliforni ka prodhuar një aparat, i cili bën ta shohësh EKG (ElectroKardioGrama) në telefonin tuaj ngarkuar me aplikacionin përkatës dhe i futur në një kuti, e cila ka në pjesën e pasme dy elektroda të sheshta. Mjafton që pacienti të mbajë iPhone-in horizontalisht dhe të vendosë dy gishtat në secilën elektrodë, EKG-ja dhe frekuenca e pulsit afishohen në ekranin e telefonit. Regjistrimi i EKG zgjat nga 1 deri në 5 minuta dhe të dhënat transmetohen në rrjetin internet, ku mund të rikuperohen lehtësisht në çdo kohë. Ky kombinim është pranuar të përdoret nga personeli mjekësor në vitin 2012 dhe përdoret në kabinete mjekësore për të depistuar në kohë turbullimet e ritmit te zemrës.

Një sistem ekografie xhepi është prodhuar nga shoqëria “General Electric Healthcare”. Ai quhet Vscan dhe do të zëvendësojë stetoskopin tradicional të mjekut. Vscan përbëhet nga një sondë, që me anë të një kablloje lidhet me smartphone-in, në ekranin e të cilit mjeku analizon imazhin ekografik të zemrës, syrit, barkut apo organeve të tjera. Ky ekograf portativ në miniaturë përmban gjithashtu një doppler me ngjyra që ekzaminon fluksin e gjakut në kohë reale. Çmimet e këtyre aparateve variojne nga 5 deri 10 herë më të ulëta se një EKO Doppler.  MobiSante (Washington) ka prodhuar të njëjtin sistem, ekografin pa fill, që e bën më praktik përdorimin e tij në vendet e pazhvilluara, sidomos në zonat rurale.

Në gusht 2012, shoqëria Sotera Wireless, në Kaliforni, ka marrë aprovimin e FDA-së për sistemin ViSi Mobile, që merr të dhëna nga elektrodat e vendosura në kraharor apo gisht dhe ia transmeton një ekrani të vogël, i vendosur në kyçin e dorës së pacientit. Këto të dhëna transmetohen në kohë reale dhe të vazhdueshme në iPad-in apo iPhone-in e mjekut. Kështu që pacienti, i cili mund të jetë në shtëpi apo në spital, mund të ndiqet nga mjeku i kudondodhur sikur të ishte i shtruar në reanimacion.

Ne korrik 2012 , Izraeli prezantoi LifeWatch, smartphone-i i parë mjekësor për publikun. Mjafton të vendosësh gishtat mbi dy sensorë, që në ekranin e smartphone-it të afishohen: EKG, pulsi, frymëmarrja dhe përqendrimi i oksigjenit në gjak. LifeWatch analizon ndryshimet e frekuencës së zemrës dhe përçueshmërinë elektrike të lëkurës, duke bërë të mundur matjen e masës dhjamore dhe stresin fiziologjik. Ky bën gjithashtu matjen e glicemisë pa qenë nevoja të lidhet me glukometrin, por në pjesën e sipërme të tij futet një bandeletë njëpërdorimëshe. Në pjesën e pasme të tij ka një sensor, që mat temperaturën e trupit. LifeWatch përmban aplikacionin e kontrollit të ushqyerjes, kujtesës për marrjen e medikamenteve dhe regjistron aktivitetin fizik të përdoruesit. Të gjitha të dhënat transmetohen në renë kompjuterike të shoqërisë ku, pasi analizohen nga programe të veçanta, lajmërojnë përdoruesin nëse ka patologji. Ky smartphone u këshillohet atyre konsumatorëve që duan të marrin në dorë shëndetin e tyre, por në mënyrë të veçantë pacientëve me sëmundje kronike, si hipertensioni dhe diabeti.

Laboratori Ames i NASA-s në Kaliforni ka prodhuar një sistem, ku aparati sa një kuti e vogël lidhet me smartphone-in me anë të Bluetooth. Mjafton që kjo kuti të vendoset në pjesën temporale të kokës dhe i transmeton smartphon-it shumë parametra vitalë të trupit, ndërsa një sistem tjetër e transformon smartphone-in në lexues të analizave të gjakut apo urinës. Për këtë përdoren bandeleta njëpërdorimëshe që diagnostikojnë komplikacionet e barrës, si: priklamsinë, diabetin dhe infeksionet urinare.

Ne Europë, dy shoqëri kanë hedhur në treg aparatin e matjes së tensionit të gjakut pa fill. Withings dhe iHealth kanë prodhuar aparate mjekësore mobile që matin parametrat fiziologjikë të trupit, i regjistrojnë ato në smartphone-e dhe i shpërndajnë te mjeku ose i stokojnë në re kompjuterike të sigurta. Sistemi i autokontrollit të tensionit arterial është i konceptuar për iPod, iPad dhe iPhone. Mjafton t’i vendosësh këto në suportin e lidhur me manshetën për të realizuar matjen dhe regjistrimin e parametrave fiziologjikë të trupit. Ky aplikacion i thjeshtë për t’u përdorur bën që çdo person të ketë një sy te parametrat vitalë të trupit në mënyrë permanente, të shohë ndryshimet e tyre dhe arsyen përse ato kanë ndodhur duke bërë analizën statistikore, paraqitjen grafike interaktive, deri vlerësimin e të dhënave sipas protokolleve të OMS-it.

Fusha më e rëndësishme që po tentohet të numerizohet, është diagnostika

Smartphone-i mund të praktikohet edhe në diagnostikë, duke u përdorur si mikroskop në laborator me qëllim diagnostikimin e sëmundjeve virale, TBC, anemisë etj; por ai mund të kryej edhe rolin e një «laboratori në miniaturë» apo «laborator në mikroprocesor», i cili me anë të një lexuesi optik është i aftë të përcaktojë markues të ndryshëm në një pikë gjaku, urine apo pështyme. I ngarkuar me një aplikacion të veçantë, smartphone-i mund të afishojë në ekranin e tij edhe analizat gjenetike që përcakton funksionimin e një organi, organizmi, të një tip kanceri etj… në shkallë gjenomike e jo më e limituar në një gjen të vetëm. Kjo analizë që mund të kryhet për 30 minuta, bën të mundur që sot të depistohen efektet e padëshirueshme të një medikamenti apo parasheh efektet e pritshme të një mjekimi të sapofilluar.

Smartphone-i apo iPad-i i lidhur me një mikroelektrodë të implantuar nën lëkurën e pacientit bën të mundur të kontrollohet përthithja nga qeliza e medikamentit kundër osteoporozës, duke përmirësuar koncentrimin e mineraleve në kockat e pacientëve.

Një ekip amerikan i drejtuar nga prof. E Topol ka zhvilluar sistemin e mikroskopisë qelizore, që dallon qelizat e shkëputura nga muret e vazave gjatë shpërbërjes së pllakave ateromatoze, të cilat janë shkak i infarktit të miokardit. Nëpërmjet një biosensori, që dallon qelizat anormale në qarkullimin e gjakut,  dërgohet në smartphone, alarm i cili sinjalizon mundësinë e infarktit para se pacienti të ndiejë shenjat e para të sëmundjes.

Si përfundim, «numerizimi i qenies njerëzore» do të bëjë të kemi një shërbim shëndetësor më të mirë dhe kryesisht do të personalizojë parandalimin, duke ndryshuar komplet sjelljen e personave… përse jo dhe të mjekëve. Ky evolucion duket se nuk është i largët dhe do të realizohet më shumë nga presioni i konsumatorëve sesa nga iniciativa e personelit shëndetësor, i cili nga natyra është konservator, sepse ky sistem ndryshon rrënjësisht praktikën mjekësore duke i hequr mjekut «fuqinë magjike» që i jep profesioni.

*Oftalmolog, Profesor i Universitetit të Tiranës

http://www.panorama.com.al/2013/04/15/shendetesia-dhe-revolucioni-numerik/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori