Shihemi n’ kafe!

14/04/2013 - 14:08

Nga Blerina Rogova - Gaxha

Në kronikat e kohës flitet se si politika shqiptare e viteve 90-të, është bërë në dy ose tri kafe të Tiranës, dhe se as sot e kësaj dite nuk është harruar kafe “Fideli” te Parku Rinia, aty ku është zier politika shqiptare.

Në vitin e shkuar, ngjarja më e pazakontë politike e mediale, ishte një takim i dy liderëve të së majtës në Shqipëri, dhe dilema se kush prej tyre e “hëngri ngjalën”! Edhe në Prishtinë, në vitet 90-të apo më vonë, kanë qenë disa vende si “biçim” kafesh, ku është zier politika e ku është hartuar rezistenca. Mbahen mend “Ora”e famshme, ose “Dora”, “Kurrizi” e “Qafa”.

Sindroma e debateve dhe i politikës së kafehaneve, ka vazhduar edhe vite më vonë dhe çuditërisht vendime të rëndësishme janë marrë në kafehane, në klube e në bare. Nuk kanë kaluar shume vite qyshkur “Zanzibari” ishte bërë kryefjala e politikës së Prishtinës, ku natën dhe me raki përpara binin presidentët, prisheshin koalicionet e lidheshin të rejat. Kjo qe kultura politike shqiptare ndër vite. Mysafirët dhe “rakixhinjtë” e këtyre kafeneve janë shndërruar në politikanë, opinionistë, disidentë dhe në personalitete të historisë politike.

Disa popuj të tjerë, me tradita shumë më të gjata të kafeneve, të bareve e të pabeve, politikat i kanë hartuar në vende të tjera. Fqinjët ballkanikë, serbët ose kroatët, maqedonasit ose boshnjakët, mbase qenë disa shkallë më lart dhe elaboratet politike i kanë sajuar në “Francuska 7”, ose në “Treshnjevka” , ose në Hilandar… ndoshta për këtë në raport me shqiptarët, gjithmonë qenë më të avancuar dhe politikisht më dredharakë.

Me gjasë është në gjenin tonë që punët e mëdha t’i bëjmë kafeve e haneve dhe që kryefjalën ta kemi “kafe llafe”.

Çuditërisht kryetitujt e lajmeve të ditës në skenën e politikës në Kosovë, ndodh që edhe sot nuk vijnë nga selia e Qeverisë, e Parlamentit ose e Presidentes, por pikërisht nga kafet dhe nga takimet që pretendohet të mbahen sekrete. Filani është takuar me filanin e me gjasë është arritur marrëveshja për filan çështjen, për filan njeriun, për filan koalicionin e përtej kësaj, edhe për fatet e njerëzve në ose jashtë institucioneve.

Mbretërit dikur janë bërë “tebdil” dhe kanë dalë në çarshi, për të parë se çka po flet mileti për ta, sepse oborrtarët e tyre shpesh i kanë gënjyer. Ndoshta është joracionale, por edhe sot nga shumica e politikanëve në Prishtinë ose në Tiranë, pyetja më e shpeshtë që bëhet është “çka po flet çarshia”ose “çka po thonë banditët”?

Ka kohë që në kryeqytetin e Kosovës, po ashtu janë krijuar disa hane ku takohen “burrat e kafesë” që flasin gjërë e gjatë, ku vendimet i marrin edhe për ne. Janë dhjetëra opinionistë, gazetarë e politikanë që shihen ditë për ditë në kafenetë e preferuara, dikur Grandi, më vonë “Times Bar” ose “Rings”, “Te Komiteti” apo kafet e vogla, të cilët e kthejnë dynjanë përmbys dhe ku krejt politikën, të Kosovës e të rajonit, të kontinentit apo të globit, e bëjnë “ezber”!

Në kulturën e komunikimit ndër shqiptarë nuk ka tema tabu dhe asgjë që nuk shtjellohet, sepse gjithnjë ka një rrugëzgjidhje në kafet e çarshisë. Opinione të formësuara, të paanshme e të balancuara, të nxjerra në shesh, në kafe e për diell. Por debati degjeneron kur pritet të dalë atje ku duhet, në foltoret e Kuvendit, të partive apo në media. Burrat e “rakisë” apo zonjat e “çarshisë”, i ndërrojnë llafet sapo t’iu jepet mundësia të flasin atje ku duhet e atje ku gjërat thuhen.

Mund të jetë që njerëzit janë të ndryshueshëm ose hipokritë, apo është në traditën tonë që të bëjmë zhurmë atje ku llafet i merr era, apo ne ende nuk jemi mësuar se fjala ka peshë aty ku ajo shndërrohet në “formulë” institucionale.

Pika më e ndjeshme bëhet të jetë fuqia e fjalës, ose besueshmëria e saj. Ata që e kanë fuqinë të krijojnë opinion, duket se janë vetja e tyre, vetëm në kafe e në çarshi. Së fundi edhe në rrjetet sociale, që dikush i kishte quajtur, me ose pa të drejtë, “nevojtore publike”.

http://www.zeri.info/artikulli/3812/shihemi-nkafe

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori