Shqipëria, vendi më filo-BE i Europës

06/04/2012 - 00:00

Kongresi i Berlinit
<h4>Kongresi i Berlinit</h4>

 

Duket se, si zakonisht, Shqipëria dëshiron të dallohet nga vendet e tjera europiane. Deri disa vite më parë, ideali i krijimit të një Europe të bashkuar u ndje dhe u përkrah thellësisht nga të gjithë popujt europianë, ndërsa shqiptarët e quanin Europën “kurva e vjetër” dhe, mbas më shumë se një shekull, akoma nuk ia falin rezolutat e Kongresit të Berlinit. Nga ana tjetër, sot kur kombet europiane janë gjithmonë e më shumë kritike ndaj hegjemonisë së Brukselit, sot kur lëvizjet politike dhe intelektuale anti-BE po shtohen në mënyrë mbresëlënëse, Shqipëria duket verbërisht e përkulur ndaj dogmës europeiste.

Të drejtat e njeriut, reforma zgjedhore, reforma parlamentare, lufta kundër korrupsionit, zgjedhja e presidentit të Republikës, hetimet mbi ngjarjet e 21 janarit 2011: institucionet e Brukselit ndërhyjnë përditë mbi çdo aspekt të jetës politike (por edhe sociale) të Shqipërisë, duke ushtruar presione dhe duke imponuar zgjidhje që bota politike shqiptare i pranon me bindje pasive.

Jo vetëm që Shqipëria është i vetmi vend europian i cili nuk vë kurrë në dyshim asnjë direktivë apo ndërhyrje nga ana e BE-së, por është gjithashtu i vetmi komb në të cilin skena politike është totalisht e mangët nga parti euroskeptike. Madje, panorama parlamentare shqiptare ka një parti që quhet Lëvizja Socialiste për Integrim (europian); qeveria përmban një Ministri të posaçme për Integrim; dhe deri edhe partia nacionaliste e re Aleanca KuqeZi vë theksin në programin e saj se Shqipëria dhe Kosova do të jetojnë të lumtura (dhe të ndara) nën ombrellën e Bashkimit Europian. Këto fakte, dhe sidomos oksimoron paradoksal i një partie që prezantohet si “nacionaliste” dhe “europeiste” njëkohësisht, tregojnë rolin bazë që mban hyrja në BE për politikën shqiptare, rol i cili ka zëvendësuar gradualisht filoamerikanizmin apasionant të viteve Nëntëdhjetë me dashurinë e tanishme për Brukselin.

Kështu, në Shqipëri çdo parti politike përpiqet të duket më europeiste se të tjerat dhe akuza kryesore mes mazhorancës dhe opozitës është “pengesa e anëtarësimit në BE”, sikur besnikëria ndaj “fesë europiane” të re të ishte parametri kryesor me të cilin matet veprimi politik i forcave parlamentare. Nga ana e saj, popullsia nuk është e informuar për pasojat reale social-financiare të integrimit europian, por vlerëson vetëm pasojën pozitive për interesat e veta personale: liria absolute e lëvizjes – dhe pra e emigracionit – për qytetarët, sot e kufizuar nga vizat për 90 ditë.

Pra, Shqipëria e Mijëvjeçarit të Tretë është një vend ku emigracioni është akoma i konsideruar një opsion themelor për të mbijetuar apo për të kërkuar një të ardhme më të mirë, edhe pse të gjithë do të duhej ta dinin se Europa perëndimore e sotme ofron gjithnjë e më pak punë, pak e më pak pensione dhe më pak rrjete mbrojtje sociale.

Por, ndërsa shqiptarët presin të hyjnë në “familjen e madhe europiane”, mes anëtarëve të BE rritet nervozizmi. Në Itali, ku organizohen konferenca të shpeshta anti-BE, njerëzit janë të inatosur për reformat mbi largimet nga puna, mbi pensionet dhe mbi liberalizime të ndërmarra nga qeveria teknike. Në Greqi, sondazhet japin si fituese në zgjedhje partinë Nea Demokracia, lideri i së cilës Antonis Samaras ka shprehur një opozitë të fortë kundër shkurtimeve në sektorin publik, tek pagat dhe tek pensionet, të imponuara nga BE dhe FMN.

Në Gjermani dhe në Francë, antieuropeizmi shfaqet si pakënaqësi ndaj imigracionit nga Bota e Tretë dhe nga vendet islamike, efekt i ideologjisë globaliste të promovuar nga Bruksel. Edhe pse duke mos mundur të dëbojë imigrantët turq e arabë, Angela Merkel ka pranuar se “Europa multikulturore ka dështuar”: një sondazh i fundit shpall se 60% e gjermanëve kërkojnë të kufizojnë lirinë fetare të muslimanëve dhe 10% do të donte “një Führer” me dorë të fortë. Nga ana e tij, i frikësuar nga forcimi i partive të së djathtës ekstreme, presidenti francez Nicolas Sarkozy ka krijuar Ministrinë e Imigracionit dhe të Identitetit kombëtar, duke pranuar lidhjen midis fenomenit të imigracionit dhe krizës së identitetit kombëtar.

Në Kroaci, vend që është gati të hyjë pa dëshirë në BE, muajin e shkuar një aktiviste e re e lëvizjes “Unë dashuroj Kroacinë – Jo BE-n” ka hequr nga Bashkia e Split-it flamurin e BE-së dhe e ka zëvendësuar me atë kroat, duke deklaruar se kërkon të mbrojë simbolin për të cilin kanë vdekur shumë kroatë. Kur do të shohim një vajzë shqiptare të kryejë të njëjtin gjest?

Europa dhe Shqipëria, marrëdhënie të tensionuara përgjatë rrjedhës së shekujve

Nënshtrimi i tanishëm shqiptar ndaj diktateve europiane të habit shumë, sidomos nëse mendohet se nuk ka baza historike. Nga më shumë se 2000 vjet, banorët e trevave shqiptare janë dalluar për një stil jete ndryshe nga ai i popujve fqinjë, me të cilët kanë mbajtur gjithmonë marrëdhënie pak miqësore.

Historia na mëson se fiset ilire u mbrojtën me krenari kundër ekspansionit të Perandorisë romake, ashtu siç “albanoi” ose “arbanoi” të cituar nga dokumentet bizantine refuzuan kategorikisht çdo formë asimilimi kulturor, duke vazhduar praktikimin e blegtorisë me shtegtim, duke organizuar trazira dhe duke kryer grabitje. Nga ana e tyre, pushtuesit perëndimorë si anzhuinët dhe venedikasit ushtruan një kontroll të vërtetë vetëm mbi qytetet bregdetare, ndërsa rajonet e brendshme dhe malore mbetën mbretërim i padiskutueshëm i fiseve të vogla të barinjve, të karvanarëve dhe të tregtarëve shëtitës.

E vetmja fazë historike në të cilën Shqipëria iu afrua me të vërtetë Europës qe epopeja e shkurtër e Skënderbeut, jo rastësisht heroi i vetëm shqiptar i njohur dhe i kurorëzuar edhe në Europën perëndimore dhe në vendet ballkanike të krishtera. Megjithatë, pikërisht sepse iu kundërvu me armë sundimit osman dhe qe emëruar “Kampion i Krishtit” nga Vatikani, Gjergj Kastrioti duket sot si një figurë “politically scorrect”, e vështirë në përputhje me vlerat e pacifizmit, të multikulturalizmit dhe të multikonfesionalizmit që frymëzojnë ideologjia e Bashkimit Europian dhe e institucioneve globale. Pas lavdisë së epokës komuniste, në vitet Nëntëdhjetë personazhi i Skënderbeut u gjet në qendër të kritikave të ndezura, sidomos nga ana e historianëve kosovarë, dhe sot shumë shqiptarë pohojnë se heroi “gaboi që luftoi turqit”.

Pikërisht pushtimi osman dhe konvertimi që pasoi i popullsive shqipfolëse në fenë islame shënuan kthesën përfundimtare në marrëdhëniet midis trojeve shqiptare dhe pjesës tjetër të Kontinentit të Vjetër. Fuqitë e Mëdha europiane krijuan idenë se shqiptarët ishin aleatët më besnikë të Portës së Lartë dhe se përfaqësonin pararojën europiane, aq sa Shqipëria u quajt “Turqia e Europës” deri në pavarësinë e saj nga Perandoria osmane.

Për më tepër, edhe pse deri më sot shqiptarët i atribuojnë pak rëndësi faktorit fetar, duhet pranuar se konvertimi në besimin musliman ndihmoi në farkëtimin e mentalitetit shqiptar, duke e dalluar atë nga ai i vendeve të krishtera. Në fakt, edhe kulturat laike dhe shekullore mbështeten mbi baza fetare dhe nga ato rrjedhin zakonet, traditat dhe sjelljet sociale të tyre.

Në shekullin e XIX, Fuqitë e Mëdha ishin të frikësuara nga ideja e një kombi me kulturë dhe mentalitet islamik në qendër të Europës dhe kështu penguan bashkimin e katër vilajeteve osmane të banuara nga mazhoranca shqiptare. Në atë pikë, mes patriotëve shqiptarë lindi miti negativ i “Europës kurvë”: muslimanët mbanin si pikë referimi Stambollin, ndërsa të krishterët shtrënguan ato lidhje me Amerikën që akoma sot kushtëzojnë tërë politikën e Tiranës.

Nga ana e tij, regjimi komunist ndoqi rrugën e një antieuropeizmi të qartë, duke nisur nga prishja me Jugosllavinë dhe duke u drejtuar gjithmonë e më shumë nga Lindja, përpara nga URSS dhe pastaj nga Kina: më mirë të varej nga më e largëta e fuqive aziatike sesa nga shtete të afërta, më mirë të deklaroheshin “pellazgë” (dhe pra jo indoeuropianë) sesa “ilirë”... Zgjedhje të çuditshme, që tregojnë një vullnet krenar izolimi, duke preferuar aleancën me vende të largëta prej rrezikut të asimilimit europian.

Por atëherë, edhe pse tërë historia e marrëdhënieve shqiptaro-evropiane është shënuar nga një kontrast i qartë i kulturës, i mentalitetit dhe i perspektivave gjeostrategjike, përse elitat politike shqiptare lakmojnë me çdo kusht hyrjen në Bashkimin Europian?

Filoeuropeizëm apo filoamerikanizëm?

Është e mundur që europeizmi dogmatik i tërë botës politike shqiptare të jetë, në të vërtetë, rezultati i radhës i besnikërisë absolute dhe kompakte së Tiranës kundrejt SHBA. Në fakt, siç e kanë kuptuar mirë tashmë të gjithë qytetarët e kombeve europiane, projekti i konsolidimit të Bashkimit Europian është më i çmuar për Washington sesa për shtetet e Kontinentit të Vjetër.

Reformat politike dhe masat financiare të imponuara nga Brukseli rezultojnë qartësisht të pafavorshme për vendet europiane, duke qenë të dëmshme nën profilin social-ekonomik dhe duke ngjallur kudo pakënaqësinë popullore. Nga ana e tyre, qeveritë pranojnë me turp se kanë humbur sovranitetin kombëtar dhe provojnë t’i shpjegojnë “zgjedhësve” të tyre (por kush i ka zgjedhur qeveritë teknike në Greqi dhe në Itali?) që çdo vendim vjen nga Bashkimi Europian, vullneti i të cilit duhet respektuar verbërisht.

Duke pasur parasysh se Brukseli nuk synon mirëqenien e popujve europianë, përse SHBA mbështesin forcimin e institucioneve të Europës së bashkuar? Më 19 shtator 2000, “Daily Telegraph” publikonte një artikull të Ambrose Evans-Pritchard, me titull “Euro-federalists financed by US Spy Chiefs”, bazuar mbi përhapjen e dokumenteve sekrete të Administratës amerikane nga ana e Joshua Paul, bashkëpunëtor i US Army Force Development Directorate.

Zbulimet e Paul tregonin se projekti i bashkimit politik të kontinentit europian ka qenë ideuar nga Departamenti i shtetit dhe nga CIA menjëherë pas luftës së dytë botërore. Qëllimi amerikan ishte t’ia ankoronte politikisht, ekonomikisht, kulturalisht dhe ushtarakisht shtetet europiane SHBA-s, sipas së njëjtës filozofi që frymëzonte zbatimin e Planit Marshall dhe themelimin e NATO-s. Natyrisht, do të ishte shumë më e thjeshtë të influencohej dhe të manipulohej vetëm një “makro-shtet” sesa dhjetëra kombe të vegjël të pavarur dhe krenarë për traditat e tyre historike, politike dhe kulturore: ja përse duhej të arrihej me çdo kusht i ashtuquajturi “integrim europian”.

Dokumentet e gjetura nga Joshua Paul vërtetojnë se Washington, për të promovuar “idealin europian”, përdorin Komitetin Amerikan për Europën e Bashkuar (American Committee for United, ACUE), krijuar në vitin 1948. Këshilli drejtues i ACUE ishte formuar nga politikanë, juristë dhe bankierë, por sidomos nga njerëz të shërbimeve sekrete. Presidenti i parë i Komitetit qe në fakt William Donovan, i cili gjatë luftës së dytë botërore kishte qenë shef i Zyrës së Shërbimeve Strategjike amerikane (Office of Strategic Services, OSS), agjencia “nënë” e CIA-s. Zëvendëspresident qe Alen Dulles, drejtor i CIA nga 1953 në 1961, ndërsa një tjetër anëtar i këshillit, Walter Bedell Smith, qe emëruar drejtori i parë i CIA në 1950.

Përveç rolit – i supozuar apo real – të luajtur nga CIA në krijimin e Bashkimit Europian, mbetet fakti se ACUE ka qenë financuesi kryesor i “Lëvizjes Europiane”, një platformë organizatash europianiste krijuar disa muaj pas Kongresit të Hagës mbajtur në maj 1948, promovuar nga “Komiteti ndërkombëtar i lëvizjeve për Europën e bashkuar”. Ky kongres, ku morën pjesë personalitete të larta politike të Kontinentit të Vjetër, përfundoi me shpresën e “formimit të një Bashkimi Europian politik dhe ekonomik” i karakterizuar nga bashkimi monetar, liberalizimi i lëvizjeve së kapitaleve dhe koordinimi i politikave fiskale dhe të kreditit. Siç raportohet në faqen e internetit të (www.europeanmovement.org), “Lëvizja Europiane” – aktualisht e pranishme në 41 vende – ka luajtur një rol thelbësor në procesin e integrimit europian, “duke ushtruar influencë mbi institucionet kombëtare dhe të komunitetit” deri në ditët e sotme: një influencë padyshim amerikane.

Njëherë e mirë duhet sqaruar origjina e vërtetë e Bashkimit Europian – lindur në vitin 1948 në Amerikë dhe që nuk ka të bëjë më aspak me të vjetrën “Europë kurvë” të 2500 viteve të shkuara – duket më e lehtë për të kuptuar përse politika shqiptare shikon sot nga Brukseli me të njëjtën dashuri-bindje me të cilën më parë shikonte nga Washingtoni. Asgjë s’ka ndryshuar nën aspektin gjeostrategjik, përveç faktit se flamuri i BE-së zëvendëson atë të SHBA-së gjatë mitingjeve politike...

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: