Shqiptarët e 5 Majit

05/05/2013 - 11:01

Nga: DRITAN HILA

Kur komunistët shqiptarë caktuan 5 majin si ditën e përkujtimit të dëshmorëve shqiptarë të të gjitha kohërave, pak arsye ka pasur, pse pikërisht dita e vrasjes së Qemal Stafës u zgjodh e tillë. Ndoshta idealizmi dhe jeta e shkurtër, e bënin të përshtatshëm dhe të pakontestueshëm për këtë zgjedhje. Ajo që e bashkon Qemal Stafën me gjithë të tjerët që kishin dhënë jetën para tij dhe më pas, është vendosmëria në ndjekjen e qëllimit duke mos marrë parasysh asnjë çmim. Ishte fenomen që më shumë se kurrë u përhap gjatë Luftës së Dytë Botërore. Komunistët shqiptarë ngritën njerëzit në këmbë për të kundërshtuar fashizmin. Treçerek shekulli më vonë, lufta e partizanëve shqiptarë i bën nder këtij vendi. Ishte risi për një popull të mbytur nga mendësia orientale dhe dhuna e parive të korruptuara, ku shqiptarë të shkolluar në Perëndim apo fshatarë të thjeshtë, ishin pjesa më reaktive e shoqërisë, që reaguan ndaj një gjendjeje që mund të çonte në shuarjen e kombit, dhe pas mbarimit të luftës, me shumë gjasa në copëtimin e tij. Ishin njerëz që investuan për një shoqëri më të drejtë. Vitet që erdhën treguan se ideologjia ku besuan ishte e gabuar. Por në ato kohë, intelektualët më të mëdhenj të Perëndimit besonin në një botë më të mirë. Merita e tyre, është kurajoja që patën për të ëndërruar dhe luftuar për një shoqëri më të drejtë dhe shtet me fytyrë njerëzore. 

Edhe sot, pas kaq vitesh, shoqëria shqiptare e shekullit të 21-të, është inerte dhe e tulatur para dhunës së më të fortit. Në kohën e globalizimit dhe informacionit masiv, jemi po aq të nënshtruar ndaj udhëheqësve të përjetshëm dhe po aq të prirë për të mbijetuar sesa përmirësuar jetën dhe liritë përmes kundërshtimit, sa një shekull më parë. Klasa jonë politike, është po aq e dhunshme, feudale dhe përçmuese në mentalitetin e saj, sa mund të jetë një pushtues me të pushtuarin. Inteligjenca jonë, nëse të tillë kemi, është po aq e shitur dhe pa dinjitet, sa çdo punëtor në kërkim të punës tek “Partizani i panjohur”. Mjaftojnë zhvillimet e fundit, për të kuptuar se gjithë ata “intelektualë liberatorë”, nuk janë gjë tjetër veçse punëtorë të mendjes që i ofrohen punëdhënësit më të parë; si ishin gati të përçmonin dhe sajonin shpjegime të reja mbi moralin e idealizmën, sa do të habisnin edhe Esat Pashën. Dhe parë me syrin e të sotmes, ajo që iu bën nder dëshmorëve të Shqipërisë, është guximi për të mbrojtur idetë e tyre qoftë edhe me jetë. 
Jo pak ndër ata që kanë vënë shpatullat në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, vijnë nga familjet e pasura. Janë pinjollë që zgjodhën idealizmin dhe Shqipërinë. Ngjajnë akoma më të mëdhenj krahasuar me kë idealin sot e ka çamçakëz për ta përtypur tribunave partiake dhe ndukur pasurinë publike. Priftërinj, hoxhallarë, dervishë, midis Zotit dhe atdheut, zgjodhën këtë vend që edhe Zoti vetë e kishte harruar. I thanë Zotit se nëse kishte vendosur ta zhbënte, ata do t’i rrinin përballë për ta ndaluar, edhe nëse kjo do t’iu kushtonte flakët e ferrit në të gjallë e zjarrin e xhehenemit në botën e përtejme. I dhanë Zotit të kuptojë se ky vend duhej ndihmuar të bëhej, qoftë edhe për dashurinë e këtyre pak njerëzve të mirë, në një vend të mbushur me ferra dhe mosmirënjohje. 

Një përkulje e veçantë u takon në këtë ditë, dëshmorëve të veriut të Shqipërisë. Sot, kur për pushtet stimulohet çdo lloj dasie krahinore, del në pah zemra e madhe e atyre djemve e burrave që një Shqipëri pa rrugë, komunikacion apo eksperienca jetesash të përbashkëta, e shikonin si një të tërë dhe të pandashme. Respekt atyre që nuk ranë në kurthin e dasisë, dhe u vranë me besimin se ky vend një ditë do të bëhet, pavarësisht horrave. 

“Një burrë, mbetet gjysmë fëmijë, nëse nuk ka provuar në jetë erën e barutit të luftës”, ka shkruar japonezi Shohei Oaka. Kush përkujtohet në 5 Maj, pavarësisht moshës, ka hyrë në panteonin e këtij vendi. Ka hyrë në radhët e atyre që kanë ditur të përballen me vdekjen, dhe kjo është përballja më e vështirë për njeriun. Pak syresh dinë ta bëjnë. Kanë mbrojtur idetë e tyre, dhe në kohët e sotme kur lëvizin edhe muret, janë një pikë reference për shqiptarët e sotëm. E kanë dashur këtë vend, dhe për këtë nuk kanë munguar të paguajnë çmimin më të lartë. Na kanë treguar se kur zmbrapsesh nga dhuna, dhuna të vjen më e madhe dhe e shëmtuar, ndaj rruga më e mirë dhe me dinjitet është t’i rrish përballë. Një nder i madh i tyre, është se nuk lanë asnjëherë shokët mbrapa, të gjallë a të vdekur qofshin. Ja pse secili prej tyre, duket kaq i madh në sytë tanë sot. Janë vetëm një grusht burrash, krahasuar me miliona shqiptarë që kanë populluar këtë tokë. Por nëse e kemi sot, kjo është për meritë të tyre. Ndaj është një ditë e veçantë ndër 365 të tjerat, ky 5 Maj që iu kushtohet atyre.

/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: