Nga Ahmet Shqarri

Kështu, si një mall pa zot, ku çdo njeri mund të sillet e të veprojë si të dojë e pa i hyrë gjemb në këmbë, kanë mbetur shumë gjëra në Shqipëri, duke përfshirë edhe sportin. Një vend që ende sillet vërdallë pa ditur se kur e ka ditën e saktë të çlirimit të tij; kur një parti ndahet më dysh apo më shumë, vetëm se dikush prej ngatërrestarëve përçarës aty kërkon të jetë patjetër kryetar i një grupimi që i lëpihet thjesht për interesa personale; kur në edicionin e tij kryesor të lajmeve një TV Kombëtar merakoset për një anglez që vjen e bën pazar në Tiranë me kreun e futbollit tonë për ta kandisur për një votë që i duhet për t’u bërë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s(!?), apo dhe paradokse të tjera si këto, ku shpesh nuk merret vesh se kush është e ligjshme dhe kush jo, janë gjëra që vetëm në një vend si ky i yni mund të ndodhin. Natyrisht, këto që përmendëm nuk janë ato që të bëjnë me më shumë dhimbje koke, sepse ka të tjera edhe më jetike që për nga ndërlikimet, kontradiktat dhe pamundësia e zgjidhjeve të bëjnë të të ngrihen qimet përpjetë. Gjithsesi, për ndonjë çështje, si ajo e privatizimit të klubeve futbollistike, edhe pse e cituar dhe e stërlakuar disa herë, por pa gjetur ende ndonjë zgjidhje konkrete, mendoj se ja vlen të rikthehesh, sidomos kur sheh se ky fund kampionati po mbyllet si të mëparshmit, sikur të ishte një mall pa zot! Sehirxhinjë deri në absurd, njerëzit rreth e qark vetëm sa zgurdullojnë sytë tek shohin se dikush i gëzohet titullit kampion e disa të tjerë zhgënjehen për fatin e keq, sipas tyre, të daljes nga kategoria superiore, pa e ditur e vrarë aspak mendjen se të gjitha këto ngjasin edhe për shkak të anormalitetit të këtij futbolli që shfrytëzohet kuturu, pa rregulla dhe ligje.

Kampionë ka çdo vend, por pa shihni si fitohen trofetë atje, nëpërmjet ndeshjesh spektakolare e të pakompromis dhe nëpër stadiume të tejmbushur festivë, ku ngjashmëria me ne është e pamundur. Edhe në vendet e tjera zbresin nga kategoria skuadra që radhiten nga fundi, por jo si tek ne ku pazaret e allishverishet për të ndihmuar njërin, në dëm të tjetrit, janë kthyer në një rregullshmëri të antiligjshme. Kështu, gjithkush bën si t’i teket dhe si t’i vijë për mbarë, duke mbetur për bazë ai refreni i përhershëm malinj që, pas meje u bëftë qameti. Nuk ka se si të jetë ndryshe, kur dëgjon ndonjërin të thotë, pa u mbështetur në asnjë ligj e asnjë moral, se, që sot e tutje do të jetë sponsori apo presidenti i filan skuadre futbolli, duke injoruar njerëzit e interesuar përreth që mund të kenë derdhur para pa fund për të, e sidomos organizmat dhe institucionet shtetërore, përgjegjëse për këtë fushë shoqërore aq të rëndësishme që bota e qytetëruar e ka vënë prej kohësh në binarët e ligjeve. Tamam, sikur të ishte një mall pa zot, vetëm pse dikujt i teket për t’u bërë i pari i një ekipi, për aventurë apo konjuktura nga më misteriozet, por aspak transparent për burimet financiare që pretendohen për t’u shpenzuar në rastin konkret, klubet futbollistike tek ne janë kthyer në jetimë a në mëshirë të ndonjërit, se sa në krijesa të përkujdesjes ligjore, gjë që prej kohësh po mungon dhe ende nuk dihet se sa do të zgjasë!?

   Në udhëkryq e pa ndonjë drejtim të caktuar duket se është e gjithë Shqipëria, sidomos në këtë periudhë fushate zgjedhjesh ku njerëzve më shumë se entuziazmi i shtirë duket se po u vjen në grykë një lloj neverie prej asaj propagande spekulative që ndërsa reklamon parajsën, përkundrazi të ofron trishtimin, tek shohin se ku jemi ne e ku është bota. Për të mbetur tek ajo “simfonia e pambaruar” e privatizimit të klubeve futbollistike, që edhe pse mbetet si refren i përhershëm, kështu siç po veprohet, ka gjasa që kurrë të mos zgjidhet. Dhe jo se është e vështirë për t’u realizuar, por mesa duket kështu është më mirë për ata që duan të jetojnë e të majmen në një mjedis anarkist e pa ligje. Të bën përshtypje se si, brenda ditës shteti merr ca vendime të shpejta, si në rastin kur privatizon kombinate, uzina dhe ofiçina të pamata, vetëm që ato të bëhen pronë e ca njerëzve të ardhur s‘dihet prej kujt nahije, ndërkohë pushtues të atyre objekteve, sikur të kishin qenë një mall pa zot!? Pra, ky shtet që arrin të privatizojë gjithçka, madje edhe hidrocentrale e fusha nafte, prona shtetërore e kombëtare, nuk na qenka në gjendje për t’i kthyer klubet futbollistike në shoqëri të vërteta aksionere, në bazë të ligjeve kushtetuese, ku njerëzve të provuar financiarisht si sponsorë të suksesshëm t’u rikthehen të drejtat që u takojnë pas shpenzimeve të bëra, por i mbajnë peng të një politike administrative të tejkaluar, ku mjaft sportistë ende vazhdojnë të paguhen nga bashkitë, me paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë!?

http://www.balkanweb.com/analiza/2689/si-mall-pa-zot–130958.html