Super të pasur apo të varfër?

01/10/2012 - 00:00

 

Pak ditë më parë raporti i kompanisë Wealth-X, e specializuar në studimin e pasurive të individëve, të cilat e kalojnë shifrën 30 milion USD, nxorri në pah se 55 pasanikë shqiptarë figuronin në listën e super të pasurve nga e gjithë bota. Megjithëse Shqipëria zinte vendin e 37 në Europë për nga numri i të pasurve, fakt interesant është se në rajonin e Ballkanit, super të pasurit shqiptarë kishin lënë prapa për nga numri shumë sivëllezër apo simotra të tyre në vende të tjera, më të pasura sesa vendi ynë.

Në një kohë kur Shqipëria renditet vendi më i varfër në Europë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për miliarderët tanë. Kjo nuk përbën një sensacion, as një motiv për t’u mburrur, sepse është dëshmi mjaft e qartë e polaritetit të skajshëm që ekziston mes shtresës së të pasurve të rinj dhe atyre që luftojnë në kufinjtë e mbijetesës.

Vetëm në 22 vitet e fundit, 55 super të pasurit shqiptarë kanë mundur të grumbullojnë në depozitat dhe llogaritë e tyre bankare apo në pasuri të paluajtshme plot 7 miliardë USD, ose pak më shumë se gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë në vitin 2011. Por ajo që më tërhoqi më tepër vëmendjen ndërsa shikoja listën e klasifikimit të vendeve sipas numrit të pasanikëve që kanë, ishte fakti sesa të pasur ishin mesatarisht pasanikët shqiptarë po t’i krahasoje me ata të shteteve të tjera.

Ndërsa oligarkët rusë ndanin mesatarisht rreth 528 milion USD secili, duke kryesuar kështu në Europë, pasanikët gjermanë (banorë të shtetit më të fuqishëm të kontinentit të vjetër), që zinin vendin e dytë, ndanin mesatarisht rreth 130 milion USD. Për ironi të fatit milionerët tanë ishin shumë pranë tyre me rreth 127 milion USD duke lënë pas shumë pasanikë të vendeve të tjera si Angli (me mesatare 126 mln), Zvicër (me mesatare 117 mln), Itali (me mesatare 113 mln), Francë (me mesatare 115mln), Greqi (me mesatare 110 mln) etj.

E njëjta situatë vërehet edhe po të bëjmë krahasimin me vendet ballkanike si Rumania, Bullgaria, Kroacia, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi etj.

Nëse do të bënim një vështrim në retrospektivë, në fillim të viteve ’90, pjesa dërrmuese e popullsisë shqiptare vinte nga një regjim që kishte imponuar një varfëri të skajshme, ku slloganet “Me forcat tona” apo “Të kursejmë kudo e në çdo vend” ishin një direktivë e fortë që duhej zbatuar rigorozisht.

Në këta 22 vite shqiptarët kanë treguar se edhe pse vinin nga një ekonomi e centralizuar ditën të manovrojnë me sukses në ekonominë e tregut dhe të krijojnë baza të forta për zhvillimin e biznesit privat, megjithëse jo gjithmonë këto biznese janë ngritur në mënyrë të ndershme. Ajo që të tremb është përqendrimi i një shume të madhe parash në duart e një kaste shumë të vogël njerëzish.

Ajo që të tremb është babëzia e disave për të bërë të vetat prona e pasuri (në mënyrë të ligjshme ose jo), ndërkohë që mijëra të tjerë ngrysin ditët duke i drejtuar lutje Zotit “t’u falë bukën e përditshme”. Ajo që të tremb është mënyra sesi janë krijuar një pjesë e mirë e këtyre kapitaleve dhe si është ndërtuar një kastë e tillë të pasurish në një kohë, kur vendi megjithëse aspiron Europën ende është larg standartit të jetesës së europianëve. Shqipëria është një vend i vogël për t’i lejuar vetes një pabarazi kaq të madhe sociale dhe një predominancë kaq të lartë të një grushti njerëzish.

Shpesh pas pasanikëve shqiptarë që njihen publikisht qëndrojnë të tjerë persona, po kaq të pasur, por që preferojnë të qëndrojnë në prapaskenë duke tërhequr fijet që komandojnë marionetën-popull. E trishtueshme apo jo janë ata realisht që drejtojnë gjithë hallkat e pushtetit, që kanë monopolizuar sektorin e shërbimeve dhe ata strategjikë, administratën, drejtësinë etj.; me pak fjalë kontrollojnë shtetin, diktojnë politikat ekonomike dhe krijojnë hapësirat e duhura ligjore për të shtuar edhe më shumë kapitalin e tyre.

Instituti europian i statistikave Eurostat, në shifrat e bëra publike për vitin 2011, konstatoi se GDP-ja (prodhimi i brendshëm bruto) për frymë e një shqiptari ishte sa 31% e mesatares europiane. Pra në këtë rast hendeku ishte më pak se 1/3 e mesatares së kontinentit të vjetër. Po ç’mund të thuash në këtë rast për 55 shqiptarë që zotërojnë në duart e tyre më shumë se gjysmën e vlerës së kësaj GDP-je?

Ç’mund të thuash kur ata disponojnë mesatarisht më shumë pasuri sesa pasanikët europianë? Besoj se është paradoks shqiptar, si shumë të tjerë që ka prodhuar e vazhdon të prodhojë ky vend si dhe produkt i korrupsionit, informalitetit dhe abuzimit, fenomene këto mjaft prezente në tranzicionin tonë të zgjatur.   

Ajo që të tremb është përqendrimi i një shume të madhe parash në duart e një kaste shumë të vogël njerëzish. Ajo që të tremb është babëzia e disave për të bërë të vetat prona e pasuri, ndërkohë që mijëra të tjerë ngrysin ditët duke i drejtuar lutje Zotit “t’u falë bukën e përditshme”. Shqipëria është një vend i vogël për t’i lejuar vetes një pabarazi kaq të madhe sociale dhe një predominancë kaq të lartë të një grushti njerëzish

Opozita shqiptare ngre zërin prej kohësh për pushtetin e një pakice që ka përvetësuar gjithçka, për monopole që kontrollohen vetëm nga disa klane të afërta me pushtetin e që bëjnë ligjin me politikat e çmimeve, për favorizime dhe klientelizëm të disa biznesmenëve, për hapësira të pafundme për arbitraritet dhe korrupsion etj. etj. Të njëjtën refren përsëriste e djathta, kur Edi Rama drejtonte kryeqytetin, pasi sipas saj ai ishte kapur nga bizneset e ndërtimit, që nuk lanë cep pa betonuar në Tiranë.   

Gjithnjë e më shumë mes njerëzve flitet për politikën-biznes dhe biznesin-politikë. Një simbiozë kjo që ka hedhur rrënjë në shoqërinë tonë prej shumë vitesh dhe me tentakula aq shumë të ngatërruara saqë është e vështirë t’i gjendet filli. Gjithnjë e më shumë flitet për biznesmenë që kanë penetruar në politikë dhe që diktojnë bërjen e ligjeve duke favorizuar dukshëm biznesin e tyre.

Ndërsa e majta dhe e djathta luajnë teatrin e rradhës, nga ana e vet populli i shkretë dëgjon çdo ditë llomotitjet e politikës që veç akuzave të ndërsjellta në media, jashtë prozhektorëve të kamerave apo aparatëve fotografikë ulet dhe gatuan së bashku fetën e rradhës për të gllabëruar nga pasuritë publike. Uria e madhe e kastës politike shqiptare dhe klanit të ngushtë që e rrethon është një oreks i pangopur për të përvetësuar gjithçka që mund të blihet, zaptohet apo shfrytëzohet në këtë vend.

Nëse shumë shqiptarë kanë nisur të humbasin besimin tek politikanët që drejtojnë vendin apo ata që synojnë të vijnë në pushtet është pikërisht fakti se shumë kush e di se pushteti është kthyer në një lopë e majme që pritet të milet deri në pikën e fundit të qumështit, paçka se qeverisja nënkupton administrimin e një vendi e jo rrjepjen e tij.

Ajo që të habit është fakti se të paktën vitet e fundit në Shqipëri nuk është publikuar asnjëherë ndonjë listë e më të pasurve në vend dhe as ndonjë shumë e përafërt e pasurive të tyre. Mjaftohemi vetëm me deklarimet e bëra publike të disa politikanëve dhe zyrtarëve të lartë (edhe në rrethin e tyre nuk mungojnë milionerët), ndërsa nëpër kafene flasim për pasurinë “e frikshme” të X apo Y.

Revista “Forbes” bën publike çdo vit pasurinë e miliarderëve më të mëdhenj të botës, ndërkohë që ne hezitojmë të rendisim shqiptarët më të pasur, qoftë edhe për të shuar atë sadopak kureshtje që mund të ketë dëgjuesi apo lexuesi. E vetmja listë që gjeta në internet ishte e publikuar në një agjensi lajmesh jo shumë të njohur dhe nuk e di sesa mund të merret për bazë ajo listë me 10 emra, megjithëse për hir të së vërtetës aty ishin përfshirë disa prej biznesmenëve më të njohur në Shqipëri, por nuk deklarohej ndonjë shumë e përafërt e pasurisë së tyre.   

Duke mbetur tek kureshtja, interesant është një tjetër fakt që zbulohet në renditjen e Wealth-X. Në një kohë kur flitet për krizë dhe kur familjet buxhetore dhe bizneset shohin të ulen ndjeshëm të ardhurat e tyre mujore, super pasanikët tanë janë pasuruar edhe më tepër. Numri i tyre nuk ka ndryshuar aspak (ndërkohë që ka vende që numri i pasanikëve është reduktuar), ndërsa pasuria e tyre është rritur me 4.1% krahasuar me një vit më parë, duke pasur rivalë vetëm homologët e tyre boshnjakë, të cilët kanë regjistruar një rritje të ndjeshme të pasurisë së tyre, në nivelin 13.3%.

Në Kroaci dhe Greqi pasuritë e super milionerëve nuk kanë pësuar ndryshim, ndërkohë që në vendet e tjera ballkanike pasuritë e tyre janë ulur ndjeshëm. Nëse rritja ekonomike e një vendi do të llogaritej mbi bazën e rritjes së të ardhurave për shtresën e super të pasurve qeveria jonë do të kishte me se të mburrej në këtë rast, duke i qëndruar kështu besnike parashikimit optimist të fillim vitit, që u vanit kur FMN në prill parashikoi një rritje me vetëm 0.5%.

Këtë fakt e përforcoi edhe më shumë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kur foli të mërkurën për një spirale negative, ku rrezikon të futet ekonomia shqiptare.

Gjithsesi, përsa kohë kemi super të pasurit që vazhdojnë të shtojnë kapitalet dhe të forcojnë pozitat, populli ka me se të krenohet, megjithëse i duhet të përgatitet të shtrëngojë rripin, për fushatën e ardhshme që do shterojë arkën e varfër të shtetit.  

 

Renditja për Europën

Renditja

Vendet

Nr. i pasanikëve

Pasuria në mld USD

Mesatarja në mld USD

1

Gjermani

15.770

2050

0.130

2

Angli

10.515

1325

0.126

3

Zvicër

5.595

655

0.117

4

Francë

4.100

475

0.116

5

Itali

1.940

220

0.113

6

Spanjë

1.520

180

0.118

7

Norvegji

1.370

155

0.113

8

Hollandë

1.205

135

0.112

9

Rusi

1.145

605

0.528

10

Suedi

990

110

0.111

20

Greqi

455

50

0.110

23

Kroaci

260

30

0.115

26

Rumani

125

14

0.112

29

Serbi

90

11

0.122

30

Bosnje

85

9

0.106

37

Shqipëri

55

7

0.127

40

Bullgari

45

5

0.111

42

Maqedoni

35

4

0.114

43

Mali i Zi

21

2

0.095

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: