Të rrëzuarat në sallë

06/05/2013 - 13:24

Nga Desada Metaj*

Në një sallë mijëra-vendesh të mbushur tej e tej me gra, gëzimi dhe entuziazmi më duket si gjëja më e pavend, ndërsa në skenë ka këngëtare që mbajnë fjalime dhe politikane që recitojnë fjalime të stilit amerikan. Asnjë impiant ndriçimi nuk mund ta fshehë lodhjen dhe trishtimin në sytë e mijëra grave që mbushën sallën në konventën e grave demokrate. As frikën se “shefet” në sallë do të vinin re mungesën e entuziazmit. Askujt nuk i mbetet asgjë në mendje në atë sallë. Ato që janë në rreshtat e para dhe për të cilat bëhet festa, janë kujdesur që “të tjerat”, ato që dëgjojnë ulur në sallë, të zbaviten ose me vajza të bukura këngëtare, aktore, apo aktruese.

Gratë e rreshtit të parë, apo “gratë shefe”, tashmë e kanë kohën e zënë me fushatën që ka nisur, emrat e listës së deputetëve, karrierën dhe paratë e burrave apo partnerëve, fustanin që do zgjedhin (asnjëherë dy njësoj)….

Shefet nuk e dinë asnjëherë se si këto bukuroshe kanë përfunduar në radhët e para të grave demokrate. Ose, të paktën, kështu thonë. Sepse vetë, në thelb, pak apo shumë, pak prej tyre janë të sigurta për vendin që kanë. Shefet nuk kanë dëgjuar mbase asnjëherë këngët e këngëtares që kanë në krah apo nuk kanë parë kurrë shfaqjen e aktores që kanë ngjitur, por kjo s’ka rëndësi. Madje duket më e lehte për to, ndërsa nëpër tavolina do të llomotisin se këto janë ”peshqeshe” të dikujt tjetër.

Prej 8 vitesh këto “gra shefe” e katandisën tribunën e së djathtës një paçavure ku çdo demokrateje do t’i vinte turp të ulej. S’kam asgjë kundër artit, madje emri i Inva Mulës në krye të listës së bashkiakëve të Tiranes u jep nder qytetarëve dhe demokratëve. Por modeli, që këto zonja po përpiqeni të na servirin, është më i gabuari dhe më i dëmshmi për të djathtën në Shqipëri. Nuk dua t’i hyj analizës se si u ngjitën (edhe duke u rrëzuar) shkallët e karrierës në politikë. Se sa herë u përgjëruat për një post dhe “luftuat” shoqet tuaja më fort se këdo. Se sa pa dinjitet shfrytëzuat lidhjet, miqësitë, militantet për të arritur atje ku donit.

Por në mandatin e tretë duhet më shumë kujdes! Tashmë terreni nuk është më si 8 vjet më parë. Kur KOP-i ishte risi dhe kur në konventë brohoritjet dhe entuziazmi ishte i sinqertë. Kur ato që kishin vendin në skenë ishin atje dhe kur  intelektualet, mësueset, mjeket, fizikanet, kimistet madje dhe biznesmenet ishin në sallë. Por harresa, etja për para dhe pushtet i shndërroi këto gra, “qëndrestaret” e vërteta të PD-së, në mbetje arkeologjike. Sepse paraja dhe pushteti rendin drejt epshit dhe rendin në Shqipëri drejt vulgaritetit.

Ndaj pas 8 vjetësh nëse do të më kërkonin të flisja në atë konventë (dhe do pranoja sigurisht) do të kërkoja me sy dhjetëra fisniket që kam njohur për 8 vjet në fushatat e PD-së. Do të mundohesha t’i përshëndesja thjesht me 2 fjalë, madje do t’u kërkoja ndjesë pse shumë prej tyre janë ende pa punë, sepse “shefja” e saj nuk e njeh, ajo është bërë “shefe” pas 2005-ës. Do të flisja pa pompozitet, pa lexuar në promter, por duke i parë me zemër, sepse e di, që, sado të poshtërohen, këto gra do të votojnë sërish djathtas, njësoj si unë. Ato kanë dinjitet. Madje, në fund edhe mund të rrëzohesha, është krejt njerëzore. Por të do ishte “rrëzim” dinjitoz, sepse ndërkohë do të kisha thëne ato ç’kisha në mendje e zemër. Më erdhi keq për dikë që u rrëzua dhe u bë lajm dhe nuk po bëhet lajm që shumica e atyre grave të heshtura në sallë janë të rrëzuarat e vërteta nga pushteti i këtyre zonjave “shefe” që tani duan të na zbavitin dhe me çingie.

* Gazetare në TV Klan

http://www.gazetatema.net/web/2013/05/06/te-rrezuarat-ne-salle/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: