Portali "DurrësLajm" kërkon të punësojë një gazetar/e për web, të interesuarit të dërgojnë CV-në në adresën e email: [email protected]

Tani e kanë krejt, po a ishte drejt?

04/04/2021 - 20:32

Nga Andi Bushati

Shumica e re qeverisëse e Kosovës e ka realizuar një pjesë të slloganit të fushatës së fundit, për të marrë KREJT pushtetet, në mënyrë që të prodhojë një ndryshim radikal në vend. Por deputetët e Vetëvendosjes dhe ata të listës “Beso” të Vjosa Osmani, nuk e kanë bërë në mënyrën më të DREJT-ë të mundshme, zgjedhjen e presidentes së gjashtë të shtetit të ri. Osmani është katapultuar në krye të shtetit, pas dy akteve që do të lënë një hije dyshimi mbi shumicën e re.

I pari qe shantazhi i Albin Kurtit mbi opozitën, për të vënë ndryshimet e njëanëshme të ligjit zgjedhor në funksion të krijimit të një korumi prej 80 deputetësh. Ndonëse më pas, Kurti tregoi fleksibilitet, dhe dëgjoi apelin e opozitës së moderuar, ai la shijen e njeriut që tenton të shkojë përpara pa përfillur zërin e të tjerëve.

E dyta, më e rëndë, ishte rekrutimi i dy deputeteve nga forcat e opozitës. As, Adelina Grainca, që vetëm pak javë më parë bënte fushatë me fotografinë e Thaçit për PDK-në dhe as Albena Reshitaj, që mbante mbi gjoks atë të Ramush Haredinajt, nuk bindin si idhtare të idealeve për ç’kapjen e shtetit. Ato që në zgjedhjet e fundit ishin në ekipet përbërëse të PLAN-it, do të mbeten gjatë si indicie të një procesi që nuk ishte farmaceutikisht i kulluar. 

Këto episode do të na shërbejnë në të ardhmen për të rritur vigjilencën, kërkesën e llogarisë dhe kritikën ndaj një pushteti që tani kontrollon një fuqi që askush se ka pasur më parë në Kosovë. Por, nga ana tjetër, sado dyshime që të ngjallin, ato nuk mund të shërbejnë për të errësuar një fitore të madhe.

Tani, pas kaq shumë kohësh, pushteti në Kosovë është kthyer në duart e qytetarëve. Presidentja e re Osmani, është kandidatja që mori më tepër vota se gjithkush në këto dy dekadat e fundit, në votimet e 14 shkurtit. Ajo deri më tani ka qenë shembulli i integritetit përsonal dhe mospërkuljes ndaj thundrës së partitokracisë. Pra në këtë kuptim, Kosova nuk ka pasur më parë ndonjë presidente të këtij profili.

Vlera e zgjedhjes së presidentes së re është se ajo u bë në antitezë me një opozitë të mykur, të vjetër, që vazhdon të kacavirret si pas fijes së kashtës pas pushtetit që po i tkurret si lëkura e Shagrenit. Duke bojkotuar procesin, duke tentuar futjen e vendit në krizë, duke dashur të shkaktojnë zgjedhje të pafundme, ata dëshmuan se ende nuk po dijnë të vozisin me rrymën e fuqishme të ndryshimit. Opozita e vjetër sot kishte fytyrën e shëmtuar të Agim Veliut dhe Avdulla Hotit, që ishin ekzekutorët e puçit të shtetit të një viti më parë. Edhe PDK e AAK u parngjanë atyre. Ata, që kur rrëzuan një qeveri të ligjshme betoheshin se po e bënin këtë në emër të proamerikanizmit të tyre qesharak, tani i flakën si letër higjenike mesazhet që u erdhën nga përtej Altlantikut, duke treguar pafytyrësinë e atyre që nuk besojnë në vlera, por vetëm në privilegje.

Një tjetër sukses është se me këtë proces vendi fitoi edhe një opozitë të re dhe moderne, me profil krejt të ndryshëm nga ajo që u përmend më lart. LDK-ja rugoviste, me kryetarin e ri Lumir Abdixhiku, tregoi gjatë këtyre ditëve se di të jetë, sa bashkëpunuese dhe koherente, po aq dhe parimore dhe e papërkulshme. Ajo i qëndroi me seriozitet shantazheve që i erdhën nga Vetëvendosja, por njëkohësisht demostroi që ka ditur ta lexojë mirë votën popullore që e ndëshkoi për tradhëtimin e premtimeve elektorale dhe përjashtimin e Vjosa Osmanit.

Pra, ndonëse jo krejtësisht e panjollë, ajo që ka ndodhur me zgjedhjen e Vjosa Osmanit është një ogur i mirë për Kosovën. Qytetarët i kanë dhënë shiumicës së re “KREJT” levat për të bërë transformimet që ata kanë dëshëruar prej vitesh, por njëkohësisht me këtë pushtet të pamatë, ata kanë krijuar edhe mekanizmat e kontrollit që ky vullnet të shkojë në rrugë të DREJT-ë. Një opozitë e re si kjo e Lumir Abdixhikut dhe një presidente si Vjosa Osmani janë një garanci e fortë për këtë.  

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: