Nga Ilir PAJA

Tre të mbytur. Para një viti dhe në shumë vite kështu niste “turi” pushues dhe fati mijëra shqiptarëve, nga këta këtu, ata emigrantë, bashkëkombasit tanë në Kosovë dhe Maqedoni, pa lënë ndoshta më kryesoren. Dëshirën e të huajve, shtetas të BE për të kaluar ditë dhe javë pranë bregdetit tonë. Duke qenë se prania e pushuesve sa vjen dhe rritet ku muaji korrik dhe dy javët e para të gushtit kulmon vetë ky sezon që përmblidhet brenda një fjale, pushime në plazhe, në lajme dhe vetë shohim tragjedinë. E cila nuk vjen nga ndonjë mort diellor, as mallkim deti…jetët e humbura në kulmin e gëzimit për të jetuar natyrën është sa pakujdesi dhe ndoshta fatalitet, por mbi të gjitha është një “krim verbues”.

Po e cilësojmë të tillë sepse masiviteti pushimit nuk del përtej shplodhjes në qëllime dhe civile. Jemi rritur mes pafund filmash me personazhe heronjsh. Mes tyre nuk harrojmë ata djemtë në plazhe të botës, ku të gjendur me grupin e tyre përmes akteve gjatë të cilave shpëtonin pushues të shumtë, filma të tillë e tejkalonin thjesht imazhin hiperbolik të këtyre trupave muskuloz, joshës përballë pushueseve… dhe mitik përballë fëmijëve.

Besoj se dhe vetë dikur do donim të imitonim ndonjë akt të tillë…Por të gjendur në kampe ditor (ndërmarrjesh, kështu quheshin në vitet 70-80) me drejtues mësues nga edukimi fizik të cilët ishin pjesë e stafeve të shkollave të qytetit, ne thjesht ëndërronim. Por kur e kishim jetën të sigurt, ndjenim se filmi ndoshta ndaj është film…

Gjithsesi janë dokumentarët që sot e dimë si organizohej pushimi ynë në kampet e pionierit. Ku më i njohuri ka qenë në Durrës, kampi “Qemal Stafa”. Do vinin vitet mbi 90 dhe fëmijëria shqiptare do ishte ose “shitësja e vogël e shkrepëses”…që do rritej e madhe në trup për t’u shitur dhe këta djem do heroizoheshin duke e prekur pasurinë pa asnjë ëndërr para saj.

Sepse vdekja nga një jetë ku e shkuara ishte e një bote tjetër s’mund të linte karakterin jetësor të ndryshonte duke vrarë së pari fëmijërinë. Ndërsa pjesa që mbeti këtu dhe ajo atje kuptoi se e ardhmja është jo roman, por profeci shkrimtarësh.

Emigrimi ynë ka simbol këtë mitizim dhembjesh: “Fshirësit e oxhaqeve”! Mjafton me kaq. Humbën jetën. S’dolën dot në breg. S’dinin not. Dallgët ishin të forta. Kishte rryma…etj. Asnjëra prej tyre s’është argument. Ata u vranë. Prej kujt? Vetëm prej nesh. Të mundohemi dhe të jemi ngushëllues duke argumentuar se një fenomen që ndodh çdo vit ka vetëm një arsye pse ndodh. Ne dhe cilido pushtet, nga ai privat, vendor #, qëndror nuk e sheh sezonin turistik me një perceptim përtej një fitimi sezonal!

Pyetja që vjen në radhë është shumë e drejtë. Pse kjo gjendje? Kush përgjigjet dhe kujt duhet t’i rëndojë faji, jo moral se për këtë duhet karakter i ndërgjegjshëm, por së paku dikush duhet të vuajë ligjërisht. Nga taksat deri në burgim. Duke shmnagur politizimin po e nisim me këtë sjellje së pari të “pronarëve” ose të zotët rënor të cilët e marrin plazhin në javën e tretë të muajit maj dhe e zbrazin në dy javët e shtatorit.

Pra. O ju rënor që kur i vini ato shezlongë byth më byth me pushuesin, kur dhe bregun e mbushin me shtretër, kur mbani djem deri minoren në punë, kur nxënësve nga shkollat profesionale u jepni lëmoshë dhe jo rrogë…

O ju! Po ju o pushues a e dini se aty ku shtriheni, këta shezlongë janë marrë në Itali pothuaj falas dhe në vitet e para që u përdorën ngjajnë me rrobat që dhuronin shoqatat dhe kisha në Itali emigrantëve tanë, rroba të cilat i kishin veshur si njerëz plot sëmundje, si dhe të vdekurit?!

Nëse sot kushtet e të ulurit, të pastrimit, të shërbimit kanë ndryshuar pak, ajo që mbetet duket se është pjesë karakteri. Oreksi i fitimit nuk e tejkalon një pushim qytetar! Por nëse dy, tri pronarë plazhesh të cilët e harxhojnë lëndën drusore për gardhe si në katunde, ku bëjnë ura deri pista druri në det, a s’munden dot të ndërtojnë disa kulla druri?

Dhe po vetë kur i rinovojnë lejet sezonale t’i kërkojnë bashkive dhe Kryqit të Kuq stafe trajnuesish për të pergatirur dhe ata vetë punonjës të tillë? Dikur policia kufitare në det kontrollonte çdo ditë plazhet e mëdha. Madje duke vënë dhe një kufi mbyllës ku pushuesit me varka s’mund të shkonin më tej.

 Ashtu siç ndalimi i motorëve të ujit vite më parë shmangu si zhurmën dhe nuk mori jetë njerëzish. Tani pasi mendojmë se e kemi shfaqur problemin brenda realitetit të lexuesit, shohim se kemi disa insitucione që përfshihen në ndërtimin e kësaj ruajtje “rendi” nga deti i vdekur…

Nga Ministria e Turizmit, bashkitë, komisariatet dhe autoriteti i porteve, kufiri detar. Ne do të shtonim dhe subjektet private, pa lënë mënjanë Kryqin e Kuq deri dhe insitucione të arsimit. Vetë punësimi i nxënësve nga shkollat profesionale gjatë sezonit turistik e bën të mundur një pjesëmarrje të tillë. Duke qenë se zgjedhja e 12 prefektëve u pa si zgjedhje simbolike sepse ata vijnë nga karriera ushtarake, e kuptojmë të gjithë se ndërtimi i kullave, të rinj të pregatitur, stafe nga Kryqi i Kuq dhe nga vetë pushteti vendor do bindnin cilindo pushues se me aq kulla ndoshta nuk merret “Troja”…

Por së paku mbi muret e dallgëve e dallojmë një pushues që kërkon ndihmë. Vendimi i këtyre ditëve për të hetuar mbytjen e tre pushuesve tregon se ky është zëri i një heshtjeje për të trembur.

Sepse që të kesh frikë nuk i lejon vetes “krime” të tilla duke mos shpëtuar jetë njerëzish! Vendim. Por duhej nisur me një mbledhje urgjente të prefektëve dhe bashkiakëve me komisiriatin dhe forcat e ruajtjes së kufirit detar në porte. T’i lihej një afat 1 javor subjekteve private ku gjoba më e madhe të ishte për kullat e më pas për pjatat e peshkut dhe punëtorët pa siguracion dhe pa fatura tatimore. Nëse citojmë se: prania e ëngjëjve është paralajmërim i parajsës”, duhet të urojmë: “Të ruash jetë në det, parajsa e pushimit na pret në breg!”