Nga Artan Hoxha

RAMA&META SYNOJNE KONTROLL TE PLOTE TE ADMINISTRIMIT ZGJEDHOR

“Bashkimi ynë me LSI-në ka ndryshuar vetëm një gjë; sot vota e fitores sonë është më e mbrojtur nga vjedhja….”. Kështu u tha Edi Rama të vetëve në Elbasan më 6 prill. U duk sikur ai harroi të vlerësonte domosdoshmërinë e votave të Ilir Metës. Thënia ishte ca e ndryshme nga ajo e katër ditëve më parë, kur ai e ftoi në koalicion. Në ftesë ai vlerësoi domosdoshmërinë e votave të Ilirit, e bashkë me këto edhe forcën e rritur mbrojtëse të ushtrisë së mirushqyer të tjetrit.

Ilir Meta iku nga Sali Berisha dy ditë pas ftesës. Deklaroi tërheqjen e të vetëve nga çdo post politik qendror, la të hapur lojën në nivelin vendor. Veç për bashkinë Tiranë jo. Ajo është e veçantë. Aty të parët janë qytetarët. Veç aty s’luhet.

Filloi tërheqja. E rregullt. Pa panik. Nga kudo. Veç jo nga administrata zgjedhore. As ajo civile. “Anëtarët e KQZ, pas emërimit, i nënshtrohen ligjit dhe vetëm ligjit. Nuk u takojnë më partive propozuese. Njësoj si edhe për nëpunësit civilë që u futën përmes 20 përqindëshit, por s’mund të dalin më nga e njëjta vrimë. Në hyrje kriter partiak, në dalje mbrojte civile”.

Edhe 89 KZAZ-të tashmë janë formësuar. Në gjysmën e tyre Edi&Iliri kanë shumicën 4:3 e në gjysmën tjetër kanë përsëri shumicën, edhe më të zgjeruar prej 5:2. “Nëse Sali Berisha hesht, këtë shumicë të njëanshme e reflektojmë edhe në 5 mijë komisionet e qendrave të votimit, edhe në 890 grupet e numërimit”.

Vështirë të mos u ketë shkuar ndër mend dy mëtonjësve të rinj ky kontroll absolut i administratës zgjedhore. Tundim i fortë. Kur ke mundësinë për të pasur të tërën, pse duhet t’ia falësh tjetrit?

“Si mund të reagojë Saliu?” – do ketë pyetur Edi. “Nuk ka ç’të bëjë, – do i jetë përgjigjur Iliri, – e kam lidhur mirë me shumë fije…. E shumta, e tolerojmë për komisionet e poshtme, pa sa për KQZ, do mbajmë 4:3 për ne. Me KQZ-në e kemi lojën ne në dorë. Lëshojmë pe sa të duam, ku të duam e kur të duam, por veç pasi ta kemi lodhur mirë Saliun. A nuk jemi ne sot shumica? Ç’bëri dy muaj më herët a dy më vonë?”.

“Po gjykatësit e Kolegjit?” – do ketë pyetur Edi. “Këta s’janë problem, se e kthejnë velën nga fryn era. Edhe ndërkombëtarët. Nëse fitojmë ne, zgjedhjet quhen automatikisht të mira, pra edhe për ata sukses. Gjithsesi, nëse Saliu rimerr 4:3 KQZ-në, tek e fundit greku do ta hajë, por le të jetë Saliu sebepi i sherrit, e kështu greku mbetet te ne” – mund t’i jetë përgjigjur Iliri.

SALI BERISHA U RIMERR Ç’I TAKON

Ndërsa e përcolli Ilir Metën tek Edi Rama, Sali Berisha e bëri të qartë që atë ditë se ç’i takon atij nuk diskutohet. “Administrata zgjedhore është e balancuar sipas Kodit dhe ribalancohet sipas tij”, tha që atë ditë. E parashikonte planin apo dëshirën e dy kundërshtarëve të aleancuar rishtazi, por edhe shpresonte, qoftë edhe një fije, që partneri i tij katërvjeçar do të tërhiqej nga pozicionet e fituara si mazhorancë në administratën zgjedhore, për t’i rimarrë ato si opozitë. Tek e fundit, për Ilirin kjo ishte pa efekt. Aq sa kishte si maxhorancë do të kishte edhe si opozitë. Ndërsa raportet do të ribalancoheshin vetiu sipas mirëkuptimit tashmë 10-vjeçar për administrimin zgjedhor.

Iu kujtua marrëveshja me Fatos Nanon. Ndonëse larg, ai ishte gjithnjë prezent… Herë pas here e kujtonte ish-liderin e majtë. “Fatosi i kishte bezdi detajet. Merrej veç me parimet… Pasuesi merret veç me detajet. Harron parimet. Shpirtin e ka të vogël e frikën të madhe…”.

Shenja e tërheqjes nuk po vinte. Ditët kalonin. Kundërshtarët dukej se ndiheshin mirë me gjendjen e re. Po i gëzoheshin avantazhit administrativ të krijuar në rrethanat të tjera, i favorshëm në rrethanat e reja.

Sali Berisha s’mund të priste. Jeta i kishte mësuar se lëvizja e parë ishte përcaktuese. Atë e akuzonin se bën gjithçka për të marrë atë që nuk i takon. “Kaq mendjelehtë qenkan?! Nëse mendojnë se bëj kështu për çka s’më takon, aq më shumë duhet të parashikojnë se ç’jam në gjendje të bëj për të marrë atë që më takon”.

Sali Berisha bëri lëvizjen e parë. Propozon lirimin, me votë të njëanshme të Komisionit të Ligjeve të Kuvendit, anëtarin e KQZ-së të propozuar dikur nga Iliri. Por nuk e ekzekuton menjëherë. E shtyn votimin për të hënën tjetër. Tashmë është i qetë. “Po të duash rinegociojmë” – i thotë Edit – “s’mund ta marrësh institucionin në shpinë” – i thotë Ilirit.

E di mirë se Edi&Iliri kanë veç dy lëvizje të mundshme. O njërën, o tjetrën. Dy lëvizjet ndryshojnë në natyrën e tyre, paqe apo luftë, ndërsa rezultati është i njëjtë. Këdo lëvizje të ndërmarrin, rezultati është tashmë i paracaktuar. KQZ do jetë siç ka qenë, 4:3 për të. U jep kohë të dyve të reflektojnë. Të zgjedhin rrugën e paqtë, por është i gatshëm edhe për përplasjen.

Paskëtaj, gjithçka tjetër më poshtë, çdo komision, siç ka qenë, perfekt e balancuar. “Tek e fundit, del nga skema greku dhe hyn republikani. Ushtria e Ilirit po aty, veç ndërron flamur. S’jam unë që po largoj grekun, por ata të dy. Greku duhet të vijë tek unë paskëtaj”.

REFREN NDERKOMBETAR

“Baza ligjore e paqartë. Palët duhet të tregojnë vullnet. Anëtarët e KQZ-së, teorikisht të paanshëm. Ata përgjigjen vetëm para ligjit”.

Nuk u besojnë më as vetë fjalëve të veta. E kanë kuptuar që nuk i dëgjon kush më. Veç duan t’i përdorin, secili për interes të vet.

http://www.panorama.com.al/2013/04/12/tendosje/