Thatcherism-i dhe neoliberalizmi - shpëtim prej krizës apo thellim i saj

14/04/2013 - 15:25

Nga Adrian Civici

Termi Thatcherism përdoret tashmë si fjala çelës për të kuptuar dhe portretizuar politikën ekonomike të ish-Kryeministres britanike të viteve 1979-1991, Margaret Thatcher, Zonjën e hekurt që vlerësohet si një nga politikanet më brilante në histori. Së bashku me binjakun e saj reaganism-in, politikën e ndjekur nga Presidenti i SHBA-së, Ronald Reagan në të njëjtën periudhë, ajo përbën esencën e një qëndrimi dhe veprimesh të cilësuara si “revolucioni konservator” që bota njohu në fund të shek. XX. Thatcher-i dhe politikat e saj ekonomike e sociale në Angli u bënë simboli i kësaj fryme liberale duke shkaktuar shumë debate e polemika: a duhet cilësuar dhe vlerësuar thatcherism-i si rruga e shpëtimit nga krizat ekonomike, recesionet e depresionet, si mënyra më e mirë për të zhvilluar ekonominë dhe rritur pasurinë e mirëqenien e një vendi, apo duhet të refuzohet në emër të politikave social-demokrate, të cilat rezultojnë me një bilanc ekonomik e social më të mirë dhe më të pranueshëm se thatcherism-i? Nën ndikimin e krizës globale financiare, shoqëria e sotme britanike duket më afër doktrinës neoliberale se në kohën kur Kryeministrja e hekurt qeveriste. Për gazetën The Guardian, “Britania e Madhe është aktualisht më theceriste se sa ka qenë në vitet 1980”.

Konteksti i revolucionit konservator që i parapriu thatcherism-it u mbështet në dy dukuri të rëndësishme që e kushtëzuan atë: kriza e naftës dhe pamundësia e politikave me frymëzim keynesianist që të jepnin një zgjidhje adekuate për situatën e krijuar, sidomos në vendet e zhvilluara, përfshi këtu Britaninë e Madhe dhe SHBA-në. Sipas teorisë së John Keynes, papunësia dhe inflacioni nuk mund të bashkëjetonin me njëri-tjetrin, pasi nëse papunësia është e lidhur me mungesën e kërkesës, atëherë çmimet kanë tendencë të ulen. Pra, papunësia është e lidhur direkt me deflacionin, dhe nëse ka inflacion atëherë ka edhe tepricë kërkese, e cila stimulon ofertën dhe për pasojë zvogëlon papunësinë. Kjo recetë keynesianiste funksionoi në mënyrë perfekte në shumicën e vendeve të zhvilluara apo në zhvillim të botës në periudhën 1945-1973.

Çfarë ndodhi në vitin 1973, që kushtëzoi kërkimin për politika të reja ekonomike të ndryshme nga keynesianizmi?

Kriza e naftës, e cila për herë të parë në historinë ekonomike moderne bëri që të bashkëjetojnë inflacionin me papunësinë, situatë që nuk ishte parashikuar dhe as pranuar nga Keynesi. Arsyeja e kësaj bashkekzistence inflacion-papunësi: sepse inflacioni i pasviteve 1973 nuk ishte një inflacion i shkaktuar nga kërkesa, por ishte një inflacion i shkaktuar nga rritja e kostove dhe çmimeve. Mjafton të përmendim faktin se çmimi i një fuçie naftë u rrit brenda disa javësh nga 2 në 35 USD, duke bërë që inflacioni i kërkesës të transformohet menjëherë në inflacion çmimesh e kostosh. Koha riktheu në skenë domosdoshmërinë e politikave ekonomike liberale të përpunuara e teorizuara nga Milton Friedman dhe “shkolla e Çikagos” të cilat vlerësonin se buxheti publik duhet të jetë neutral, se shpenzimet publike duhet të jenë të ekuilibruara me të ardhurat e shtetit, se mënyra më e mirë për të vepruar e ndikuar në ekonomi ishin normat e interesit dhe politikat monetare, se theksi duhej vënë tek mikroekonomia, d.m.th në nivelin e firmave dhe kompanive (për të penguar rritjen e kostos së punës dhe prodhimit, rritur produktivitetin, cilësinë dhe konkurrueshmërinë) dhe jo te makroekonomia apo politikat e ndërhyrjes publike, siç nënvizonte Keynesi.

Cili ishte “konteksti ekonomik, financiar e social britanik” në momentin kur Margaret Thatcher erdhi në pushtet?

Mbas viteve 1970, Britania e Madhe po kalonte një periudhë mjaft të vështirë krizash politike, ekonomike, sociale e kulturore. Në shtypin dhe vlerësimet e kohës Britania filloi të konsiderohej si “e sëmura e Europës”, si “vendi ku zhvillimi po kthehej mbrapsht”, si vendi që “dikur ishte fabrika e botës, ndërsa sot po shndërrohet në një vend në zhvillim”. Shtetëzimet arritën përmasa të mëdha dhe gati 30% e popullsisë aktive punonte në sektorin publik, ndërkohë që papunësia, brenda një dekade kaloi nga 2.6% në 9%. Ekonomia britanike filloi të deindustrializohej dhe inflacioni arriti në 15%. Anglia u bë vendi me fiskalitet ndër më të lartët në Europë e botë. Taksat mbi kapitalin dhe të ardhurat shkuan respektivisht deri në 98% dhe 83%. Grupi i famshëm muzikor “The Beatles” nxori në këtë periudhë dhe këngën Taxman me anën e së cilës denonconin këtë “politikë të çmendur taksash”. Vetëm gjatë vitit 1979, sindikatat e fuqishme angleze organizuan mbi 30 milionë/ditë greva duke e paralizuar krejt vendin dhe ekonominë e tij. Në vitin 1976, qeveria u detyrua t’i kërkonte një borxh prej 4 miliardë dollarësh FMN-së, por borxhi u refuzua si pasojë e protestave të ashpra të sindikatave kundër kufizimeve të pagave dhe favoreve të tjera publike që gëzonin punonjësit britanikë. Kjo situatë e tronditi opinionin publik dhe krijoi një atmosferë mbytëse në gjithë Britaninë, duke u karakterizuar si dimri i pakënaqësisë së madhe. Do të ishte diskutimi dhe propozimet “radikale” të kandidates për kryeministre Margaret Thatcher ato që do t’u ofronin një zgjidhje tjetër britanikëve. Dhe ata e votuan atë në mazhorancë në vitin 1979 duke i besuar formulës së saj liberale.

Çfarë përfaqëson thatcherism-i dhe politikat e Margaret Thatcher-it?

Politikat dhe zgjedhjet e saj i kanë rrënjët në vlerat viktoriane të punës, përpjekjeve për self-help, ideve liberale të Karl Popperit dhe Friedrich Hayekut, dhe në mënyrë të veçantë tek teoritë ekonomike të ‘shkollës së Çikagos’ dhe Milton Friedmanit, tek “shkolla e ofertës” së Arthur Lafferit, për t’u mbyllur me “shkollën austriake të ekonomisë” dhe babain e liberalizmit modern, Friedrich Hayek. Thatcher i sintetizoi të gjitha këto teori e doktrina në veprime të guximshme politike: reduktoi në mënyrë drastike shpenzimet publike dhe deficitin buxhetor, uli ndjeshëm taksat dhe presionin fiskal, luftoi inflacionin e lartë nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit për stërlinën britanike (politika monetare e Bankës së Anglisë i krijoi mundësi stërlinës që të bëhej shpejt monedhë ndërkombëtare nga më të rëndësishmet), favorizoi në maksimum hapjen e ekonomisë britanike për kapitalet e huaja, u dha fund subvencioneve që mbanin në këmbë në mënyrë artificiale degë të tëra të ekonomisë, liberalizoi e privatizoi në masë sektorë të rëndësishëm të prodhimit e shërbimeve, realizoi reforma strukturore në favor të fleksibilitetit dhe thjeshtësimit të tregut të punës etj.

Ashtu siç e përkufizon Nigel Lawson, shefi i kabinetit të qeverisë Thatcher në vitet 1983-1990, “politika ekonomike e këtij konservatorizmi të ri mbështetet në dy parime: monetarizmi dhe tregu i lirë, krejt ndryshe nga politikat e ndërhyrjes shtetërore në ekonomi dhe planifikimit të centralizuar”. Ndërsa sociologu britanik, Anthony Giddens, frymëzuesi dhe profilizuesi i “rrugës së tretë” të New Labour dhe Tony Blair, në librin e tij The Third Way. The Renewal of Social Democracy e përkufizon thatcherism-in si: qeveri minimale, shoqëri civile autonome, fondamentalizëm tregu, autoritarizëm moral të dubluar me individualizmin ekonomik, treg pune krejtësisht i liberalizuar ashtu si edhe gjithë tregjet e tjera, pranim pa kushte i pabarazive sociale, nacionalizëm tradicional, shtet minimal etj. Thatcher përsëriste shpesh se për të, individi është më i rëndësishëm se sistemi..se shteti duhet t’u krijojë individëve hapësirën e nevojshme që të zhvillohen…se social-demokratët dëshirojnë që të varfrit të bëhen akoma më të varfër dhe të pasurit më pak të pasur…ne mendojmë se pabarazitë janë të pranueshme kur kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit.

E përkthyer në shifra, rezultatet dhe bilanci i qeverisjes Thatcher vlerësohet se janë:  punësimi në sektorin publik u reduktua deri në nivelet 5-6%, subvencionet u minimizuan deri në masën 1.2% të PBB, taksat u ulën 50-80%, papunësia zbriti deri në 5% të popullsisë aktive, rritja e produktivitetit të ekonomisë bëri që shumë shpejt Britania t’u afrohej treguesve të Francës, Gjermanisë dhe SHBA, rritja ekonomike u stabilizua në shifrat 4-5%, sektorët e shërbimeve u zhvilluan duke krijuar mbi 1.4 milion vende të reja pune, City përfitoi nga reformat liberalizuese financiare për t’u bërë qendra financiare më e rëndësishme në Europë, niveli i jetës së britanikëve u rrit ndjeshëm, shpenzimet për shëndetësinë u rritën nga 4.7 në 6% të PBB, ndërsa shpenzimet për arsimin shkuan nga 8% në 10% të PBB etj. Thatcher këmbëngulte vazhdimisht në vullnetin e saj për të ndërtuar një “shoqëri pronarësh”, duke e zhvilluar shumë pronën private në të gjitha aspektet. Aq shumë ishte e identifikuar dhe përfshirë në idenë e privatizimeve dhe pronës private, sa gjatë diskutimeve për organizimin e funeralit të saj në Londër, një gazetë shkruante se ndoshta duhet që ta privatizojmë dhe ceremoninë e lamtumirës së fundit për zonjën e hekurt.

A janë të gjithë dakord me trashëgiminë dhe shkëlqimin e Thatcherism-it?

Romano Prodi vlerëson se Thatcher ndryshoi botën, por përgatiti dhe krizën globale... ajo e çoi shtetin në zero, i dha formë rebelimit anti-taksa duke e kthyer atë në një doktrinë reale ekonomike..rriti në mënyrë drastike pabarazitë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve... dhe në njëfarë mënyre, krijoi kushtet për shpërthimin e krizës financiare dhe ekonomike globale. Ekspertë dhe politikanë të ndryshëm mendojnë se “kriza e viteve 2007-2012 është në njëfarë mënyre edhe një krizë tipike e Thatcherism-it”, se “metodat e saj ishin një lloj kirurgjie pa anestezi sociale”, se “kapitalizmi financiar sundoi në ekonominë botërore duke i shkaktuar asaj dhe krizën më të madhe mbas Depresionit të Madh të viteve 1929-‘33. Për më tepër, përballë kësaj krize, FMN, Banka Botërore, BQE apo BE mendojnë se ilaçi më i përshtatshëm për të dalë nga kjo krizë janë politikat shtrënguese radikale thatcheriste në versionin e “terapisë së shock-ut”. Kritikët e formulës apo modelit të Margaret Thatcher-it evidentojnë çështjet e dobësimit të sistemit të mbrojtjes sociale, zvogëlimin drastik të shpenzimeve publike, shkatërrimin me dhunë të sindikatave, privatizime klienteliste dhe pa eficencën e duhur, krijimin e elitave të privilegjuara në drejtimin e vendit dhe sektorëve kyç të ekonomisë e financave, privilegjimi i bankave dhe sektorit financiar, krijimin e diferencave të mëdha në zhvillimin rajonal e profesional, shtimin e varfërisë tek disa shtresa sociale vulnerabël, shkatërrimin e bazave të “shtetit të mirëqenies”, shteti e humbi rolin e tij si amortizues dhe rishpërndarës i pasurive dhe të ardhurave.

http://www.mapo.al/2013/04/13/thatcherism-i-dhe-neoliberalizmi-shpetim-p...

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: