Tingulli i qetësisë i së ardhmes

07/05/2013 - 14:15

Nga Ndriçim Kulla*

Pavarësisht nga rruga e vështirë, e komplikuar dhe  mjaft grindavece, duhet ta pranojmë të gjithë se për nivelin e vlerësueshëm  që ka arritur demokracia shqiptare, mesazhi që doli nga bashkëbisedimi i Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, para disa ditësh me rektorët e mjaft universiteteve, akademikë, pedagogë dhe studentë të zgjedhur të ekselencës, për një fushatë elektorale paqësore, ku përballë konfliktit dhe pretendimeve legjendare të partive politike të mbizotërojë konkurrenca e programeve dhe ligjshmëria, ishte vërtet një promovim i besueshëm dhe i mirëpritur që i shërben bërjes së një politike gjithnjë e më paqësore. Do të ishte mirë që të gjitha segmentet demokracibërëse të shoqërisë shqiptare që ndihmojnë dhe zhvillojnë edhe politikën në këtë prag fushate, si mediat, institucionet e ndryshme joqeveritare dhe shoqëria civile, t’i mëshonin fort dhe me këmbëngulje kësaj fryme, duke besuar në një kontribut të konsiderueshëm.

Për një qytetar të denjë e të vetëdijshëm për fuqinë e votës së tij në një vend demokratik, është një rast i madh çdo prag-fushate zgjedhjesh. Një rast i madh për të kuptuar se çfarë mund të presë nga e ardhmja e tij, cila është gjëja më e mirë që politika i ofron, çfarë ka shkuar gabim, cilët janë kandidatët që do të mbartin mbi supet e tyre barrën e rëndë të premtimeve, e mjaft çështje teknike, administrative apo ekonomike që mund t’i interesojnë ngaherë, por që vetëm në të tilla periudha mund t’i shtjellohen e t’i detajohen posaçërisht. Për të gjitha këto arsye, një fushatë do të qe e vlefshme, e dobishme, por edhe lehtësisht e qartësisht e mundur për të marrë vendimin më të mirëpeshuar, nëse do t’ia lejonte çdo individi klimën dhe atmosferën më të përshtatshme për zhvillimin e njohurive dhe informacioneve përkatëse, që do ta shpien kah vendimit të votimit. Natyrshëm që bëhet fjalë për qasjen e publikut të interesuar ndaj vlerësimit pragmatist të qeverisjes dhe premtimeve të opozitës, e jo për ata njerëz që tashmë njihen si simpatizantë apo militantë të një partie. Megjithatë, qetësia, thjeshtësia dhe raporti i drejtpërdrejtë me elektoratin nuk mund të mos jetë standard tashmë i patolerueshëm për këdo forcë politike, tashmë pas kaq shumë vitesh demokraci. Aq më tepër që janë pikërisht këta përbërës cilësorë ata që krijojnë klimën e nevojshme që të lëkundurit, elektorati gri apo dhe përfaqësuesit e antipolitikës kërkojnë e diktojnë, për të arritur në përfundimet e tyre aq të çmuara e të rëndësishme për balancën e zgjedhjeve. Kësisoj, një betejë ku s’ka fitues dhe humbës do të qe një betejë ku mund të fitojë aq shumë Shqipëria në imazhin e saj ndërkombëtar, por edhe vetë partitë garuese në një aspekt thjesht strategjik e elektoral. Është për t’u vlerësuar e çmuar në këtë drejtim sugjerimi dhe vënia në praktikë prej disa muajsh e strategjisë së debatit soft, të debatit apo ligjërimit nëpër toën hall-e, siç quhen, takimet që po bën lideri i maxhorancës me publikun e çdo lloji e fushe, në një kohë kur nga shumë burime apo analiza parasupozohej një klimë e nxehtë dhe e acaruar politike. Ndoshta është një këshillim i zgjuar, ndoshta një vendimmarrje e mençur dhe e bindur e Kryeministrit, se me faktet e arritjet e paraqitura thjesht e pa zhurmë apo pa reagime agresive, maxhoranca do të arrijë ta përcjellë më mirë mesazhin e vet, por sidoqoftë, sjellja e Kryeministrit ka mundur të krijojë një ambient më të qetë e më të përshtatshëm për të kuptuar vërtet se kujt duhet t’ia japë votën elektorati ende i pavendosur.

Një sjellje që ka arritur ta diktojë e ta vendosë në po të njëjtën gjatësi vale edhe sjelljen e opozitës, pavarësisht se misioni i saj në vetvete është medoemos kundërshtues, reagues e denoncues. Pavarësisht disa incidenteve të nervozizmit, ose le të themi edhe të arrogancës, ndoshta edhe për arsye të përjetësimit të sforcuar të përgjegjësive gjatë fushatës, sjellja e saj ka qenë korrekte, e po njëlloj korrekte duhet të jetë edhe përgjigjja e pozitës ndaj këtyre incidenteve, pa i hiperbolizuar dhe instrumentalizuar për arsye denigruese. Ka ardhur koha që secila palë të shikojë përtej interesave të marrjes së pushtetit, ndoshta të mendohet me më shumë përgjegjësi për një vetësakrificë të mundshme për ruajtjen e imazhit të Shqipërisë, nëse mund ta quajmë kështu, duke mos denoncuar çdo gjë me vend e pa vend publikisht, e që mund të bëhet edhe shkak i ndërtimit të opinionit të keq përballë asaj që ne e kemi quajtur në shumë raste si “syri i tretë”, i cili na vrojton me kujdes. Ka ardhur koha të sheshohet sheshi i mendimit të votuesve në pikat e forta të programit, të garancive karakteriale të individëve që do ta realizojnë këtë program, në cilësinë e kapacitetin e kandidatëve për deputetë, e jo në teprimet apo shkarjet arrogante të ndonjë ligjërate a përfaqësuesi.

Një opozitë mund të gjejë vërtet gabime apo mungesë përgjegjësie në kontrollin apo supervizimin teknik të cilësisë së gjithë atij rrjeti rrugor që qeveria e maxhoranca kanë arritur të ndërtojnë për Shqipërinë gjatë gjithë këtyre viteve, e për një të tillë duhet të mbajë patjetër përgjegjësi ministri që mbulon këtë fushë (se një gjë të tillë  mund ta konstatosh kur udhëton nëpër Shqipëri). Por kjo nuk e zbeh dhe nuk e lëviz me asnjë presje meritën që ka pasur qeverisja e dy mandateve të fundit për ndërtimin e rrjetit më efikas e më të rëndësishëm rrugor të Shqipërisë, ku vetëm kuraja e treguar në këtë drejtim nuk mund të anashkalohet pa u vlerësuar. Një qasje strategjike që nuk kapet pas vogëlsirave, do të qe jo vetëm më e denjë dhe etike, por në vetvete më efikase elektoralisht. Tek e fundit, kësaj i thonë të kesh vërtet etikë bindjeje e komunikimi, që duken si dy gjëra që nuk kanë shumë lidhje me njëra-tjetrën për fashën e votuesve militantë, por që janë vendimtare dhe diktuese për votuesit gri. Qetësia dhe siguria e paraqitjes së vizionit tënd, pa u marrë me kurthet e leqet që mund t’i ngresh tjetrit për ta acaruar klimën dhe për ta bërë tonin agresiv si të një njeriu që qëllimisht provohet ta gjejë tjetrin në gabim, vetëm sa i komplikon dhe pështjellon mendimet e votuesve, e nuk i jep asgjë asaj praktikës së thjeshtë të diktimit të vizionit që duhet të mbizotërojë. Kjo qetësi e kjo thjeshtësi janë cilësoret e atij tingulli të qartë dhe efikas të komunikimit që shtabet e zgjedhjeve shqiptare duhet të kenë si përparësi gjatë gjithë këtij muaji, sepse ky është edhe tingulli buisës i së ardhmes progresive dhe europiane që aq shumë do ta vlerësojnë e mirëpresin shqiptarët nga e gjithë klasa jonë politike.

* Publicist, botues, këshilltar i Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani

http://www.panorama.com.al/2013/05/07/tingulli-i-qetesise-i-se-ardhmes/#comment-188299

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: