EXETER– Duke komentuar krizën e kohëmëparshme algjeriane të pengjeve në një kanal ndërkombëtar lajmesh, një “ekspert” për çështjet e terrorizmit bëri një pohim mbresëlënës: “’Al-Qaeda’ në Maghreb u themelua për shkak të së ashtuquajturës ‘Pranverë arabe’, pasi që braktisëm aleatin tonë libian, kolonelin Muammar el-Qaddafi”. Pas edhe disa pasaktësive të  tjera që u thanë, u ndjeva i obliguar që t’i lija anash testet e studentëve, të cilat po i korrigjoja. 

Ta fillojmë duke e përmirësuar pasaktësinë më të madhe që u tha: “Al-Qaeda” në Maghreb nuk është produkt i “Pranverës arabe”. Ajo ekziston për shkak të puçit ushtarak që i dha fund “Pranverës algjeriane”, rreth njëzet vjet më parë. Dhe ajo nuk është përforcuar nga revolucioni libian, por nga dështimi i shtetndërtimit në Malin Verior dhe mungesa e pajtimit të pasluftës dhe riintegrimit në Algjeri, ashtu si edhe mungesa e llogaridhënies për qarqet algjeriane të sigurisë, metodat brutale të të cilave kanë paraqitur sfidë të madhe. 

Historia e “Al-Qaedas” në Maghreb e ka origjinën drejtpërsëdrejti tek puçi i ndërmarrë nga një numër gjeneralësh algjerianë kundër presidentit Chadli Bendjedid, në janar të vitit 1992. Bendjedid memoaret e të cilit u publikuan pak kohë më parë (ai vdiq në tetor), i dha Algjerisë kushtetutën e parë relativisht demokratike, duke e hequr ndalesën mbi partitë politike dhe duke garantuar të drejtat themelore, si liria e të shprehurit dhe e tubimeve. Ai ishte presidenti i parë arab që u kritikua në televizionin shtetëror (pra, në rastin e të cilit kritiku nuk u zhduk më pas). Algjeria ishte shteti i parë i Pranverës Arabe. 

Por, pranvera doli të ishte jetëshkurtër. Pasi që nuk donin të humbnin përfitimet e tyre të mëdha ekonomike dhe kontrollin mbi politikën, gjeneralët vendosën që t’u jepnin fund reformave, të mos i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve të para demokratike parlamentare të Algjerisë dhe ta largojnë Benjedidin nga pushteti. Në Perëndim, qëndrimi mbizotërues është se gjeneralët “progresivë” e bllokuan avancimin e “Front Islamique de Salut” (FIS), të cilët ishin “fundamentalistë”. Por, ai version nuk e sqaron se përse gjeneralët së shpejti u lidhën me një grup tjetër “fundamentalist” (fraksion i “Vëllazërisë myslimane” të Algjerisë, “Mouvement por la societe Islamique) dhe u dhanë atyre disa prej posteve kryesore, përfshirë kontrollin mbi Ministrinë e Çështjeve Fetare. 

Tetë muaj pas puçit ushtarak, në shtator të vitit 1992, u themelua Grupi i Armatosur Islamik (GIA), duke tërhequr përkrahës nga secila sferë, përfshirë elemente kriminale dhe agjentë algjerianë të inteligjencës. Deri më 1998, shënjestra kryesore e GIA-s nuk ishte ushtria, por civilët, të afërmit e liderëve rivalë dhe bastionet e FIS-së. 

Hulumtuesit perëndimorë dhe arabë kanë dokumentuar 642 masakra të kryera në periudhën midis viteve 1992 dhe 1998. Shumica ishin raste të “spastrimeve zgjedhore”, që ndodhën në qarqet që votuan për FIS-n në zgjedhjet e vitit 1991. GIA e mori përgjegjësinë për disa prej masakrave. Por, figurat opozitare, ish-oficerët algjerianë të inteligjencës, ashtu si edhe diplomatët, akuzuan ushtrinë se kishte ndihmuar apo kishte kryer vetë masakrat tjera. 

Më pas, një brigadë e GIA-s në malet Kabylie, në lindje, që e quante veten Grupi Salafist për Predikim dhe Luftë, u shkëput dhe dënoi veprimtarinë e GIA-s. 

Një pjesë e kësaj brigade të shkëputur hoqi dorë nga taktikat e armatosura dhe bëri paqe me regjimin e presidentit Abdelaziz Bouteflika, që premtoi pajtim, lirimin e të burgosurve politikë, hetimin e më shumë se 10.000 zhdukjeve, riintegrimin social, të drejtat politike dhe kontrollin civil të forcave të armatosura. 

Me gjithë aktivizimin më 2006 të Kartës për Paqe dhe Pajtim Kombëtar (korniza ligjore për këto çështje), pjesa më e madhe e këtyre premtimeve nuk u përmbushën kurrë. Zhgënjimi ishte evident, derisa disa prej ish-kryengritësve publikisht deklaruan se regjimi nuk po nderonte obligimet e veta dhe se procesi i pajtimit ishte fals. 

Në janar të vitit 2007, “Al-Qaeda” në Maghreb kishte lindur nga fraksioni i GSPC-së që nuk u demobilizua. Pjesa më e madhe e atyre që janë përmendur në lidhje me krizën e pengmarrjes së javës së kaluar, i ishin bashkuar fraksionit pas ndarjes me GIA-n. Në mesin e tyre ishin Mokhtar Belmokhtar, që kishte kaluar nëpër të gjitha fazat e aktivizimit të armatosur islamik algjerian, prej Afganistanit e deri në Sahel; dhe Abdelhamid Abou Zeid, që kishte filluar si aktivist politik, kishte marrë armët për t’iu përgjigjur thirrjes për puç më 1992, duke u bërë më pas pengmarrës i regjur në krye të njërës prej brigadave të “Al-Qaedas” në Maghreb. 

Ndonëse ishte fraksion i shkëputur i një fraksioni të shkëputur, “Al-Qaeda” në Maghreb demonstroi kapacitetin e saj operativ në dhjetor të 2007-s, kur mori në cak oficerët e OKB-së në Algjer dhe në Gjykatën Kushtetuese algjeriane, duke vrarë 41 veta dhe duke plagosur 70. 

Luftëtarët, numri i të cilëve vlerësohet të jetë 1.200 dhe të cilët po shkaktojnë probleme në Mali sot janë duke vepruar në një rajon pothuajse më të madh se Franca, duke e vështirësuar gjetjen e tyre. Në aspektin afatgjatë, Perëndimi duhet të synojë që t’i ndihmojë qeverisë së Malit për ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe për t’u pajtuar me popullatën në veri. Në Algjeri, reformat në sektorin e sigurisë – posaçërisht transparenca më e madhe – janë më se të domosdoshme. Edhe ashtu, qeveritë perëndimore dhe qeveritë e tjera ua kanë borxh familjeve të 39 punëtorëve të huaj që u vranë gjatë krizës së pengjeve, që ta zbulojnë se si kishin mundur të shpëtohen ata. 

Familjet e viktimave algjeriane e meritojnë të njëjtën prej qeverisë së tyre. E njëjta vlen edhe për familjet e më shumë se 150.000 viktimave të luftës civile, që filloi me largimin nga demokracia, njëzet vjet më parë. Siç ka treguar incidenti i fundit, lufta vazhdon edhe sot.

(Autori Omar Ashour është drejtor i Studimeve për Lindjen të Mesme dhe i Institutit për Studime Arabe dhe Islame në Universitetin e Exeterit. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate)