Triumf i tripolaritetit të majtë

07/05/2013 - 12:43

Nga Mero Baze

Listat përfundimtare të Partisë Socialiste dhe debatet që prodhuan ato, vulosën përfundimisht faktin se e majta shqiptare prej vitit 2002 ka mbetur një e majtë trepolare. Listat dëshmuan se kemi tre palë lista, Listën Rama, Listën Meta dhe Listën Nano. Ky bilanc reflekton faktin pse Edi Rama e kishte jetike aleancën me Ilir Metën dhe pse Sali Berisha pati sukses të qëndrojë në pushtet dhe pas largimit të Ilir Metës. Tripolariteti i së majtës është faktori vendimtar që ka mbajtur në pushtet Sali Berishën deri më sot dhe ai është shpresa e vetme e tij për të rimbetur në lojë.

Në një përpjekje tetëvjeçare për të pasur nën kontroll Partinë Socialiste dhe për ta ndryshuar atë, Edi Rama nuk ia ka dalë dot. Dy ish- kryeministrat e mëparshëm të kësaj partie, Ilir Meta dhe Fato Nano, ia kanë dalë ta mbajnë atë një lider të kontestuar në PS dhe t’ia mbajnë debatin të ndezur brenda rreth lëvizjeve të tij politike. Tetë vjet pasi ka udhëhequr partinë më të madhe në vend, në fund të rrugës së tij Edi Rama pa me dëshpërim se nuk ia dilte dot me dy armiq përballë dhe hyri në aleancë me Ilir Metën, për të garantuar rrotacionin, edhe pse me një kosto të fortë morale.

Aleanca me Ilir Metën në të vërtetë forcoi shanset e rrotacionit dhe e ndihmoi mjaft Edi Ramën të ulte pazarin e kundërshtarëve brenda Partisë Socialiste si dhe të aleatëve të saj.

Por tripolariteti funksionoi. Një prej poleve të PS, që pa se arroganca u rrit dhe rrotacioni po garantohej, duket se filloi të veprojë. Fatos Nano qëndronte qartazi jo vetëm pas gatishmërisë së tre deputetëve socialistë për të mbështetur Berishën, por dhe pas pritjes live të daljes së Arben Malajt nga kryesia e Partisë Socialiste.

Pra në zgjedhjet e vitit 2013, e majta shqiptare hyn me një koalicion të Listës Rama me Listën Meta, duke pasur kundër një pol të tyre, Listën Nano, e cila do të jetë përballë tyre. Ndryshimi me vitin 2009 është se atëherë i kishte përballë të dy polet. Situata e tanishme mund të konsiderohet e ngjashme me vitin 2007 kur koalicioni Meta- Rama, plus aleatë, triumfoi në Tiranë dhe në qytetet kryesore të Shqipërisë.

Por problemi i tripolaritetit mbetet. Llogaritë e kundërshtarëve të Edi Ramës janë të qarta. Ata duan ta sulmojnë atë në Vlorë për të shmangur rezultatin 8 me 4, dhe për ta çuar rezultatin 7 me 5. Nga ana tjetër, dalja e Agron Dukës me Berishën në Shijak, nën siglën e republikanëve, zeron efektin e LSI në Durrës, pasi votat e Kokës dhe të Dukës eliminojnë njëra- tjetrën.

Në Fier dalja e pavarur e Dritan Priftit ngre pikëpyetje për ndonjë mandat të mundshëm të tij, por rrezikon po ashtu rezultatin 10 me 6 për opozitën.

Pra, Berisha tashmë e ka më të qartë objektivin e tij. Qarqet ku ai do bëjë betejë janë Vlora, Fieri dhe Durrësi, duke përdorur tripolaritetin e së majtës shqiptare, një e majtë që nuk u bë kurrë një parti, për shkak të ish- kryeministrave të saj, të cilët shkojnë njëri pas tjetrit në shërbim të Berishës.

Përgjegjësia e vetme e Edi Ramës në këtë histori nuk është raporti me rivalët e dy poleve të së majtës, por me arrogancën dhe klientelizmin që duket se iu shtua kur u ndje i sigurt në fitore nga bashkimi me Ilir Metën. Nuk dua të flas për asnjë emër të përveçëm që u la jashtë liste apo që hyri në lista, por qetësia për të shkuar drejt fitores nuk duhet të vijë nga paqja me kundërshtarët, por nga paqja brenda partisë tënde. Është e qartë se e rrezikuara e parë nga aleanca Rama- Meta ka qenë Lista Nano dhe ajo ka marrë masat e veta, por brenda partisë së tij Rama duhet të përdorte aleancën me Ilir Metën, jo vetëm për të ulur pazaret, në fakt të bezdisshme, të njerëzve në parti dhe në koalicion, por për një konsensus më të gjerë dhe forcim të personalitetit të kandidatëve. Tani së paku duhet të jetë i qartë se nuk është aq afër suksesit sa ishte më 1 prill dhe nuk është aq afër lidershipit në PS, sa ishte para 1 prillit.

http://www.gazetatema.net/web/2013/05/06/triumf-i-tripolaritetit-te-majte/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: