Nga Artan Hoxha
EDI RAMA I DOREZOHET ARSYES
Edi Rama, më në fund iu dorëzua arsyes. Kuptoi se pa Ilir Metën s’mund të pretendonte fitoren. Ai besoi se fitonte i vetëm në qershor 2009. Ai i besoi ëndrrës “përtej së majtës dhe së djathtës”. Besoi se Ilir Meta do të tkurrej. Sali Berisha do të mundej. Kishte punuar shumë për këtë. Gabim fatal. Humbi me afro 24 mijë vota përballë koalicionit të Sali Berishës. Halli ia desh të pretendonte vjedhjen e votave. Mallkoi Saliun dhe Ilirin, patericën e Saliut, tradhtarin e 83 mijë zemrave të majta. I hyri me vendosmëri rrugës së mbijetesës me mjete e metoda ekstreme. U shndërrua nga barngrënës në mishngrënës. Grabitqar.
Përqasjen e re për fitoren e deklaroi në shtator 2009 kur “rikonkurroi” për postin e kryetarit të PS me kandidatin Lakrori, të cilit sot nuk i duken kurrkund as petët e as harxhet. Platformën zbatoi gjatë dy viteve të para të opozitarizmit.
Tentoi në maj 2011, për të dytën herë, atë që nuk arriti në qershor 2009 – të fitonte i vetëm. Të mundte Saliu, të asgjësonte Ilirin. Jo me sloganin dehës “përtej ………….”, por me atë të kthjellëtin “sy për sy e dhëmb për dhëmb”. Shkoi për “t’i vrarë” të dy të paudhët, Saliun dhe Ilirin, por e bënë “kurban” pa mëshirë. Doli i “plagosur” rëndë. Shpëtoi për mrekulli. Dhjetë votat si dhjetë urdhëresat.
I duhej të rilindte me moral të ri. Librat e shenjtë të pashtershëm me këshilla: “Dora që s’kafshohet puthet”; “në të qëllofshin në njërën faqe, ktheju tjetrën”. Ishte koha e Dhiatës së Re. E vlefshme për etapën tjetër. Rilindjen e vet e projektoi si të kombit. Nanurisi për ca kohë me ëndrra të bukura rilindëse ata që i zvarriti për dy vite në betejat e humbura. Nuk lëshoi pe për tri ligjet, gjithsesi. Saliu nuk duhej të festonte integrimin. I takon atij vetë kjo arritje. Pas zgjedhjeve. Veç nëse fiton.
Ankthi shtohet sa më pranë 23 qershorit. Rilindja nuk ngjit. Frymë s’ka. Aritmetika, ndonëse e vështirë për të, bëhet gjithnjë e më bindëse. Liderët e rinj arrogantë. Liderët e vjetër – aleatë besnikë – shumë tekanjozë, oreksmëdhenj edhe me një grusht votash. Vetëm me këta llogaritë s’dalin. Vendos më në fund t’u nënshtrohet numrave. Iliri i mbijetuar dhe i fuqizuar mbetet shpëtimi i vetëm. Rezultat trefish. Edhe ikën nga Saliu, edhe vjen me të, edhe i tulat tekanjozët e shumtë përreth. Këta do hedhin vickla ca kohë, por me një dorë bar e mbyllin gojën. Kishte kohë që punonte për këtë ditë, por nuk guxonte ende. Më në fund vendosi. Më mirë një fitore lëngaraqe, sesa një humbje dinjitoze. A nuk thotë edhe Saliu se fitorja është bizhu!? Më pas shohim e bëjmë.
Ilir, veç hajde. Kur të duash, si të duash, sa të duash.
ILIR META SYNON SHUME ME SHUME
Kur s’të vrasin dot, veçse të forcojnë. Kjo i ndodhi Ilir Metës. I mbijetuar në tri zgjedhje mes shtrëngesës mbytëse të dy të mëdhenjve, njëri – Edi Rama – nofulla lëvizëse e morsës dhe tjetri – Sali Berisha – nofulla e palëvizshme e saj. Ilir Meta shtoi frymëmarrjen pas darkës së famshme në Lalz. Luajti mirë në mes të të dyve sapo nofullat u hapën pak. Nga ngjeshja ishte ngjitur ca si shumë tek ajo e palëvizshmja. I duhej kohë të shkëputej. I duhej siguri gjithashtu.
Sali Berisha s’linte asnjë pretekst për t’u shkëputur prej tij. Edi Rama ishte ende në mëdyshjet ëndërruese. Një vit kohë deri në zgjedhje duhej shfrytëzuar në të dy kahet. Këtë bëri. U zhvendos gradualisht drejt një pozicioni të ndryshëm nga dy të tjerët, sipas rastit. Më nacionalist se nacionalistët, më liberal se liberalët, me socialist se socialistët, më ndërkombëtarisht se ndërkombëtarët, sipas rastit e momentit. Testonte çdo variant aleance. Rrezonte secilin prej tyre për ta parë përsëri e përsëri. Vepronte me kalkulim perfekt, në negocim, përgatitje, sulm, mbrojtje, kundërsulm. Godiste pa mëshirë, me ironi, çdo tezë të Rilindjes. Asnjë kundërpërgjigje nga Edi Rama, veç mesazhe për bashkim. E pa mirë dobësinë e Edi Ramës. Vendosi.
Qëndrimi në mes s’premtonte asgjë më shumë se ç’kishte. Rreziku i madh. Vendosi t’i bashkohej Edi Ramës për të fituar bashkë. Fitorja e përbashkët me Edi Ramën shumëfish më e vlefshme se fitorja e përbashkët me Sali Berishën. Këtij s’kishte ç’t’i merrte më shumë. Ai të jepte veç atë që premtonte, asgjë më pak, por asgjë më shumë. Edi Rama s’të jep gjë, por mund t’i marrësh gjithçka. Varet nga momenti. Humbja e përbashkët me Sali Berishën, dërrmuese. Në opozitë mjerane për kush e di se sa kohë. Pa asnjë mundësi rikthimi në të majtë. Humbja e përbashkët me Edi Ramën s’mund të quhet humbje për atë vetë. Humbja do të jetë veç e Edi Ramës. Shkatërruese. Dëbuese. Për atë vetë humbja është dera drejt një fitoreje edhe më të madhe. Lidershipin e së majtës dhe fitore kuptimplote më 2017-n.
Ilir Meta e ka të qartë që edhe Edi Rama e di këtë. Por aq i bën. Instinkti i grabitqarit politik e bind se grabitqari tjetër është në momentin e vet më të dobët. Ia ka nevojën për të fituar e s’ka nga t’ia mbajë edhe pas fitores. Aq më shumë pas humbjes.
Deri në zgjedhje Ilir Meta do diktojë. Ai e di që Edi Rama do merret me të vetët, t’u sqarojë se sa i domosdoshëm e sa i dobishëm është Iliri. I duhet të lodhet edhe më shumë se sa iu desh për t’i bindur se sa i keq e i dëmshëm ishte ai. Ilir Meta e tregoi, paqësisht dhe vendosmërisht, forcën e qetësisë së vet dhe dobësinë e partnerit të majtë që me daljen e parë në publik dy ditë më parë. Me të shkuarën merren arkeologët. Me të ardhmen do fillojmë të merremi tani. Bashkë. Jo më Ri-lindje, por Ri-kthim. Rikthim i Ilir Metës në të majtë edhe më fuqishëm se në vitin 2007. I mbijetuar dhe i fuqizuar. Pse jo si 14 vite më parë? E mendon, por nuk e thotë. Në mos më 2013-n një tjetër vit do të rindodhë. S’është larg. E në qoftë larg, ai ka kohë të presë. Me durimin e grabitqarit.
SALI BERISHA SHENJON TERRITORIN RISHTAS TE LIRE.
Sali Berisha kishte kohë që e priste lëvizjen e Ilirit. Grabitqari e njeh grabitqarin. E njëjta specie, ndonëse jo e njëjta familje. I kishte peshuar të gjitha alternativat. Ilir Meta aleat me të – fitore e sigurt, por i kuptonte ambiciet e tjetrit që s’mund të realizoheshin me të. Ilir Meta në mes – varianti më i mirë. Por këtu nuk i dilnin Ilirit llogaritë. Ilir Meta me Edi Ramën. Kokën lëngshin. Ose ngjala. Në i mundsha të dy – fitorja e madhërishme. Në e mundshin – humbje dinjitoze. Tek e fundit, krahët i ka të mbrojtur e mund të presë me durim, për vete a pasardhësin e të vetët, që ata të fillojnë luftën për ndarjen e presë. Nuk do vonojë.
Mbush çdo boshllëk që lë Iliri. Me shpejtësi. Plotëson ekipin me personalitete që, veç e tok, emetojnë sinjale të shumëfishta rigjenerimi të ekipit të tij që e ndërmori sapo iu dha mundësia që më parë nuk e kishte. Afron këdo. Unifikon të djathtën. Jo ata që vazhdojnë ta teprojnë. Askush që ka votuar majtas. Asnjë faqezi. Këta janë pseudo të djathtë. Afrimi i tyre do të ishte shenjë dobësie. Dikush duhet të mbesë jashtë. Ndëshkim që tregon forcë dhe siguri. Mobilizon ekipin. Shënjon territorin. Asnjë mandat më pak se 71. Kaq del nga llogaritjet aritmetike të ekipit të sotëm me votat e 2009-s.
TRIUMVIRAT
Dy muaj triumvirat deri në zgjedhje.
Edi Rama – Forca e Shembullit se si nuk fitohet, se si nuk pranohet humbja e se si kërkohet fitorja me çdo çmim, paturpësisht e vendosmërisht.
Ilir Meta – Shembulli i Forcës së ikjes, kthimit, riikjes e rikthimit.
Sali Berisha – Edhe Forcë, edhe Shembull, në fitore dhe humbje.
/Panorama/