Tryezat “boshe” të PS-së

23/07/2012 - 00:00

 

Pak kohë më parë Partia Socialiste ka prezantuar në Përrenjas programin e saj politik për çështjen e minierave. Takimi është zhvilluar në ambient të hapur, përpara ish-depove të produktit që grumbullohej nga minierat e kësaj zone dhe që sot janë jashtë funksionit për fat të keq. Në cilësinë e deputetit të zonës së Librazhdit, Taulant Balla u shpreh se në themel të programit politik për minerat është statusi i minatorit dhe menaxhimi i minierave në mënyrë transparente, duke akuzuar Kryeministrin se minierat shfrytëzohen nga të afërmit e tij dhe se minatorët jetojnë në varfëri të plotë, ndonëse jetojnë mbi pasuri nëntokësore. Sekretari i Programit Politik, Ilir Beqja i cili shoqëronte në atë takim Taulant Ballën tha se Shqipëria është një vend i pasur me minerale, por keqmenaxhmi i tyre ka bërë që shumë minatorë të jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Realisht në pozicionimet politike si dhe periudhën që po vjen, afrimi i zgjedhjeve të përgjithëshme 2013 takime të tilla janë mëse të zakonshme.

Takimi i z.Balla dhe z.Beqiri erdhi disa ditë pasi një aksident tragjik në një prej minierave të Bulqizës i mori jetën një minatori në atë zonë. Interesant është fakti që menjëherë pas vdekjes të minatorit, z.Balla zbarkoi në zonën e tij zgjedhore dhe shpalosi programin e PS-së për minierat. Fillimisht mendova se ka vërtët një plan të detajuar sesi mund të zhvillohet më mirë menaxhimi i minierave dhe në këtë mënyrë klikova nëpërmjet internetit në faqen zyrtare të Partisë Socialiste www.ps.al dhe u mundova shumë të gjeja diçka që fliste për statusin e minatorit dhe menaxhimin e minierave, ashtu siç ishte shprehur edhe z.Balla në Përrenjas). Realisht në programin “Për një rilindje Shqiptare” një program deri diku politik i PS-së në pjesën apo kapitullin e “Rimëkëmbjes së Ekonomisë” nuk përmendet në asnjë paragaf statusi i minatorit apo menaxhimi i minierave.  Pavarësisht propagandës boshe ideja e parë që të jep një angazhim i tillë nga drejtues të lartë të PS-së është tepër negativ dhe poshtërues për vetë elektoratin e majtë dhe më pas mbarë kombin.

Promovimi i një menaxhimi efikas dhe të suksesshëm në rradhë të parë vjen në një format që idetë tuaja ose me saktë idetë e subjektit që përfaqëson të jenë minimumi të formësuara në një draft të veçantë apo në një strategji. Proçesi i tryezave të fushave të ndryshme ka marrë një konotacion qesharak për drejtuesit apo deputetët e PS-së. Në një situatë të ngjashme, aq sa krijon edhe grimca komike, (nëse marrim shembullin e tryezës për Turizmin zhvilluar pak kohë më parë në një prej resorteve turistike në Durrës, ku me ngut të madh PS-ja jepte direktiva drejtuesve lokale të PS-së dhe deputetëve që të ishin të pranishëm në takim pasi do flisnin për një tematikë tepër të rëndësishme dhe ku deputetët e përgjumur të PS-së u njohën me tematikën apo tryezën vetëm kur lexuan banerin pas shpinës së Kryetarit të PS-së Rama).

Filozofia e strategjisë opozitare mendoj nuk vjen si pasojë e tryezave të cilat marrin shkas nga zhvillime të ndryshme të ditës, me fjalë më të thjeshta një fatkeqësi në një minierë në Bulqizë nuk mund të iniciojë një tryezë për (statusi i minatorit dhe menaxhimi i minierave). Drejtuesit e PS-së nëse kërkojnë të vijnë në pushtet duhet të qartësojnë idetë dhe mendimet e tyre dhe më pas t’i formësojnë ashtu siç duhet në një program pasi të tilla kanë shumë, por mesa duket kanë harruar të shkruajnë pjesët më thelbësore.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: