Turizëm pa edukim profesional??!! Mision i pamundur!!!

01/07/2013 - 20:45

Nga Elvis Kotherja

Tashmë e pranuar publikisht nga shqiptarët, por edhe nga politika, se industria e turizmit është një nga degët e rëndësishme të ekonomisë shqiptare, për arsyet që dihen, dhe nuk është nevoja t’i ripërsërisim. Në realitetin e sotëm me një industri turizmi relativisht primitive, joformale e të paorientuar drejt, tri janë sfidat kryesore: 1- përmirësimi i strukturave, 2- kurimi i imazhit të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar dhe 3- edukimi profesional në sektorin e turizmit. Në një plan afatshkurtër, tri sfidat, që mund t’i quajmë “Reforma për sektorin e turizmit” duhet të nisin menjëherë, por në afatgjatë, edukimi profesional në sektorin e turizmit do të mundësojë përmirësimin e strukturave të saj, si dhe kurimi i imazhit do të bëhet i qëndrueshëm për të garantuar një të ardhme brilante të kësaj industrie. Sipas Xhon Dju “Arsimi është metodë bazale e përparimit dhe e reformimit social të një kombi” dhe kjo thënie është më se e vërtetë. Në cilësinë e një sipërmarrësi dhe si anëtar i Shoqatës së Turizmit, sot ne e ndiejmë më shumë këtë mungesë të edukimit profesional, në biseda të përditshme me kolegë dëgjojmë rëndom problemet serioze ku në zhargonin e përditshëm quhet “mungesa e stafit të trajnuar apo edukuar posaçërisht në turizëm”, e kjo mungesë është evidente dhe në institucionet publike të cilat i shërbejnë turizmit. Për shkak të mungesës së të edukuarve specifikisht në turizëm në institucionet private apo publike, pozicionimi Shqipërisë në një rajon me turizëm të zhvilluar dhe në sajë të konkurrencës rajonale, sot bizneset e turizmit në Shqipëri kërcënohen rëndë dhe janë në risk. Duhet ritheksuar dhe e ripërsërisim ky “Risk” vjen si rrjedhojë e kësaj anomalie në sistemin kombëtar të edukimit profesional posaçërisht për industrinë e turizmit. Të dyja palët, opinioni publik dhe politika duhet ta pranojnë se: “Edukimi profesional në turizëm” është themeli i krijimit të një industrie turizmi të zhvilluar.

Në korrik 2010, një delegacion nga Berlini mbërriti në Shqipëri. Ai përfaqësohej nga katër personalitete të Turizmit botëror të një institucioni prestigjioz ndërkombëtar me qendër në Berlin. Kjo ishte një iniciativë personale në cilësinë e anëtarit të shoqatës ATA, në bashkëpunim me “ish-presidentin e ATA” në atë kohë z. Gerxhani, që ndanim të njëjtin mision dhe pasion për të zhvilluar turizmin në Shqipëri, të cilin vazhdojmë ta kemi dhe sot. Përveç takimeve zyrtare me dy ministrat, në MASH dhe MTKRS, u organizua edhe një tryezë e rrumbullakët ku ishin të pranishëm dy zv.ministra nga MASH dhe MTKRS,si dhe pjesëmarrës nga Shoqata e Turizmit, Dhomat e Tregtisë, punonjës të administratës publike AKT, MTKRS e MASH. Takimi ishte shumë i frytshëm dhe tepër i vlefshëm, i cili përcaktoi se, fati i turizmit në Shqipëri lidhej pazgjidhshmërisht me “Edukimin Profesional në Turizëm”. Në këtë takim u prezantua për herë të parë një sistem shumë i suksesshëm në Gjermani “Dual system”. Ky sistem kombinon teorinë me praktikën dhe implementohet që në shkollën e mesme, duke u pasuar në sistemin arsimor të lartë, bachelor e master profesional dhe për t’u përmbyllur me master shkencor, doktoratura, etj., në përputhje me “Kartën e Bolonjës”. Në dyer të institucioneve trokitën dhe na sugjeruan pas një studimi të tregut dhe ekspertizës profesionale nga profesionistë të rangut ndërkombëtar. Asgjë nuk ndodhi më tutje, u harrua dhe askush nuk e kuptoi se cilat personalitete na trokitën në derë?! Pse trokitën?! I kujt ishte interesi?! Cilët ishin përfituesit?!

Maj 2013, në bashkëpunim me lektorët e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, përkatësisht me dekanatet e Fakultetit Ekonomik dhe Shkencave Humane u zhvilluan dy aktivitete për t’i prezantuar studentëve dhe pedagogëve Edukimin Profesional në Turizëm, duke informuar studentët dhe lektorët në lidhje me të mirat që sjell “Dual system”. Fatmirësisht reagimi nga baza ishte shumë pozitiv qoftë nga ana e stafeve pedagogjike, por dhe nga studentët. Pas aktiviteteve u bë vlerësimi me anë të pyetësorëve (të dokumentuara e arkivuara) dhe gati 90% e studentëve e shohin si një mundësi shumë të mirë për të ardhmen, jo vetëm si mundësi edukimi, por dhe si mundësi punësimi gjatë kohës që studiojnë në universitet, e për më tepër më pozitive ishte angazhimi i lektorëve për ta çuar me tej këtë iniciativë duke marrë përsipër të kontribuojnë në realizimin e kësaj iniciative të domosdoshme. Përparësia që ka Elbasani në pilotimin e “dual system” në sektorin e turizmit konsiston së pari në traditën e këtij qyteti për arsimin “jo vetëm implementimin, por dhe përhapjen në shkallë kombëtare”, pozicionin gjeografik, “afërsia me Tiranën që pritet të shkojë 20 minuta, Durrësi, 50 minuta dhe Pogradeci 75 minuta” dhe së fundmi numrin e lartë të të papunëve kryesisht të rinjtë.

1 qershor 2013, në të përditshmen “The Economist”, znj. Ursula Von Der Leyen, ministrja e Punës, në Gjermani, do të shprehej qartë: vendet me papunësinë më të ulët në BE, sidomos për moshat e reja mbeten Gjermania, Austria dhe Zvicra, kjo për arsye të sistemit të edukimit profesional “Dual system”. Më tej thuhet se Gjermania dhe Austria e kanë nivelin e papunësisë në 8%, ndërkohë që Spanja me papunësi 56% dhe Italia me 38%. Lajm i mirë është nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit midis Gjermanisë në një krah dhe Greqisë, Italisë, Letonisë, Portugalisë, Sllovakisë dhe Spanjës për të reformuar sistemin e edukimit profesional, duke implementuar “Dual system”, i cili do të jetë si një reformë për të ulur papunësinë në një të ardhme të afërt. Po të kishim reaguar që në 2010-n, të paktën sot, ministrja gjermane e Punës do të na kishte përmendur në “The Economist”. Shqipëria ka përparuar në këtë drejtim dhe është në drejtimin e duhur. Fatkeqësisht mënyra miope e të parit ngushtë të problemit nga ana e krerëve të institucioneve publike nuk na lejoi që sot të ishim ndër vendet avangardë për të implementuar “Dual system” në sektorin e turizmit dhe më pas në degë të tjera të ekonomisë.

Shqipëria në rrugën e saj për t’u integruar në BE, e ka obligim implementimin e “Dual system” në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë ku dhe turizmi bën pjesë. Ky model është një koncept i panjohur në sistemin tonë arsimor. Nga mediat shpesh dëgjojmë të flitet për termat e edukimit, ajo që të bën përshtypje është se ende nuk është ndarë koncepti themelor në arsimin e lartë. Në arsimin e mesëm kemi “shkolla të mesme të përgjithshme” dhe “shkolla të mesme profesionale”. “Dual system” kërkon që i njëjti koncept duhet patjetër të vendoset si standard dhe në arsimin e lartë, ku duhet të kemi “shkolla të larta të përgjithshme” dhe “shkolla të larta profesionale”, profesionali dallon sepse duhet të jetë i lidhur ngushtësisht me bizneset që garantojnë dhe punësimin e studentëve.

 “Dual system” është sistem edukimi profesional, i cili, paraprihet nga studimi demografik i rajoneve dhe profilit ekonomik të tyre. Për sa i takon mënyrës së organizimit, ai është i lidhur ngushtësisht me biznesin, thënë ndryshe me tregun e punës. Ky sistem fillon dhe prek që në fillimet e tij, menaxhimin e “institucioneve të mesme apo të larta publike” nga bordet drejtuese, ku pjesa më e madhe e anëtarëve janë lektorët dhe pjesa e mbetur anëtarë nga bizneset apo shoqatat e turizmit. Fillimi i implementimit nis me trajnimin e stafit pedagogjik, “train the trainees”, implementimi i kurrikulave, baza materiale për shkollat e mesme profesionale ku profesionet janë të shumta, të cilat fillojnë me bazat e përgjithshme (1 vit) 2 vite specializim në profile si p.sh. “menaxhim hotelerie” apo “menaxhimi i operatorëve turistikë” e shumë e shumë profesione të tjera. Njëkohësisht studenti e bën praktikën në një biznes privat, mbaron të mesmen trevjeçare në marrëdhënie pune, mund të qëndrojë në punë dhe mund të rifutet në bachelor pa shkëputje nga puna, njëkohësisht ka të drejtën pa u shkëputur nga puna të vazhdojë më tej me mastera profesionalë dhe shkencorë etj. Ndërkohë që dhe niveli i mësimdhënies rritet sepse, studentët e njohin nga afër profesionin duke e praktikuar dhe me standardet e reja dhe vetë lektorët e kanë të detyrueshme që në çdo 2 vite, 6 muaj pune t’i bëjnë në biznese private, kuptohet në nivele menaxhimi të lartë, e gjitha kjo është për t’u azhurnuar me risitë e industrisë që në këtë rast është ajo e turizmit. Kjo situatë ndryshon marrëdhënien student-lektor ndryshe nga tani. Motivohen të dyja palët, të cilat krijojnë bashkëbisedim, argumentojnë mbi eksperiencat, faktet, realitetin dhe krijohet një marrëdhënie e re, e cila më së shumti i jep një dimension të ri shkëmbimit të eksperiencës, pedagogjisë dhe informacionit duke përmirësuar dhe cilësinë e studentëve dhe lektorëve.

Ku qëndron përparësia e këtij sistemi?

• Integron lektorët dhe pedagogët të bëhen pjesë e rrjetit ndërkombëtar të kësaj industrie, duke u trajnuar në sisteme menaxhimi dhe operative të kompanive ndërkombëtare.

• Integron rininë në tregun e punës, duke dhënë mundësi të punojë duke mos iu bërë barrë familjes dhe ekonomisë kombëtare e për më tepër nxit reflekset e punës të cilat janë të domosdoshme për të ardhmen e tyre.

• Eliminon risqet për kompanitë ndërkombëtare të cilat potencialisht mund të investojnë kapitale në Industrinë e Turizmit në Shqipëri dhe ndihmon në thithjen e investimeve të huaja në “sektorin e turizmit”

• Integron në tregun e punës gjininë “femërore”

• Integron personat me aftësi të kufizuara, komunitetin rom, pakicat etnike etj.

• Duke qenë publik, garanton barazinë shoqërore pavarësisht statusit financiar të familjes së studentit.

• Për studentët “jo formalë”, për ata që janë në moshën mbi 23-50 vjeç, garanton kurse 6-mujore ose 1-vjeçare të specializuara për të marrë certifikata për profesione si; recepsionist, kamerier, bufetier, animator, shofer, kjo i mundëson të kualifikohen dhe punësohen më lehtë.

• Dhe e fundit, certifikata apo diploma njihet në Bashkimin Europian, e garantuar nëpërmjet standardit të kurrikulave në përputhje me “Kartën e Bolonjës”.

Në krizën financiare dhe rritjen e papunësisë në Shqipëri sot, nuk duhet t’i trembemi së ardhmes, sepse burimet humane, natyrore dhe asetet kombëtare janë ende të pashfrytëzuara. Duhet të ndryshojë mentaliteti i mbrapshtë i politikës dhe administratës publike, të cilat me pasivitetin dhe papërgjegjshmërinë e tyre kanë lënë një shije jo të mirë sot për kredibilitetin e institucioneve shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Edukimi profesional duhet të bëhet nga shqiptarët, me asistencën e miqve europianë të cilët na ofrojnë asistencën dhe menaxhimin madje dhe grante financiare. Të mos mendojë askush në administratën publike se do të na vijnë europianët me thesin e parave në kurriz, me koncepte, ide, menaxhim dhe “NE” të rrimë duarkryq për të pritur që ata të bëjnë detyrat tona. Jo, kjo mënyrë nuk shkon, duhet shqiptarët jo vetëm të punojnë, por dhe të kuptojnë se pa punuar askush nuk të ndihmon, institucionet europiane e ndërkombëtare ndihmojnë kur shohin që institucionet jo vetëm bëjnë punën e tyre por madje e vlerësojnë këshillën profesionale. Si përfundim, shqiptarët dhe politikanët duhet të jenë koshientë se turizmi pa qenie humane nuk mundet të zhvillohet, prandaj nëse do dëgjoni të thuhet nga politikanët “Turizmi Prioritet”, pyetja e parë që shqiptarët duhet t’u drejtojnë është, a mundet të kemi turizëm të zhvilluar pa ndërtuar themelin e industrisë që ka lidhje me burimet njerëzore “edukimin profesional në turizëm”??!!

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/07/01/turizem-pa-edukim-profesional-m...

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: