Zgjerimi i ujërave territoriale greke dhe zvogëlimi i hapësirave detare shqiptare

27/08/2020 - 09:51

Nga Prof. Asoc. Dr. Osman Metalla

Më duhet të them që në krye të herës se është i drejtë reagimi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë mbi faktin që shteti grek ka të drejtën e zgjerimit te ujërave territoriale deri në kufirin e 12 miljeve sikurse parashikohet dhe në nenin 3 të Konventës së Ligjit të Detit (UNCLOS) apo Konventën e Montego Bay-t. Kjo Konventë i jep të drejtën shteteve të vendosin një gjerësi të ujërave territoriale deri në kufirin që nuk i kalon 12 milje detare të matur nga vija bazë e përcaktuar në përputhje me këtë konventë.

Por deklarimi se zgjerimi i gjerësisë së detit territoriale nuk ka asnjë efekt mbi ndarjen e detit Shqipëri-Greqi me duket amatoresk për të mos thënë djallëzor. E përsëris që shtetit grek e drejta e zgjerimit të detit territorial i buron nga Konventa, dhe këtë të drejtë në asnjë rrethanë nuk mund t’ia kërkojë palës shqiptare apo të deklarojë sikundër bëri ish-Ministri i Jashtëm grek kohë më parë së pala shqiptare ka rënë dakort në lejimin e Greqisë për zgjerimin e gjerësisë së detit territorial. Kjo është e drejtë e shtetit grek dhe këtë të drejtë ai e zgjidh nëpërmjet institucioneve kombëtare dhe njëkohësisht duke bërë deklarimet përkatëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për delimitimin e ujërave detarë ndërmjet dy vendeve kanë nisur që në vitin 2008. Në vitin 2009 u arrit një marëveshje e cila sikurse është bërë e ditur në mbarë opinionin publik, u nulifikua nga ana e Gjykatës Kushtetuese për arsyet që tashme dihen botërisht dhe janë të publikuara në këtë vendim gjykate. Pavarësisht mangësive që kishte ajo marëveshje, në negociatat e asaj kohe në asnjë rast nuk u diskutua dhënia e të drejtës palës greke në gjerimin e gjerësisë së detit territorial nga 6 në 12 milje detare. Ajo marrëveshje u hartua duke respektuar deklarimet e bëra nga pala greke, rrjedhimisht gjerësia e detit territorial për palën greke u konsiderua 6 milje detare.

Në atë kohë pati pretendime të forta nga ana e Partisë Socialiste, e cila akuzoi mazhorancën se shiti detin dhe favorizoi shtetin grek. Akuzat ishin lidhur me plotfuqishmërinë e grupit negociator, kapërcimin e kompetencave, mospërcaktimin e vijës bazë, çështjen e shkëmbit “Barketa” dhe se negociimi ishte bërë në fshehtësi dhe pa informuar opinionin publik e kështu me radhë, për të ardhur tek fakti i pretenduar nga ana e Partisë Socialiste se kufiri ekzistonte dhe se nuk ishte nevoja për të bërë një marrëveshje të re.

Po e nis nga kjo e fundit, domethënë nëse ekzistoka një kufi dhe, mazhoranca e asaj kohe bëri një “çmenduri” duke arritur një marrëveshje për delimitimin e ujërave detarë, atëherë përse ata që akuzuan dje se ka një kufi detar dhe se nuk është nevoja të bëjmë marrëveshje me Greqinë rinisën negociatat për një marrëveshje të re?

Së dyti, nga të gjitha pretendimet e ngritura kundër marëveshjes së parë të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, cilat çështje janë adresuar në marrëveshjen e dytë?

Së treti, në atë kohë u akuzua mazhoranca për negociata të fshehta, cili është informacioni që ka marrë publiku lidhur me vijimin e negociatave të zhvilluara nga grupi negociator? Sinqerisht këtu me duhet të falënderojmë palën greke, e cila e ngazëllyer nga arritjet në negociatat me palën shqiptare e ka informuar periodikisht publikun e saj, dhe në ç’do rast ne jemi informuar edhe ne.

Së katërti, a janë marrë në konsideratë rrethanat e reja të krijuar nga precedentët ndërkombëtare që kanë ndodhur në harkun kohor nga marrëveshja e vitit 2009 e deri më sot? 

Që të gjykojmë lidhur me atë çfarë është diskutuar apo arritur lidhur më marrëveshjen e re, është krejtësisht e kotë pasi përveç deklaratave të palës greke opinioni publik shqiptar nuk ka asnjë informacion. Por të deklarosh se zgjerimi i ujërave territoriale greke nga 6 në 12 milje nuk ka asnjë efekt në delimitim është keqinformues për opinionin.

Negociatat për marrëveshjen e re kanë filluar të pakten para një vit e gjysmë, dhe deri më sot Greqia nuk ka bërë as një njoftim në OKB lidhur me zgjerimin e detit territorial. Sot kur palët pretendojnë se kanë arritur një marrëveshje (për të cilën ka zero informacion) pala greke ndryshon deklarimet. Një gjë e tillë nuk është aspak e paqëllimtë. Nëse do t’i referohemi fakteve, vërejmë që pala greke natyrisht po bën lëvizjen e radhës për t’i paraprirë çdo vendimi të mundshëm, edhe në rast të refuzimit të marrëveshjes së radhës nga pala shqiptare (megjithëse në këtë vënd nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe momenti për arritjen e një marrëveshje të tillë nuk duket i rastësishëm). Nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje brenda një periudhe kohë të arsyeshme, shtetet do t’i drejtohen procedurave të parashikuara në Konventë, pra pasi të konsumohen të gjitha mjetet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve do ti drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare.

Por çfarë ka ndodhur nga marrëveshja e parë deri më tani? Në delimitimin e zonave detare, Konventa përcakton si metodë atë të baraslargësisë në delimitimin e detit territorial ndërsa në ndarjen e zonave ekonomike ekskluzive, nuk përcakton një metodë specifike. Kjo për faktin se delimitimi është një ushtrim mjaft i vështirë ku duhet të meren në konsideratë një sërë faktorësh, duke filluar me morfologjinë ë bregut, konkavitetin apo konveksitetin e vijës bregdetare, tiparet e ndryshme gjeografike të cilat mund të prodhojnë pabarazi në ndarjen e burimeve, titujt historikë, gjiret, efekti i ndërprerjes (cut off), e shumë faktorë të tjerë.

Ndaj dhe nuk ka një metodë të mirëfilltë ndarje, por rekomandohet të zbatohet parimi i barazisë apo siç njihet ndryshe me termin “equity”. Pikërisht për këtë qëllim në shumicën e rasteve përdoren dhe precedentët e ndryshëm të vendosura nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ).  Në këtë kuadër një rast tepër interesant është dhe rasti i delimitimit të ujërave detarë ndërmjet shtetit të Bangladeshit dhe shtetit të Myanmarit në gjirin e Bengalit.

Iu referova këtij rasti për faktin se pothuaj në mënyrë identike sikurse është rasti i ishullit të Korfuzit, është dhe rasti i ishullit të Saint Martin (Bangladesh), i cili është i pozicionuar përballë vijës bregdetare të shtetit të Myanmar-it. Këtë rast e ka trajtuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke i dhënë efekte të plota këtij ishulli sa i përket të drejtës për det territorial (sipas përcaktimeve të nenit 121 të Konventës) dhe kur diskutohet për Zonën Ekonomike Ekskluzive, edhe përse ky ishull ka një sipërfaqe prej 8 km2 dhe një popullsi prej afro 7000 banorësh dhe pret afro 360.000 turistë në vit, gjykata vendosi ndryshe.

Në vendimin e Gjykatës thuhet: Gjykata vëren se efekti që i duhet dhënë një ishulli në delimitimin e zonës ekonomike ekskluzive dhe të shelfit kontinental varet nga realitetet gjeografike dhe rrethanat e rasteve specifike. Secili rast është unik, dhe qëllimi final është të arrihet një zgjidhje e barabartë.

Ishulli St. Martin është një tipar i rëndësishëm i cili duhet konsideruar në rrethanat përkatëse të rastit në fjalë. Sidoqoftë, për shkak të vëndndodhjes së tij, dhënia e efekteve të plota këtij ishulli në delimitimin e zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfin kontinental do të rezultonte në një vijë bllokuese në drejtim të detit nga bregu i Myanmar-it në mënyrë të atillë që do të shkaktonte një deformim të padëshiruar të vijës delimituese (ndarëse). Efekti i deformimit të një ishulli në vijën e baraslargësisë do të rritej në mënyrë të dukëshme ndërkohë që vija ndarëse spostohet përtej distancës 12 milje nga bregu.

Për arsyet e mësipërme, Gjykata vendos që ishulli St. Martin nuk përbën një rrethanë relevante dhe për këtë arsye nuk i jepet ndonjë efekt në delimitimin e zonës ekonomike ekskluzive dhe të shelfit kontinental.

Për analogji, ishujve Grek të Othonoit me një popullsi prej 392 banoresh (2011) dhe ishullit të Erikuzës me një sipërfaqe prej 3,65 km2 dhe popullsi prej 496 banorësh në marrëveshjen e vitit 2009 i është dhënë efekt i plotë. Nëse mbështetur në këtë precedent të ICJ-së, këtyre ishujve nuk do t’iu jepej efekt i plotë por vetëm e drejta e detit territorial atëherë, çështja ndryshon dhe natyrisht në këtë rast krijon efektet e tij dhe zgjerimi i detit territorial nga 6 në 12 milje detare. Nëse mbështetur në precedentin e mësipërm, këtij ishulli do t’i jepej vetëm efekti i detit territorial dhe jo e drejta e ZEE, ndryshimi i zgjerimit të gjerësisë së detit territorial është i ndjeshëm në zvogëlimin e hapësirave detare shqiptare.

Nuk jemi në rastin e distancave Greqi-Egjipt, Greqi-Itali, apo dhe Itali-Shqipëri, pasi në këto distanca nuk diskutohet për delimitim të detit territorial, por vetëm të ZEE dhe shelfit kontinental, por në rastin konkret distancat janë modeste dhe natyrisht zgjerimi i detit territorial ka efekt në delimitim. Ndaj le t’i themi gjërat siç janë. Zgjerimi i gjerësisë së detit territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare padiskutim që prodhon efekte dhe ndikim në hapësirat detare shqiptare. Njëkohësisht dhe diskutimi mbi dhënien e efekteve të plotë apo jo të ishujve në zonat ekonomike ekskluzive mbështetur dhe në precedentët ndërkombëtarë është një çështje e cila nuk duhet injoruar dhe kaluar në heshtje.

Në këtë analizë të thjeshtë u ndala në disa aspekte teknike, por problemi më i madh nuk është pjesa teknike, pasi atë se pyet njeri, por politika e cila të tilla marrëveshje i ka bërë domein të vetat, por dhe armë për të sulmuar kundërshtarin. E ku ka më lehtë se ta sulmosh kundërshtarin duke e etiketuar si tradhtar e shitës të pasurive kombëtare. Efektet e kësaj lufte janë të pallogarithsme në dëm të vendit.

Deti është pasuri kombëtare dhe si e tillë ndjeshmëria është kombëtare dhe jo politike, ndaj dhe në një çëshje të tillë kaq të ndjeshme për mbarë opinionin, pjesëmarja dhe transparenca ne vendime është thelbësore në pranueshmërinë e një marrëveshjeje të mundëshme. Para dy vitesh kur filluan negociatat për këtë marëveshje kam shkruar pikërisht këtë shqetësim- që marëveshja është arritur politikisht dhe i prezantohet teknicienëve për ta noterizuar.

Në një kohë që procesi i arritjes në një marrëveshje është një rrugë mjaft e gjatë. Fillon me ngritjen e grupit negociator, ku në përbërje të tij duhet të ketë pjesëmarrës nga të gjithë grupet e interesit. Grupi duhet të ketë dhe përfaqësi të pozitës dhe opozitës, pasi një çështje e tillë nuk është politike dhe si e tillë të mund të përdoret edhe si kalë beteje, por është një çështje kombëtare.

Grupi negociator duhet të njihet gjerësisht me të gjithe rastet dhe praktikat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe rastet e suksesëshme të delimitimit të vëndeve të ndryshme për të marrë prej tyre të gjithë elementët referues. Grupi duhet të hartojë fillimisht projektin e tij duke përcaktuar vijën bazë, dhe ngritur të gjitha pretendimet me argumentat bashkëlidhur. Pasi t’i ketë pjekur mirë të gjithë argumentat mes anëtarëve të grupit por dhe grupeve të interesit (universitetet përfshirë), nis negociatat. Natyrisht kjo është koha për të nisur negociatat, dhe jo një javë pasi konstituohet grupi fillojnë negociatat sikurse dhe ndodhi. 

Uroj që vizita e ardhshme e Ministrit të Jashtëm të Greqisë në Shqipëri të mos jetë vizita e nënshkrimit apo dakordësimit të marrëveshjes, por e një reflektimi të palës shqiptare për t’u përkushtuar seriozisht e përgjegjësisht për arritjen e një marrëveshje të merituar dhe të drejtë për palët.

Prof. Asoc. Dr. Osman Metalla

Dekan Fakulteti i Studimeve Profesionale

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: