Nga Ermal Mulosmani

“Një dramë njerëzore është tragjedi, miliona drama janë statistikë”! Kjo shprehje cinike e një prej diktatorëve më gjakatarë të njerëzimit, Josif Stalin,  m’u kujtua  kur pashë lajmin e Alvinit, vogëlushit shqiptar të burgosur në kampet e shkretëtirës, atje ku e çoi e ëma kundër vullnetit të tij, në luftën e shenjtë për Zotin!

Udhëtimi i gazetarit italian në Siri, së bashku me babain e Alvin-it, më bëri të kuptoj më shumë se mijëra kronika televizive nga terreni,  më shumë se të gjitha lajmet e ardhura nga fronti i luftës e të lexuara shkujdesshëm ku flitet për fatin e qindra mijëra sirianëve, myslimanëve, turqve, kurdëve, dreqit apo të birit.  Më bëri të kuptoj, për fat të keq, profecinë cinike të gjakatarit gjeorgjian.

Ishte e pamundur ta nisje e mos ta çoje deri në fund atë makth, atë vuajtje njerëzore të përzier me shpresë dhe zhgënjim brenda… Më duhet ta vazhdoj prapë referimin e nisur më lart, me një rus tjetër, gjenialin Dostojevski. Në kryeveprën e tij “Vëllezëerit Karamazov”, ka një kapitullin ku flet për harmoninë e përjetshme, momentin kur njerëzimi do arrijë paqen sublime. Për të arritur te ai moment -thotë Dostojevski- njerëzimi duhet të kalojë shumë prova, shumë vuajtje e sakrifica, luftëra, vdekje.

Por:

“Nëse si kusht për arritjen e kësaj paqeje sublime, kësaj harmonie të përjetshme, duhet qoftë edhe një lot fëmije, atëherë unë atë lloj lumturie e refuzoj. Bileta për në parajsë qenka shumë e shtrenjtë, unë refuzoj ta paguaj atë çmim. Nëse një lot fëmije duhet për të farkëtuar lumturinë tonë të ardhme kjo nuk është lumturi”! Kjo më erdhi në mendje kur e pashë dhe ripashë videon në fjalë…

Një ditë, nëna mori Alvinin 4 vjeçar dhe iu përgjigj “thirrjes” së Zotit për të luftuar në Siri, në luftën e shenjtë. As nuk kam të drejtë e as imagjinatë ta arsyetoj vendimin e saj. Alvini 4 vjeçar ndoqi nënën luftëtare duke kaluar në të nëntë rrathët e ferrit deri sa pa edhe vdekjen e saj. I tmerruar dhe i vetmuar, në kampin më të tmerrshëm që imagjinata mund të prodhojë, Alvini me ndihmën e misonareve të Kryqit të Kuq shkruan 3-4 rreshta letër për babain:  “Më ka marrë malli baba. Të lutem eja e më merr”!

Nuk e di se çfarë bëri ai baba kur mori atë zarf nga fundi i oqeanit, zoti mos më provoftë me një tmerr të tillë. Por, Afrimi përmblodhi veten dhe u nis në kërkim, bashkë me gazetarin e njohur të “Le iene”. Pas shumë peripecish, ata zbuluan kampin ku ndodhej Alvin- oh, -ky nuk është një rrëfim për zemra të dobëta-takimi i babait me birin e tmerruar tejkalon edhe imagjinatën më sentimentale të skenaristëve hollivudianë! Përqafimi i pafund i Alvin- “Kampionit”- me babain është gjëja më e trishtueshme që më kanë parë sytë ndonjëherë. Zëri i Kampionit nuk është zë fëmije, zëri i tij nuk ka ngjyrë, nuk ka mall e as dashuri. Në zërin e tij ka veç frikë. Një frikë prej fëmije të burrëruar, një distancë prej shpresash të humbura. Ai ka vetëm një pyetje :”Kur do shkojmë, sonte?”

Papritmas babi Afrimi zbulon një plagë lufte  në thembrën e 9 vjeçarit. Menjëherë “Kampioni” përpiqet t’ia lehtësojë brengën babit “Nuk është asgjë, mundem me ecë”! Ky nuk është fëmijë, vuajtjet e kanë bërë burrë!

Por jo, nuk qenka e thënë! Për t’a lejuar Alvin-in të largohet nga kampet e tmerrit duhet një diplomat shqiptar (kështu thonë burgosësit të paktën).

Këtu futet në lojë ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Gent Gazheli, i cili premton se do të bëjë ç’është e mundur ta kthejë Alvinin në Shqipëri. Drama po luante aktin e saj të fundit. Babai duhej të ikte e ta linte të birin në ferr. Kur përpiqet t’ia shpjegojë të birit këtë- duhet talent letrar që nuk e kam për të përshkruar fikjen e shpresës së Alvinit, ndarjen me të atin dhe Alvin-in që ecte duke tërhequr këmbën e plagosur zvarrë…Ndërkohë i ati i binte murit me kokë.

Babain nuk e lënë të jetojë me të birin në kamp, ai duhet të kthehet… Ohhh, çfarë zhgënjimi… “Jo sonte”… Si more jo sonte!

Kanë kaluar shumë ditë që atëherë. Alvin-i vazhdon të jetë në ferr me shpresën e fikur, me zhgënjimin e radhës që këtë radhë mban emrin e babait, pa fajin e tij.

Ndërkohë që po shkruaj, Kryeministri po flet dhe shpjegon që kjo çështje nuk është problem i ambasadës por shumë më e komplikuar se kaq. Madje, tha që ka komunikuar edhe me babain e Alvinit dhe ia ka shpjeguar. A thua ti që babai i Alvin-it arrin ta kuptojë komplikimin që e detyron të birin Unë nuk jam i sigurtë nëse Alvin-i sot është gjallë. E nëse është gjallë a e mban akoma shpresën ndezur se dikur, dikush, do të vijë përsëri ta thërrasë. Nuk e di a e mban akoma shpresën se dikur do të dëgjojë sërish zërin “Alvinin e kërkojnë”… Kapitullimi i deklaruar i Kryeministrit për Alvinin ishte më i rëndë sesa dështimi i negociatave.