Përgjaken rrugët në Tiranë/ Vajzat bënin selfie dhe shkaktuan aksident

16/07/2016 - 15:14

Tri aksidente me 5 të plagosur dhe disa makina të shkatërruara kanë ndodhur dje në Tiranë, brenda pak orësh.

Aksidentet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, kur një shofer i dehur ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur me 6 makina të parkuara në anë të rrugës.

Për pasojë është plagosur ai vetë, si dhe dy pasagjerët që ndodheshin në makinë me të. Ndërsa makinat që ai ka goditur njëra pas tjetrës janë shkatërruar plotësisht.

Disa orë më vonë ndodhën edhe dy aksidente të tjera, që fatmirësisht u mbyllën pa pasoja të rënda, megjithëse dy kalimtarë mbetën të plagosur nga pakujdesitë e shoferëve. Të plagosurit janë dy kalimtarë, një burrë e një grua në moshë, që u goditën në dy zona të ndryshme të Tiranës, teksa kalonin nga njëra anë e rrugës në tjetrën.

I pari ndodhi në Rrugën Bardhyl dhe u shkaktua nga një 19- vjeçare që drejtonte një mjet tip “Smart”, ndërsa i dyti në Unazë, pranë ish-Tregut Dinamo. Në këtë ngjarje drejtuesi i mjetit nuk ndaloi, duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarja dhe ende nuk është identifikuar nga Policia.

Adoleshentja që drejtonte makinën tip “Smart”, me targë AA 433 LE, që shkaktoi aksidentin paraditen e djeshëm te Rruga Bardhyl, ka qenë duke bërë selfie me shoqen e saj që ishte pasagjere dhe nuk e ka parë kalimtarin.

Vetëm në momentin e fundit, kur i është afruar semaforit, ajo ka parë që një burrë po kalonte vetëm pak hapa para makinës, por nuk ka pasur kohë të frenojë.

Megjithatë, instinktivisht ka kthyer timonin, duke goditur fillimisht shtyllën e ndriçimin në trafikndarësen e Unazës, gjë që ka lehtësuar disi goditjen e kalimtarit. /Panorama

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: