Përse na trembin gjithmonë thinjat

07/01/2013 - 21:52

 

Tmerrohemi nga frika kur shikojmë fijen e parë të bardhë në kokë. Femrat dhe meshkujt çdo vit shpenzojnë shifra marramendëse për të fshehur efektet e kalimit të kohës, të paktën sa u përket flokëve

Me kalimin e viteve flokët humbasin ngjyrën e tyre natyrale, apo atë artificiale për t’u bërë pa jetë, e më pas të bardhë si bora. Nëse kjo ide na tmerron, duhet të dimë që ky është një fenomen me të cilin do të përballemi të gjithë, kush më herët e kush më vonë. Një nga pyetjet më të shpeshta është se çfarë duhet bërë kur shohim thinjat e para në flokë? Dhe përgjigjja është fare e thjeshtë. Asgjë, dhe pse ky moment nuk është aspak i lehtë dhe i këndshëm për t’u përballuar. Sigurisht që te disa flokët e parë të bardhë shfaqen më shpejt krahasuar me të tjerët, por në çdo rast, është më mirë t’i pranosh e të përshtatesh, sesa ta shndërrosh këtë në një dramë.

Fenomeni i flokëve të bardhë

Shfaqja e flokëve të bardhë është rezultat i zvogëlimit të melaninës. Ja sesi funksionon procesi i ngjyrosjes së flokëve: melanocitet, qelizat përgjegjëse për ngjyrën e flokëve, të qimeve dhe lëkurës, prodhojnë melaninën që në të vërtetë është një pigment i errët. Kjo e fundit transferohet te keratinocitet, qelizat që prodhojnë flokët, të vendosura te rrënjët. Ndërsa duke “prodhuar” flokët, këto qeliza kanë marrë shumë pigment të errët, atëherë ngjyra e flokëve do të jetë brune, në të kundërt do të jetë bionde. Me kalimin e viteve, flokët në mënyrë progresive bëhen të bardhë, sepse në rrënjë melanocitet janë ezauruar dhe janë zëvendësuar nga flluska ajri. Për të gjithë ata që nuk e dinë, flokët gri nuk ekzistojnë. Ajo ngjyrë rrjedh nga përzierja e flokëve me ngjyrë dhe atyre të bardhë. Në të vërtetë floku ka vetëm dy alternativa: me ngjyrë apo i bardhë.

Kur ndodh kjo

Mosha mesatare për shfaqjen e flokëve të parë të bardhë është 34 vjeç. Megjithatë ky proces mund të nisë edhe më herët, sepse “komunikimi” mes melanociteve dhe qelizave që prodhojnë flokët nuk bëhet në mënyrë korrekte. Ka edhe disa raste, edhe pse mjaft të rralla, kur ky proces mund të jetë i pakthyeshëm: në rast të një insuficence renale kronike, ose gjatë seancave të kimioterapisë. Hormonet dhe gjenetika janë mes përgjegjësve kryesorë të këtij tipi të disfunksionit anormal.

Lyerje apo jo?

Mund të vendosësh t’i pranosh flokët e tu të bardhë, pavarësisht nga mosha që ke, duke luajtur pak me ngjyrat që të shkojnë më shumë. Por nëse niset ky proces, ai duhet bërë vazhdimisht, për një kohë të papërcaktuar. Ka edhe gra që zgjedhin t’i mbajnë flokët ashtu natyralë pa i lyer, duke e pranuar me lehtësi këtë ndryshim. Ekspertët këshillojnë që në këtë kohë vëmendja të mos përqendrohet vetëm te flokët, por edhe tek aksesorët, te syzet dhe mbi të gjitha te stili i tyre.

Mundësitë më të mira për lyrje

Për biondet dhe kuqet: jeni me fat, sepse shfaqja e flokëve të bardhë nuk dallohet lehtë, duke u ngatërruar lehtësisht me ata natyralë e duke të lënë kohë të mjaftueshme për të vendosur se çfarë duhet bërë. Lyrja e flokëve me thinja shpesh është pak e vështirë për t’u kryer në kushtet e shtëpisë, sepse thinjat janë më të forta se flokët e tjerë. Kështu, nëse rreth 20-30 për qind e flokut tënd është e mbuluar nga thinjat, shampot ngjyrosëse mund ta zgjidhin lehtësisht këtë problem, por nëse flokët e bardhë janë më shumë, do të kesh nevojë për ndihmën e një parukeri. Ndryshe ndodh me brunet. Nuk ekziston asgjë më e mirë sesa lyerja e flokëve për të veshur thinjat. Megjithatë gjithmonë ka shpresë. Risia e fundit vjen nga laboratorët shkencorë, por që nuk do t’u pëlqejë aspak parukerëve. Studiuesit e një firme kozmetike franceze kanë deklaruar se më në fund kanë gjetur në ekstraktin e një fryti, i cili ruhet rigorozisht në fshehtësi, ilaçin kundër thinjave dhe premtojnë se do të nxjerrin në treg në vitin 2015 një përzierje që është në gjendje të ruajë ngjyrën e flokëve. Le të shpresojmë!

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: