PD- PS përplasje të ashpra për maturantët. Rama: Jeni djallëzorë

08/09/2016 - 17:47

Çështja e maturanteve është bërë objekt debati sot në seancën e Parlamentit. Ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi qeverinë duke i akuzuar se “zunë në pritë të rinjtë shqiptarë”.

Berisha u ndal tek cështja e maturantëve që protestojnë për Shkollën e Lartë, ku shumë prej tyre nuk kanë fituar asnjë degë, pavarësisht rezultatit të lartë në mesatare. Berisha tha se, kjo që po ndodh aktualisht, nuk ka të krahasuar as me diktaturën.

“Unë mbarova klasën e 7 në Tropojë dhe më doli bursa për Bashkimin Sovjektik, diktaturë ishte dhe të drejtën time e mora. Edhe në Tiranë erdha. Diktaturë ishte, por jo si sot. Këta vijnë sot në Tiranë dhe nuk marrin asgjë. Sot zgjedh ai i Superfresh me 10 preferenca, ai i paska fituar të dhjeta preferencat.

Shkoni në juridik shikoni, janë përjashtuar ata që janë me 9.7 dhe janë pranuar ata që kanë 7.9. se ky është mekanizmi që keni futur, se kriteret u bënë poshtërsisht, pasi kishin bërë zgjedhjet maturantët, iu dhanë efekt prapaveprues kritereve.

E çfarë ju thotë Edi Rama? U thotë shkoni të privati ju me 9 e 10, se nuk keni ku të shkoni tjetër”.

Berisha nga ana tjetër pohoi se ai ka qenë mbështetës i Universitetit privat, por theksoi se ndryshe nga Rama, ai nuk vrau shpresën e të rinjve.

“U keni zënë pritë të rinjve, u vratë ëndrrën”.

Ish-kryeministri kërkoi që të anulohet ky proces i pranimit në Universitete dhe të rishikohet sistemi.

Berisha foli edhe për raportin e sotëm të publikuar nga TIA për korrupsionin në Shqipëri. Berisha tha se TIA është e korruptuar nga Sorosi.

“Mirë këtë vit mund të mbrojë TIA dhe Sorosi që e korrupton TIA-n por korrupsioni në sistemin arsimor është forma më e egër e korrupsionit dhe ju do t’ia dëgjoni shumë shpejt gjëmën. Dëgjoni ju maturantë: Ju jeni njerëz të tradhtuar. Edhe ata që organizonin protesta me flamurin e marksizëm-leninizmit dhe nga ata pedagogë që ju dhanë tendera, ju duhet të luftoni, për veten dhe për të ardhmen e këtij vendit. Ne do ju mbështesim fuqimisht. Kjo që kanë bërë është një akt madhor, shkatërrim i sistemin universitar.

Më thotë një maturante: Fitova të drejtën në Athinë dhe më mohuan të drejtën në Tiranë.

Zonjë (Nikollës), njeri më i keqpërdorur në historinë e këtij se sa ju nuk është ulur aty. Mirë është që të konsiderosh procesin nga e para. Vetëm 2% e maturantëve të Fierit dhe flet për shanse të barabarta. Unë mora Fierin, mos u mashtroni! Janë gjithsej edhe 300 vende për t’u hapur. Gënjejnë këta”, tha Berisha.

Duke folur për marrëdhëniet e tij me arsimin e lartë gjatë kohës që ishte kryeministër, Berisha tha se mosmarrëveshja e vetme ishte ngritja e pragut.

“Diskordanca ime me sektorin privat ishte vetëm një, sepse nuk pranoj të ngre pragun siç doni ju. Do i jap të drejtë çdo shqiptari të mësyjë në shkollat publike me një mesatare 6 e sipër. Sulm i tmerrshëm në fushatë ndaj meje. ‘I ke dhënë të drejtë doktorate sektorit privat’. Ishte e vërtetë se e kishin 2-3 universitete por kur erdhi në pushtet zotëria bllokoi çdo doktoratë në sektorin publik. Shkoni pyesni ku të doni. 8 mln euro ka dërguar në një universitet privat”, shtoi Berisha.

Ish-kryeministri Berisha vijoi akuzat ndaj qeverisë për arsimin. Sipas tij, doktoraturat janë bërë monopol i privatit, sepse gjysmën e parave, sipas tij, i merr ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

“Ky i keni doktoratat? I ka privati, sepse ai që shkon paguan 8 mijë euro, 4 mijë i merr ndrikulla. Largoni tentakulat mafize nga kjo qeveri, për çdo akt të sotëm do bëheni përgjegjës”.

Më tej, Berisha kërkoi ngritjen e një komisioni urgjent parlamentar, të ndaloni këtë praktikë antinjerëzore të pranimeve në universitete.

NIKOLLA: SPEKULIM POLITIK MBI PROCESIN, NUK KA SISTEM PERFEKT

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ka reaguar ndaj deklaratave ë bëra nga foltorja e Kuvendit ka deputetët Sali Berisha dhe Ben Blushi. Nikolla tha se janë bërë spekulime politike mbi procesin, pasi ky është sistemi më transparent i pranimit të maturantëve në institucionet e arsimit të lartë.

Sërish, ministrja Nikolla sqaroi se raundi i dytë i përzgjedhjes së maturantëve i jep mundësi atyre që të ripozicionohen për të zgjedhur degën ku duan të studiojnë.

“Jemi në një moment të rëndësishme kur të rinjtë dhe të rejat shqiptare zgjedhin për të vijuar studimet në tej. I dashur Ben kjo është arsyeja që prita të dëgjoj edhe ty, ashtu sikur kam bërë ngahera për të reflektuar në ato që thua, por lejomë që të të them se ke pasur mundësi ta tregosh veten, por nuk mbahesh mend për punë, por për fjalë po. Kam admiruar shumë, por do ti, këto kohët e fundit ke filluar të nxjerrësh mllefin. Një mllef të gatuar me gënjeshtra.

U thanë shumë gënjeshtra mbi procesin këtu, duke e baltosur sistemin. Tashmë miratuam reformën në drejtësi, dhe nuk do t’i shpëtojë askush, madje as unë. A ka diskriminim më të madh që i bëhet veriut me atë që shan këdo që i del përpara.

I drejtohem të gjithë maturantëve e familjeve të tyre, se në punën time që kam bërë çdo ditë, jam përpjekur për të adresuar të gjitha problemet që ata kanë. Ne po i japim përgjigje çdo ditë të gjithë problematikës. Por debat edhe pse duhet të ishte bërë me dëshirë, maturi, përgjegjshmëri, për fat të keq është mbështjellë spekulim politik. Një vit më parë ne votuam ligjin e ri të arsimit të lartë që synonte të transmetonte gjithë sistemin në një model europian, që ofronte transparencë. ky ligj gjen zbatimin e tim për herë të parë me pranimin në universitet. Bëj thirrje për më shumë maturi dhe qetësi, dhe për të mos rënduar më shumë situatën për ndonjë maturant, dhe as të përdoret politikisht. Sistemi që po përdoret është sistemi që ligji kërkon, dhe është më i miri. Është modeli i përdorur në Europë. Janë universitetet ato që përcaktojnë kuotat, kriteret e pranimit. Nuk ka sisteme perfektë. Ajo që është për t’u thënë me zë të lartë sot, është se ky sistem ofron më shumë transparencë. Raundi i dytë do të jetë pas datës 20 shtator. Deri më tani nuk ka dalë lista përfundimtare, por fotografimi i rankimit të parë”, tha ministrja Nikolla.

RAMA-TOPALLIT: PËRDORE VAJZËN MATURANTE NË FOTO, SJELLJA E PD-SE DJALLËZORE

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, ndaj deputetet Jozefina Topalli. Sipas Ramës, Topalli gënjehu me faktet që ajo deklaroi, ndërsa shtoi se përdori vajzën në foto që u publikua në portale. “Po sikur ti të kesh gënjyer sot me rastin e vajzës që tregova në fotografi. Po sikur vajza që ti e more në krah dhe me të e abuzove aq shumë dhe mesataren ta ketë 9.18, dhe ata që janë me mesataren mbi 9.18..çfarë duhet të besh ti. I tregove dhe lotët e tua që të tregoje historinë tënde. Nuk të kam parë të derdhje jo lot, por as një oratori kur sistemi i arsimit u bë ‘mish për tokë’, jo kur një vajzë, por mijëra, nxënës dhe prindër u çuan.”, tha Rama. Ai shtoi se sjella e PD-së për të insistuar është djallëzore.

“Nuk kam pasur shansin të jem si ty, që të kem qenë pjesë e G20. Por po vazhdoj për samitin e Brukselit, pasi doja ti tregoja sot të gjithë maturantëve. Ti sot e shpërdorove atë vajzë me mesataren 8.54. Sot në samit dëgjova fjalë të mira për Shqipërinë time dhe tënden. Mua më erdhi zor Jozefinë se të gjithë ata që nuk ishin shqiptar aty qeshnin me ni8velin absurd të propagandës suaj për drogën dhe shpifjet tuaja. Të gabosh është njerëzore por të insistosh është djallëzore. Djallëzore është ajo që bën ti dhe ajo që bëni ju me foton e vajzës. Çfarë bën ti Jozefinë që tja u heqeshs trishtimin dhe ti ndihmosh që të mos jesh i dëshpëruar? Ti dhe gjithë ju bashkë i referoheni ankthit stresit, trishtimit, të krijuar në këtë situatë. Është një reformë që po implementohet për herë të parë. Juve ju duhen viktima. Ju bëni politikë duke gjetur viktima. Të varfëritë, të sëmurët, nuk mjafton një video amatore për një keqtrajtim të një të sëmuri në spital, që të ngrini furtuna në spitale.”, theksoi kryeministri.

TOPALLI-NIKOLLES: NDRYSHO VENDIMIN, OSE DORËHIQU

Nga ana tjetër Topalli iu drejtua ministres së Arsimit me tone të fortë, ndërsa theksoi se ajo duhet tu kërkonte falje publike maturantëve, ose të jepte dorëheqje. Sakaq, ish-kryetarja e Kuvendit pohoi se Nikolla jo vetëm që duhet të largohej nga seanca, por duhet të ishte në zyrë për të ndryshuar vendimin, për t’i dhënë shpresë maturantëve.

“Akti normativ që ju keni sjellë sot, është bilanc i një qeverisje dramatike. Do kthehem tek këta fëmijë. Do të ftoja deputetët e fierit. Në jetë njeriu mund të marrë në kosto personale, dhe deputetët e Fierit duhet të mendojnë për studentët, ku vetëm 2 për qind e tyre kanë fituar të drejtën për shkollë. Ja keni thyer zemrat njerëzve, prindërve dhe fëmijëve. Unë kam fëmijë dhe ti ke. Duhet të kishe qenë më e ndershme e ti thoje se s’kam qenë e aftë. Kam thyer urdhrin, ose duhet të jepje dorëheqje. Lindita, para se të jemi politikan, jemi njerëz. Ndaj është më mirë që të ikësh dhe të mos mbash barrën. Ti nuk duhet të ishe këtu, por të ishe në zyrë të ndryshojë urdhrin. Shko në zyrë dhe ndrysho vendimin, shko në zyrë dhe ndrysho vendimin dhe jepni shpresë atyre fëmijëve që sot i ke thyer zemrën.”, tha Topalli.

TOPALLI-RAMËS: LIGJI PËR ARSIMIN I DËSHTUAR, TI E HARTOVE, JEP DORËHEQJEN

Deputetja demokrate Jozefina Topalli ka folur nga foltorja e Kuvendit për situatë në të cilën ndodhen tashmë maturantët, të cilët ndonëse me mesatare të lartë nuk kanë mundur të rezultojnë fitues në universitet. Duke treguar foton e maturantes që shfaqet e dëshpëruar pasi nuk ka fituar të drejtën e studimit, (fotoja e së cilës qarkulloi sot në rrjetet sociale), deputetja Topalli tha se edhe vetë ka kaluar një eksperiencë të tillë.

“Kjo është fotoja që po thyen rrjetet sociale sot. Mund të ishte fëmija juaj. A e dini se çdo të thotë të thyhet kështu një maturant. E them nga eksperienca persona. Nuk ka goditje më të rëndë për një fëmijë, për një maturant, sesa t’i thyhesh ëndrrën e tij. Këtë vajzën e keni dërmuar. Dhe kjo përfaqëson ata qindra fëmijë 18-vjeçare, që sot janë të trishtuar, të dëshpëruar, në ankth. Asnjë ditë nuk kam derdhur më shumë lot sesa kur me thyen ëndrrën time. Kanë kaluar shumë vite, por më dukej sikur më kishin vrarë çdo mundësi, çdo shpresë për të ardhmen time. Më vjen mirë që juve nuk ua kanë bërë”, tha Topalli.

Deputetja ka kërkuar reagimin e kryeministrit, duke u shprehur se përgjegjës për këtë situatë është ai. Sipas Topallit, ligjin për arsimin e lartë e ka ëbrë Rama, dhe ai duhet të japë dorëheqjen, pasi sipas saj ky sistem është i dështuar.

“Por ju si kryeministër duhet të reagonit sot. Nuk i them asnjë fjalë ministres, se nuk e ka bërë ajo ligjin. Nuk ka pse të ikë ajo, duhet të ikni ju Rama, ju e keni bërë ligjin. Reforma ka dështuar. Ky sot është efekti i parë i një reforme të dështuar, pasi ishte një reformë e bazuar në klientelizëm. Çfarë ndodhi me listat e tua idiote, të pashpirta. I thatë 20 % i thatë 80 ecni, ikni në shtëpi, edhe pse kanë rezultate. Kur ndonjëherë i janë drejtuar 18-vjeçaret ministrisë, kur janë rrethuar ndonjëherë maturantët me policë”, tha Topalli.

PELESHI: TYMNAJA E BERISHËS ME MATURANTËT

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi replikoi me ish-kryeministrin Berisha për kuotat e studimit, ndërsa i quajti deklaratat e tij një tymnajë!

“Për të shpërndarë tymnajën, kam dy të vërteta të thjeshta që jo pa qëllim u mbështollën me tymnajë. Ka 25 mijë kuota dhe 22 mijë aplikime, pra, asnjë maturant nuk do mbetet pa të drejtë studimi”

Sipas Peleshit, Berisha po manipulon studentët kur thotë që njëri me mesatare 9 paska të drejtën e studimit dhe një tjetër me 9.7 jo. “Kjo ndodh se jo të gjithë studentët kanë të njëjtat preferenca. Ky është rankimi, në fazën e dytë do mbeten kuota të lira”.

REPLIKON BERISHA

Por ish-kryeministri ka replikuar sërish, duke thënë se është cinizëm të mashtrosh ata që ju ke shkatërruar ëndrrën. “S’ka më cinik se të dalësh e të mashtrosh, ata që iu ke shkatërruar ëndrrat. Përdor mashtrimin, në rrethin e Fierit janë vetëm 2% e maturantëve që kanë gjetur të hapur dyert e universitetit publik.

BEQAJ: NË MJEKËSI DO LIROHEN 43% E KUOTAVE

Me ish-kryeministrin Berisha replikoi edhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Duke u ndalur tek doktoratuarat, Beqaj tha: “U mbyllën doktoraturat, mori si shembull drejtësinë, por çfarë lejoi ai universitet kur Saliu ishte kryeministër. Në kohën e tij një pedagog udhëhiqte 25 doktoratura, ose janë plagjiatura ose gjëra pa vlerë. Reforma këto heq”,- tha Beqaj.

Sipas Beqajt, në kohën e tij, “Berisha vrau ëndrrat e atyre që donin të bëheshin specialistë në mjekësi, e që më pas u detyruan të emigrojnë”.

Ndërsa duke u ndalur tek kuotat në Mjekësi, Ministri tha se fituesit e fazës së parë e kanë mesataren 9,96, por kjo nuk do të thotë se s’ka mundësi që të hyjnë të tjerë, sipas tij.

“Një djalë ka fituar në 8 degë.. ai 1 do zgjedhë 7 të tjerat do jenë të lira. 43% e kuotave në Mjekësi do lirohen”.

“Përgëzoj Linditën për ruajtjen e qetësisë pas gjithë këtyre shpifjeve. Unë vetë do isha acaruar më tepër,- shtoi Beqaj.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: