Kryetari i partisë “Zgjidhja” Koço Kokëdhima, i bëri thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të japë dorëheqjen nga posti dhe të përballet me akuzat e Tribunalit të Hagës si qytetar i lirë. Kokëdhima solli shembullin e Ramush Haradinajt që dha dorëheqjen dy herë si kryeministër për të njëjtat akuza. Kokëdhima me sarkazëm e qetësoi Thaçin që të mos ketë merak nga rizgjedhja, sepse do t’ia ribëjë ai Kuvend që votoi për qeverisje partitë humbëse të zgjedhjeve, duke nxjerrë në opozitë Vetëvendosjen që fitoi shumicën.

Reagimi i Kokëdhimës

“Ramush Haradinaj u dorëhoq dy herë nga posti i kryeministrit, më 8 mars 2005 dhe 19 korrik 2019, pas akuzave nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë. Shprehej se kështu ruante nderin e qeverisë dhe të shtetit e që Kosova të mos paguante një çmim të rëndë për njohjen e saj nëpër botë. E bëri dhe u kthye kryelartë për ta lënë vlerësimin në dorën e popullit.

Është radha e Hashim Thaçit që të japë dorëheqje të parevokueshme nga posti i presidentit për t’u përballur me akuzat e Hagës si qytetar i lirë, duke mos përdorur postin dhe ruajtur nderin e shtetit që përfaqëson. Ka shansin e artë që, bashkë me rrëzimin e akuzave për krime, të bëjë edhe ato që i janë faturuar për përdorimin e detyrës së lartë shtetërore për të nënshkruar marrëveshje në dëm të Kosovës. Pa merak, nëse do që të rikthehet në postin e presidentit, sepse do të arrijë t’i mbledhë 61 vota në Kuvendin e Kosovës, siç u bënë për të votuar një qeveri humbësish që nuk ka marrë bekimin e zgjedhësve të Kosovës.”