Albi Gjoka nga Durrësi, është një i ri shqiptar, që sapo ka hedhur hapat e parë të suksesit në rrugën e politikës së jashtme ndërkombëtare.

26-vjeçari durrsak, i cili aktualisht po ndjek studimet e larta në Berlin, këtë vit ka fituar të drejtën për të punuar si Intern (praktikant) në Bundestag. Ai po punon pranë deputetit Christoph Matschie nga SPD, i cili merret me politikën e jashtme, OKB-në dhe është anëtar i Komisionit për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Si Intern, puna konsiston në kryerjen e kërkimeve rreth detyrave dhe gjithashtu takimeve që ka deputeti gjatë javës. Kërkimet janë mbi tema të ndryshme politiko-sociale, ekonomike dhe juridike dhe variojnë në bazë të axhendës së deputetit.

Puna është me kohë të plotë nga 9:00 e mëngjesit deri në 17:00, dhe pas pune, i riu durrsak vijon të ndjekë leksionet pasdite në universitet.

Albi fitoi konkursin në muajin mars të 2019-s, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, mes dhjetërave aplikantëve që aplikojnë çdo vit.

Por kush është Albi Gjoka?

Albi Gjoka, me origjinë nga Durrësi, ka mbaruar studimet e larta në Bachelor dhe Master në degën Penale në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Por rrugëtimi i tij në zgjerimin e dijeve nuk ndalet me aq, pasi shpërngulet në Gjermani, ku aktualisht është duke studiuar LLM në semestrin e dytë “Të Drejtë Internacionale të Biznesit” tek Universiteti Shteteror HWR i Berlinit.

Në një komunikim për “DurrësLajm” nga Gjermania, Albi tregon se politika ka qenë gjithnjë fusha që e ka tërhequr më së shumti dhe gjithashtu është ingranuar edhe më parë në Berlin me partinë SPD.

“Kam 2 vjet që jetoj në Berlin dhe kur pashë online mundësinë e këtij programi te faqja e Bundestagut, aplikova menjëherë. Ky program quhet IPS ( Internationales Parlaments Stipendium) dhe është një program që iu ofrohet studentëve të moshave të ndryshme nga vende të ndryshme. Është një mundësi që të punosh në orar të plotë pranë një deputeti të parlamentit gjerman dhe të njihesh me të gjitha procedurat, rregullat, punët dhe gjithashtu detyrat që ka si parlamenti gjerman, ashtu edhe deputeti në të cilin caktohesh”.

Albi tregon më tej se si aplikoi fillimisht online duke kryer nisjen e procedurave përmes ambasadës gjermane në Shqipëri.

“Pasi kalova fazën e parë, në fazën e dytë duhet të shkoja në ambasadën gjermane në Prishtinë ku duhet të më intervistonin personalisht paneli drejtues i këtij programi. Në panelin që përbëhej prej 4 personash kishte dhe deputetë gjermanë, të cilet bënin pyetje të ndryshme rreth funksionimit të parlamentit gjerman dhe gjithashtu njohurive, shkollimit tim dhe përvojave të mëparshme profesionale”.

Një mundësi të shkëlqyer për të thelluar njohuritë dhe për t'u rritur profesionalisht në sajë të këtij programi, ashtu si Albi, e kanë fituar më parë edhe studentë të tjerë shqiptarë, disa prej të cilëve, vazhdojnë ende të punojnë në parlamentin gjerman.

“Është një eksperiencë shumë e veçantë sepse të jepet mundësia të njihesh me njerëz dhe politikanë të cilët kanë një influencë të madhe politike mbarëbotërore dhe gjithashtu kupton mënyrat sesi funksionon politika në një nga vendet më të forta dhe demokratike në botë”, tregon Albi, të cilit i urojmë suksese në këtë rrugëtim të bukur, por edhe të vështirë.

S.L.