Intervistoi Mila Ballhysa

“Te Partia Agrare Ambientaliste, sot në fushatë janë ish-deputetë të PS. Në një takim një ditë më parë në Krujë ishte i pranishëm edhe deputeti i PS-së Pëllumb Shullazi, që tashmë nuk është anëtar i PAA-së, por ndihmon PAA”.

Aleati i PD-së, Agron Duka, e sheh mjaft optimiste fushatën elektorale që koalicioni Aleanca për ndryshim po bën në qarkun Durrës. Kandidati i renditur i dyti në listën e Durrësit shprehet se ndryshe nga 4 vite më parë, PD dhe e gjithë opozita janë terren dhe fakti që figura të njohura të socialistëve nuk po bëjnë fushatë për “Rilindjen” apo “Regresin”, siç preferon ta cilësojë ai, është një plus më shumë për fitoren e koalicionit të Lulzim Bashës më 25 prill.

“Është krijuar një ndarje e njerëzve afër Ramës dhe enturazhit të tij dhe socialistëve të vërtetë. Tashmë kundërshtarë nuk ka më vetëm strukturat e PD-së, militantët e PD-së, por edhe shtresën gri, por edhe socialistë të vërtetë në Durrës. Unë nuk e di për kë do të votojë Gaz Bizhga, që ka qenë kryetar i PS Durrës, por jam i sigurt, që edhe nëse voton për PS-në, nuk bën propagandë për Rilindjen”,– thotë Duka.  

Në intervistën për “DurrësLajm”, Duka flet për një pakënaqësi të madhe të elektoratit socialist për mënyrën sesi “Rilindja” e ka qeverisur vendin, duke iu referuar këtu edhe largimit të dy zyrtarëve të PS-së në Durrës, Ardit Kërtusha dhe Serjan Mazrreku, që po bëjnë fushatë kundër propagandës qeverisëse në qytetin bregdetar.

Si aleat i PD-së, Duka nuk është i përqendruar vetëm në një zonë elektorale, por në të gjithë qarkun, gjithsesi fokusi kryesor i tij mbetet Shijaku. Një ditë më parë, drejtuesi politik i PD për qarkun Durrës, Edi Paloka denoncoi atë që e cilësoi “tentativë e organizuar për të blerë vota në qarkun e Durrësit”, duke përmendur edhe emra konkretë që qëndrojnë pas këtyre lëvizjeve.

Si zonë e nxehtë edhe 4 vite më parë, sidomos pas publikimit të përgjimeve të dosjes 339 nga e përditshmja gjermane Bild, Shijaku mbetet edhe në këto zgjedhje një zonë me risk elektoral. Kandidati Duka pranon se ka tentativa për shitblerje votash dhe sipas tij po “luhet shumë me tezën e Rindërtimit”. Sipas tij, shpërndarja e granteve po bëhet në mënyrë selektive dhe përmes mënyrave korruptive.

“Kemi dëgjuar nga njerëzit që u premtohet t’u jepen para për rindërtimin, kundrejt përqindjes së votave që u ofrojnë këtyre “sekserëve””,– thotë Duka.

Por krahas abuzimit që sipas kreut të PAA-së po bëhet me procesin e rindërtimit, një faktor tjetër negativ është përfshirja në fushatë e personave që janë subjekt i OFL-së dhe po tentojnë të mbledhin vota për PS.

Duka paralajmëron se së shpejti ekipi drejtues i opozitës në Durrës do të dalë me dokumenta, denoncime dhe emra konkretë.

“Unë besoj se javën e fundit këta persona nuk do të jenë më në lëvizje në zonën, që unë mbuloj, në Shijak”,- thotë kreu i PAA.

I pyetur se si e parashikon rezultatin e zgjedhjeve më 25 prill, Duka shprehet se “duke folur me këmbë në tokë” rezultati final do të jetë 8 me 6 në favor të opozitës në qarkun e Durrësit.