Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në Durrës, Igli Cara, teksa ka zhvilluar takime me të punësuarit në biznese të ndryshme fason, ka vënë në dukje disa nga pikat më të forta të programit qeverisës të demokratëve për përmirësimin e jetës dhe gjendjes ekonomike të çdo familjeje: paga më të larta, taksa më të ulëta, dyfishim të ndihmës ekonomike.

“Këmbëngula t’ju takoja, sepse ndryshimi që qeverisja e Partisë Demokratike do të sjellë fillon pikërisht nga ju, me përmirësimin dhe lehtësimin e jetës suaj dhe të familjeve tuaja,” – tha Cara.

Pjesa dërrmuese e të punësuarve në biznesin fason janë gra dhe vajza, të cilat janë edhe amvisat e çdo familje. “Ju jeni ato që mbani mbi supe hallet dhe problemet e përditshmërisë në familjet tuaja, – nënvizoi kandidati Cara, teksa i drejtohej grave dhe vajzave. – Ju jeni ato që çdo ditë bëni llogaritë dhe shpenzimet në familje. Ju e dini më mirë se kushdo se sa e vështirë është të mbërrini në fund të muajit me pagat që merrni, me taksat e larta që paguani, me çmimet që rriten përditë, me shpenzimet që keni për fëmijët, madje duke pasur edhe anëtarë të familjes të papunë.”

“Paga minimale do të jetë 36 000 lekë të reja në muaj, ndërsa niveli i kontributeve të sigurimeve shoqërore do të jetë vetëm 9 për qind, – bëri të ditur kandidati demokrat. – Kjo do të thotë më tepër të ardhura për ju dhe familjet tuaja. Tarifa e ujit të pijshëm do të rishikohet, çmimi i energjisë elektrike do të ulet për 300 kËh e parë, siç do të ulet edhe çmimi i naftës me 24 lekë të reja për litër. Edhe këto përkthehen në më tepër të ardhura që u mbeten familjeve tuaja.”

Kandidati demokrat Igli Cara ka shpjeguar se ndihma ekonomike do të zgjerohet, duke marë një karakter më gjithëpërfshirës. “Ndihma sociale që familjet në nevojë marrin do të dyfishohet, – tha Cara. – Ajo do të jetë një pagesë dinjitoze për familjet në nevojë, e cila do të garantojë një jetesë të mirë dhe jo si sot që nuk del për asgjë.”

Duke iu drejtuar grave dhe vajzave të reja, ai shtoi se “qeveria do të paguajë 3 000 lekë të reja në muaj për çdo fëmijë deri në moshën 5 vjeç.” “Familja është shtylla e shoqërisë, fëmijët tanë janë e ardhmja jonë dhe qeveria do të ketë detyrimin për t’u kujdesur, – deklaroi Cara. – Familja dhe të rinjtë janë në qendër të programit qeverisës të Partisë Demokratike, janë thelbi i ndryshimit që Partia Demokratike do të sjellë.”

“Tekstet shkollore për nxënësit e arsimit parashkollor do të jenë falas, tarifat e studimit në universitet për të rinjtë dhe të rejat nga familje me të ardhura më pak se 64 000 lekë të reja në muaj do të jenë zero, ndërsa për familjet me të ardhura mbi 64 000 lekë të reja në muaj ato do të subvencionohen në masën 50 për qind,” – deklaroi Cara.

Teksa preku edhe politikat e programit qeverisës të Partisë Demokratike për nxitjen e ekonomisë, kandidati demokrat Igli Cara theksoi edhe se “ato do të sjellin zgjerimin e biznesit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.”

“Qeveria e Ramës e ka zhytur vendin në krizë dhe jeta e të gjithëve ne po bëhet çdo ditë e më e vështirë dhe e pashpresë, – nënvizoi Cara. – Ndryshimi është i domosdoshëm për të dalë nga kjo rrugë pa krye dhe jam i sigurt se më 25 prill të gjithë ne bashkë do të votojmë për ndryshimin, do të votojmë për të mirën e familjeve tona.”