Intervistoi Mila Ballhysa

Kur Partia Socialiste publikoi platformën “Deputeti që duam”, Keida Ferra e mendoi seriozisht se kishte ardhur momenti i saj për t’u përfshirë në politikë. Bashkëshorti ishte shtysa e saj në këtë eksperiencë të parë politike, por më pas u ndje e përfshirë edhe vetë në garë. Hap pas hapi që avanconin përzgjedhjet, Keida fitonte gjithnjë e më shumë siguri për të qenë në përfundim të konkursit, një nga fitueset në fazën finale.

Dhe ashtu ndodhi. E diplomuar për Matematikë në Universitetin e Shkencave të Natyrës dhe e angazhuar prej mëse 20 vitesh në administratën shtetërore, Ferra është tashmë pjesë e ekipit me të cilin Partia Socialiste kandidon në qarkun e Durrësit më 25 prill.

Për të, fushata elektorale është një eksperiencë komplet e re, me shumë të panjohura, por sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë ajo ndihet e familjarizuar me të gjithë familjen socialiste dhe për më tepër më pranë shqetësimeve të qytetarëve.

E vetëdijshme se mandati i tretë do të jetë një sfidë më vete për forcën politike ku ajo aderon, Keida Ferra shpjegon për “DurrësLajm” se pse vendosi të angazhohej në politikë pranë Partisë Socialiste.

“PS hapi platformën “Deputeti që duam”, por është dhe një arsye tjetër, pak më e thellë, që është pjekur prej kohësh. PS është forca politike më serioze, më e strukturuar, më e organizuar, ka një qasje mjaft pozitive ndaj qytetarëve dhe ndër vite ka treguar që është e aftë të qeverisë vendin, duke përballuar sfida siç ishin tërmeti dhe pandemia”,– thotë Ferra.

Nga ana tjetër, ajo thekson se shtysa e tretë ishte kryeministri Rama. 

“Më kryesorja dhe që është rezultat i të gjithave atyre që sapo thashë është se ka një lider ekstremisht punëtor, të thjeshtë, me vizion, që e do vendin e tij dhe që përfaqëson mjaft denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare”.

Por a ishte ky momenti i duhur për t’u përfshirë në politikë. Keida Ferra mendon se po dhe shpjegon pse viti 2021 do të jetë viti i një ndryshimi të madh edhe në jetën e saj, në angazhimin jo vetëm profesional, por edhe politik.

“Mendoj se ka një moment të caktuar për secilin, ku plotësohen disa kushte që janë eksperienca, pjekuria, mosha etj. Është gjithashtu momenti më i përshtatshëm, sepse është radha e Durrësit që të transformohet duke pasur parasysh këtu projektet, disa prej të cilave kanë nisur të realizohen. Dua shumë që të jem pjesë e këtij projekti të madh për Durrësin, të jem pjesë e transformimit të Durrësit. Dua të ndjek shembullin e të parëve të familjes sime, që kanë lënë gjurmë të mira në Durrës dhe qyteti i nderon për këtë”,- thotë kandidatja Ferra.

Për të është e rëndësishme fryma e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit brenda partisë, por edhe mes palëve politike kundërshtare.

“Vetëm duke bashkëpunuar dhe duke rrahur mendimet e njëri – tjetrit mund të ecim përpara”,- thotë Ferra.

Për veten e saj, ajo pranon se ka një karakter të fortë dhe vullnet për t’i çuar deri në fund gjërat që merr përsipër, ndërkohë që ka një marrëdhënie shumë të mirë me të vërtetën, jo vetëm kur ajo është në avantazhin e saj, por edhe kur nuk është.

E pranishme në shumë prej takimeve elektorale që ekipi i kandidatëve të PS-së, së bashku me kryebashkiaken Sako, po zhvillon nëpër zona të ndryshme të qytetit, Ferra po prek dhe dëgjon nga afër hallet dhe shqetësimet e qytetarëve duke shpresuar që në mandatin e tretë të qeverisë Rama të ofrojë zgjidhje konkrete për ta.