Në vijim të turit elektoral për zgjedhjet e 25 prillit, deputeti Lefter Koka ka zhvilluar takim me banorë të lagjes nr.11 në Durrës.

Gjatë bashkëbisedimit, Koka ka sjellë në vëmendje kohën kur ka drejtuar Bashkinë e Durrësit, si një ndër eksperiencat më të bukura në rrugëtimin e tij politik.

“T’i shërbesh qytetit tënd është një ëndërr dhe unë kam patur fatin të jem kryetar Bashkie për tre vite në Durrës. Është një ndër gjërat më mbresëlënëse në jetën time politike. Unë në këto zgjedhje kandidoj në siglën e Partisë Socialiste,  por ndryshe nga zgjedhjet e 2017-s, me ndryshimet që ka pësuar Kodi Zgjedhor, tashmë përveç forcës politike, votohet dhe kandidati i preferuar brenda saj.”, pohoi Koka.

Në vijim të takimit, kandidati Koka ka ftuar qytetarët që të mbështesin masivisht Partinë Socialiste në këto zgjedhje si alternativa që i shërben interesave dhe të ardhmes së vendit tonë.

“Duhet domosdoshmërisht që Durrësi dhe e gjithë Shqipëria të vijojë të qeveriset nga Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama, për të vijuar punët e nisura në të gjithë vendin tonë”, u shpreh Koka.