Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi dhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako kanë inspektuar punën në një sërë investimesh që po kryhen në njësinë administrative të Katundit të Ri.

Ato kanë vizituar dy shkollat e reja që janë ndërtuar në këtë njësi me fondet e bashkisë së Durrësit. Më pas janë inspektuar rrugët që po rehabilitohen plotësisht. Janë 3 rrugë me gjatësi totale 2.1 kilometra si dhe një rrugë tjetër kryesore që fillon së shpejti. Kryebashkiakja Sako deklaroi se janë 20 milionë lekë të rinj investime çdo vit që kryhen në këtë njësi administrative.

Po kështu ministrja Ekonomi dhe kryebashkiakja Sako kanë inspektuar edhe punimet që po kryhen për pastrimin e kanaleve kulluese e vaditëse si dhe punimet për riparimin e argjinaturës së lumit Erzen.

Janë 28 kilometra kanale që janë pastruar në këtë zonë ndërkohë që Ministria e Bujqësisë dhe bashkia e Durrësit kanë bashkërenduar punën për riparimin e argjinaturës së lumit, punime që ndikojnë në parandalimin e përmbytjeve ndërkohë që së shpejti do të nisë një investim i qeverisë shqiptare për të zgjidhur përfundimisht problemin e përmbytjeve në Katundin e Ri.

Edhe procesi i rindërtimit ka vijuar me ritme të shpejta në këtë njësi ashtu si në të gjithë bashkinë e Durrësit. Sako dhe Ekonomi kanë vizituar disa shtëpi individuale që janë në prag të përfundimit. Gjatë bashkëbisedimit me banorët që kanë përfituar shtëpitë e reja ministrja Ekonomi dhe kryebashkiakja Sako deklaruan se procesi i rindërtimit po ecën mjaft mirë dhe në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të ketë më gjurmë të tërmetit.