Presidenti maqedonas: Ende nuk ka ‘vdekur’ ideja e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi

30/10/2019 - 09:16

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski deklaroi se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ‘vdekur’ ende.

Pendarovski tha për RTSH se kjo ide vazhdon të diskutohet nga politikanë e ekspertë të rajonit.

“Jo, ende jo (nuk ka vdekur ideja e shkëmbimit të territoreve). Ju e dini që kjo ide erdhi publikisht nga nivelet më të larta të mundshme politike, erdhi nga ish-këshilltari për Sigurinë kombëtare i presidentit amerikan, z. John Bolton. Ai tashmë nuk është pjesë e administratës për arsye krejt të tjera, por aty-këtu dëgjoj njerëz nga rajoni, politikanë, ekspertë, që ende rreken me këtë ide”, – tha Pendarovski, ndërsa ka theksuar se “kjo është ide e rrezikshme”.

Ai ka thënë se mënyra për t’i bindur bashkëbiseduesit, gjegjësisht Kosovën dhe Serbinë, se kjo është një ide e rrezikshme, është se shpërndarja etnike e popullsisë në rajon nuk guxon të ndodhë pasi që ajo sjell efektin domino.

“Së pari, nuk mund të ndjekësh shpërndarjen etnike të popullsisë në rajon. Nëse ti e nis diku, për shembull në Kosovë dhe do të vijosh pastaj me zona të tjera, çdokush e di që në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë në vetvete, ne jemi heterogjenë në pikëpamjen etnike dhe fetare. Prandaj, teza ime kryesore është se do të doja të shihja që problemi i Kosovës, problemi ndërkombëtar i Kosovës, të zgjidhet. Pse?! Sepse të dyja këto vende janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. E njëjta gjë me Serbinë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mira me të dyja vendet, dhe për ata që të kenë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe me njëri-tjetrin. Por nuk është gjë e mirë që të mbyllësh një problem, problemin e Kosovës dhe të hapësh 2 apo 3 probleme të tjera në rajon. Ju e dini, sikundër dhe unë, që rreth 30 vjetët që kanë kaluar na kanë treguar se pa një përfshirje serioze të SHBA-së nuk është e mundur që BE-ja e vetme t’i zgjidhë krizat dhe problemet e kësaj natyre. Ne patëm një krizë tonën në vitin 2001, patëm konflikt në territorin tonë dhe pas kësaj nënshkruam marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe atëherë ndërmjetësuesi i BE-së punonte ngushtësisht me ndërmjetësin amerikan. Unë nuk mendoj që pa një përfshirje aktive nga Uashingtoni, do të shohim një zgjidhje të qëndrueshme të këtij procesi”, – deklaroi presidenti maqedonas, Pendarovski.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Pas publikimit të draftopinionit të Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese që solli një përplasje tjetër mes maxhora

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ka reaguar në lidhje me Reformën Zgjedhore.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim përshëndeti takimin e radhës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Partia Demokratike ka kërkuar sot shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, referuar deklaratave të tij p

Presidenti Ilir Meta vjen sërish me një mesazh për qytetarët shqiptarë, po ashtu dhe për klasën politike.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar lidhur me pamjet që publikoi drejtori i drejtorisë së Policisë Shtetit, Ardi Vel

Presidenti Ilir Meta shpreh kënaqësi për përparimin në tryezën e reformës zgjedhore për çështjen e Kodit.

Përfaqësuesi i PD në Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi deklaroi se opozita ka propozuar futjen e teknologjisë në zgjedhje.

Presidenti Ilir Meta deklaroi këtë të premte se shpreson shumë që Këshilli Politik ta përfundojë me sukses punën për Kodin Zgjedhor.

Presidenti Ilir Meta ka sqaruar pse ka kthyer edhe një herë dy ligjet e Kuvendit.