Nisuni menjëherë pas këtij takimi, dhe shkoni derë më derë e jepni lajmin se ndryshimi po vjen. Kështu u tha Lulzim Basha mbështetësve të tij në Gjirokastër. Në mitingun mbyllës të fushatës në Gjirokastër, Basha u tha qytetarëve se ai është gati ta marrë drejtimin e vendit. Megjithëse është punë e vështirë, por ai deklaroi se do të punojë çdo ditë për qytetarët, për interesat e tyre.

“Bashkohuni me këtë lëvizje qytetare dhe popullore. Shkoni dhe takoni 1, 2, 5 qytetarë të tjerë. Ju shpjegoni planin tonë ekonomik. Të vetmin plan në këto zgjedhje, me taksa të ulëta, uljen e TVSH-së, subvencionet për fermerët, stazhet e paguara për 10 mijë të rinj”.

Basha tha se vota për numrin 6 është vota për të rritur ekonominë e shqiptarëve. Taksa të ulëta, rritje të punësimit, para në dorë për fermerët, stazhe për të rinjtë, ndihmë për shtresat në nevojë, shkolla me kushte për fëmijët.

“Dua t’u them atyre që ende nuk e kanë ndarë mendjen këtë javë të fundit se ndryshimi themelor mes asaj që premton Edi Rama dhe asaj që përfaqësoj unë është ky; Edi Rama nuk i mbajti premtimet sepse nuk kishte kurrë prioritet mbajtjen e premtimeve. Nuk kishte as plan për t’i mbajtur premtimet. E tani vjen përsëri me premtime të tjera të cilat po kështu nuk do t’i mbajë sepse i vetmi qëllim i tij është timoni. Unë nuk vij me premtime, por me një plan që ka për qëllim të nxjerrë ekonominë nga kriza, të krijojë vende pune përmes uljes së TVSh-së, përmes uljes së taksave dhe përmes investimit të parave jo në palma dhe në fasada, jo në zyra dhe makina luksi, jo në udhëtime të zyrtarëve dhe tendera e koncensione korruptive, por në rritje pensionesh, në paga më të mira, në mbështetje për studentët, në shkolla dinjitoze për fëmijët shqiptarë me drekën e paguar nga Republika e Re. Ky është ndryshimi; ai do timonin për vete, unë do të rregulloj motorin që është ekonomia e fortë pa të cilën nuk mund të ketë të nesërme të sigurt”, tha Basha.