Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Durrës, njëherësh kreu i Bashkisë, z. Vangjush Dako, së bashku me Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, njëherësh kandidate për deputete, znj. Milva Ekonomi, zhvilluan një takim me operatorët turistikë në qytetin bregdetar.

Gjatë fjalës së tij, z. Dako e cilësoi turizmin si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë duke theksuar se tashmë qeveria e ka në qendër të vëmendjes këtë sektor. z. Dako solli në vëmendje investimet e shumta që Bashkia që ai drejton ka ndërmarrë për të përmirësuar infrastrukturën në qytet në mbështetje të turizimit, duke ju referuar kryesisht investimeve të bëra në zonën e plazhit.

“Përfundimi i kolektorit të ujërave të zeza edhe lidhja e kolektorit me çdo njësi, është avantazhi i madh. Furnizimi me ujë në këtë zonë është zgjidhur dhe funksionon. Kemi punuar në zonën e plazhit për përmirësimin e rrugës, për ta kthyer në një rrugë urbane dhe atje ka përfunduar totalisht rrjeti dhe sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza. Përfundoi dhe furnizimi me ujë për atë zonë nga Divjaka, e cila do të zgjidhë përfundimisht gjithë Plazhin, nga Ura e Dajlanit deri në Malin e Robit, dhe sasia e ujit që ne furnizonim këtë zonë do të kalojë pastaj për qytetin për ti dhënë mundësi edhe zonës së qytetit për të patur më tepër ujë”, u shpreh z. Dako.

Kryebashkiaku bëri të ditur gjithashtu se “është mbyllur kontrata për kanalizimet e ujërave të zeza nga Currilat deri në Ish-Kënetën ku është impianti i pastrimit të ujërave të zeza. Pra do të bëhet kolektori kryesor dhe gjithë lidhja e ujërave të zeza. Do të ketë një kolektor të ri të ujërave të zeza i cili do të çohet në impiantin e ujërave të zeza dhe nuk do të ketë më asnjë derdhje të ujërave të zeza në det. Me këtë, ne përfundojmë, nga Mali i Robit deri në Currila, nuk ka më asnjë derdhje të ujarëve të zeza në det”.

Nga ana e saj, Ministrja Ekonomi e vuri theksin tek puna që ka bërë qeveria në këto 44 muaj përsa i përket sektorit të turizmit, teksa u shpreh se vendimi për uljen e TVSH-së, nga 20% në 6%, për këtë sektor ishte një vendim i cili krijoi lehtësi të madhe për operatorët. “Tashmë TVSH në turizëm nga 20 % ka shkuar në 6 %. Kjo do bëjë të mundur, për ju dhe për gjithë hotelet në Shqipëri që të clirohen disa fonde që mund të shkojnë në investime për qëllime të tjera ose të rrisin aftësinë akomoduese ose të përmirësojnë shërbimin”, tha ministrja.

Ekonomi bëri të ditur se në programin e ardhshëm është parashikuar ndërtimi i gjashtë shkollave profesionale të hotelëri-turizëm teksa theksoi se është rritur numri i tur operatorëve të huaj që operojnë në Shqipëri.

“Turizmi, nuk bëhet vetëm nga strukturat akomoduese, por ka nevojë për shumë shërbime të tjera, si ato që lidhen  me infrastrukturën dhe me rivitalizimin e trashëgimisë kulturore, dhe me mirembajtjen e parqeve natyrore duke bërë të mundur që turisti të shkojë e të shohë dhe produkte turistike që ka Shqipëria. Një gjë e rëndësishme është shtimi i tur operatroerëve të huaj që operojnë në Shqipëri. Ne kemi tani tur operatorë që vijnë nga Italia dhe përdorin paketat turistike shqiptare sic është Alpitoiur dhe Francoroso, paketën e polakëve përmes ITAKA, Rainboë nga Ukraina, nga Bjellorusia, Rusia, nga Holanda nga Cekia. Falë meritës së Qeverisë por meritës tuaj, kemi arritur të zgjasim sezonin turistik në kohë”, theksoi Ekonomi.