Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama kërkoi pak çaste më parë, në një konference urgjente me mediat, shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako dhe disa shefave të tjerë të Komisariateve në disa qytete të vendit.

Kjo kërkesë vjen pas dhunimit të disa eksponentëve të LSI-së sot në Pukë dhe Fushë-Krujë.

“Kërkojmë shkarkimin e menjëherëshëm nga detyra të drejtorit të përgjithshëm te Policisë Haki Cako, të shefit të komisariatit të Policisë në Berat, drejtorit të policisë Berat, shefin e komisariatit Lezhë dhe shefin e komisariatit në Fushë-Krujë, në të kundërt mosveprimi në një rast të këtillë përballë këtyre faktve skandaloze është bashkëfajësi e funksionarëve më të lartë shtetërorë përfshirë këtu kryetarin e Rilindjes. Në të kundërt do jenë të detyruar të mbrojnë veten pa i kapëcyer kufijtë ligjorë”, deklaroi Luan Rama.

“Rilindja përshkallëzon rastet e dhunës”, u shpreh Rama, duke bërë kështu përgjegjës drejtpërdrejt Partinë Socialiste për këto akte dhune.

Reagimi vjen në një situatë kur tensionet duket se po rriten, teksa dita e zgjedhjeve është afër.

Ditën e sotme janë dhunuar një eksponent i LSI-së në Fushë-Krujë me levë në kokë si dhe kryetarja e LSI-së dhe ajo e LRI-së në Pukë, nga persona ende të paidentifikuar, por që sipas eksponentëve të LSI, autorët janë persona të PS-së.