Njëri kandidat i PS-së dhe tjetri i LSI-së, por respekti mes tyre nuk i ka penguar që t’i urojnë suksese njëri-tjetrit për këto zgjedhje parlamentare.

Bëhet fjalë për ish-prefektin e Durrësit Roland Xhelilajn, nga radhët e PS-së, dhe ish-kreun e ALUIZNI-t, Flamur Gjuzin nga radhët e LSI-së, të cilët janë duke ndjekur me vëmendje procesin e numërimit në shkallët e pallatit të sportit “Ramazan Njala” në KZAZ-në 21.

Xhelilaj, i cili e ka të sigurt mandatin e deputetit për këtë legjislaturë, pasi ndodhet në vendin e pestë në listën e kandidatëve të PS-së, është përqafuar ngrohtësisht me Gjuzin.

Ky i fundit është i treti në listën e LSI-së durrsake, dhe sipas projeksionit të deritanishëm, në qarkun e Durrësit LSI merr dy mandate deputeti, duke rrezikuar kështu ish-kreun e ALUIZNI-t, i cili bëri histori në këtë qark, duke dhënë për 4 vjet rreth 30 mijë leje legalizimi për durrsakët.